Poezi nga Vladimir Muça
Ç’MË ZGJOVE KUJTIMET
Ç’më zgjove me shkronjat e çatit,
Mitare m’u çfaqe me sytë përdhe,
Në shpirt më dogje si prush i zjarrit
Kur fshehur nën hi, i ndezur fle.
Ç’djall erdhi tek unë pas kaq vitesh
E librin e shpirtit zu të shfletojë,
Në zemër më erdhi lumë ngashërimesh
Në shtratin e tharë, të historisë Trojë.
I mblodha ato shkronja, talisman i bëj,
Me mollëzat e gishtave i prek lehtë;
Ti si derizhabël më hijezon në qiell
Si një pushtim alien i beftë.
KUR TI IKE
Kur Ti ike
Orët e humbën rrugëtimin,
U lavijosën çastet
E pritjeve të pakthyeshme.
Vdiqën shpresat
Nga infrakte miokardësh
Nga goditjet e pritjeve.
PAKT
Në dritare përpëlit qerpikët mëngjesi,
Kulla ku linda vellon lule plot,
Trishtimi në pakt me natën
Nga syri i zgjuar s’ikte dot.
Si ujvarë m’u derdh dielli
Brenda në dhomë, nën jorgan,
Ditë e kristaltë nga do çelet
Mbi sytë e çelur jargavan.
Këndon kumria në strehën e vjetër
Ku u ndez qiriri i dashurisë,
Malli adol ndizet nën setër
Me shkulmin e flaktë të djalërisë.




























Leave a Reply