Poezi nga Fejzi Murati
“PARAJSA” SHQIPTARE!
Pensionet tona?
Sa për mbijetesë!
Pagat për të përballuar minimumin jetik!
Euro e lekë me thasë i numërojnë,
ata që drejtojnë në politikë!
Në konferenca shtypina na qajnë hallin,
kur vijnë votimet
në çdo fushatë derdhin lotë,
por pasi votat na i marrin me mashtrime,
me ne bëhen të largët të ftohtë.
Prej tridhjet vjetësh na konsiderojnë si tufë delesh,
t’na mjelin votat çdo katër vjet,
për kutitë e votimeve
si qentë grinden e shqyejnë kundërshtarët,
për ne askush më nuk pyet!
Na nxisin t’i hamë kokën njëri-tjetrit;
jo partia jote, po partia ime!
Fëmijtë e tyre
shkollohen e jetojnë në perëndim,
për vete në Dubaj e Maldive bëjnë pushime.
Bëjnë pushime e studime jashtë vendit
me lekët që vjedhin këtu në atdhe!
E megjithëse e dimë që janë harbutë e maskarenj,
nga pas i ndjekim si turma,
si kope!
Nga shpirti na del mallkimi: I vraftë zoti!
Po turpin mbi shpinë ta mbajmë dhe ne!
KURTH DASHURIE
Kam vënë një gotë verë të kuqe përpara,
s’e di është gjysmë bosh
a gjysmë plot?
I mundur nga malli për ty
dhe nga avujt e verës,
s’arrij ta dalloj dot.
Herë-herë më shfaqesh e mërzitur,
e futur mes verës në qelqe,
herë dinakërisht ngre kokën buzë gotës,
më deh,
e më vret me buzëqeshje.
Dhe unë hutohem
e s’di si të veproj,
ti hyn e del në gotë si një magji ,
bëj të të zë bëfasisht kur del nga gota
dhe me fund si pikë vere të të pi.
Po ah,
magjia nuk kapet e nuk tretet dot,
iluzionesh ngelem me mallin ndër sy.
Vera më deh,
vera më huton
njësoj si dashuria për ty.
Kam vënë një gotë kristali përpara,
jo me verë
por plot me dashuri!
Dinakërish pres të dalësh buzë gotës,
me etje prej të marri të të pi.
FLUTURA
Më erdhi befasisht një flutur këtë mbrëmje
kur mbi varkën e kujtimeve ludroja…
Elegante, krahëshkruar,
e mbushur plot ngjyra
e bukur si ato të lëndinave tona.
Më përkëdheli lehtë – lehtë flokët e thinjur,
inspektoi qetësisht çdo cep e mur shtëpie,
dukej sikur më sillte një mesazh të harruar
një mesazh të vjetër dashurie…
Më mbyti trishtimi i rëndë, i befasishëm,
rihumba fëmijërisë,
viteve të shkuara…
M’u shfaq shtëpia e rrënuar diku mes blerimit
si trofe e braktisur nga kohërat.
Shtëpia që më rriti mes halleve dhe urisë,
me mure të shtrembëra,
me brenga të rënda
mes tyre fle dilema në e braktisa unë,
apo ajo nuk mundi të më mbante brenda?
EMRI YT…
Shkruaj emrin tënd mbi rërën e lagur
deti dërgon valët dhe e fshin me xhelozi,
po unë nuk dorëzohem,
e rishkruaj
dhe deti e fshin përsëri e përsëri..
Të dy luajmë me emrin tënd të bukur
dhe unë dhe ai.
Nuk u zemërohem valëve lozanjare,
ato llastohet pas emrit tënd, si femijë
emri yt është bërë pjesë e zemrës sime
po valëzat nuk kanë se si ta dijnë.
Në mbrëmje e rishkruaj emrin tënd
mbi retë e përskuqura gjatë perëndimit.
Por eeeeh!
Nuk më lenë rehat pulbardhat xheloze,
e rrëmbejnë me sqep gjatë fluturimit.
Natën më shfaqesh si sirenë e dalë nga deti
për t’më ardhur reale me diellin, ndaj agimit.




























Leave a Reply