Poezi nga Filip LARKIN
9 gusht 1922- 2 dhjetor 1985 / ANGLI
PORTRET
Duart e tij nuk synojnë të dëmtojnë askënd:
duart e tij i përkushtohen vetvetes
për ti bërë strehë një flake,
erërat janë armiqtë e tij
dhe të gjithë ata që përpiqen
të sjellin të ftohtin dhe shtërgaten.
Por dylli dhe fitili shkurtohen
ndaj aq shumë i ruan,
megjithë kujdesin e tij ato shuhen,
duart e tij nuk janë të forta mjaftueshëm,
duart e tij do të varen dhe struken
dhe era nuk do të mund ta shuajë pikëllimin.
ANIA E VERIUT
XXVI
E para përvojë që kam mësuar
dhe e kam kuptuar kaherë
koha është jehona e një sëpate
brenda një druri që pret për t’u prerë.
XXIX
Hidhe tej atë rini
që të ka pushtuar zemrën
në flokë dhe në buzë;
bëhu për një çast pjesë e varrit
thuaju eshtrave të vërtetën.
Hidhe tej rininë tende
si gur i çmuar në kokë
atë bronz në frymëmarrje;
fol me të amëshuarit
për frikën e vdekjes.
LETRAT
I shkrova këto letra gjatë një viti,
por të gjitha mu kthyen përsëri,
një orë mu desh ti hidhja në zjarr
për një çast secila u dogj, u bë hi.
STUHI BORE
Papritur re bore
nisen të dynden në hapësirë,
të bien fjolla-fjolla, të pshtjellohen,
si flokët e hollë të një vajze të dëlirë
disa panë një tufë mjellmash,
të tjerë të iknin ca anije
ose shpalosja e çarçafëve në erë,
ndërsa bora prekte buzët e mia
e përtej kësaj padyshim e di
një vajzë ka qëndruar atje në skaj,
ajo nuk do të ketë të dashur
derisa të më mbështjellë me flokët e saj.
DITËT
Çfarë janë ditët?
Ditët janë ato ku ne rrojmë.
Ato vinë, na zgjojnë
koha kësisoj kalon.
Ato janë për tu gëzuar:
ku tjetër veç ditëve mund të jetojmë?
Ah, për t’ju përgjigjur kësaj pyetje
sillni priftin dhe mjekun
me palltot e tyre të gjata
tek ecin në një lëndinë.

Shqipëroi: Kolec P. Traboini
WORLD POETICA, vol. 3 ( projekt)
Washington DC




























Leave a Reply