Maria Mercedes Carranza
Kalendari poetik: María Mercedes Carranza (1945-2003)
Poete, gazetare kolombiane u lind 78 vite më parë, si sot, në Bogotá (Kolombi). Ishte fëmija i dytë ndër katër në familjen e Eduardo Carranza, poet dhe diplomat kolombian. Meqë i ati qe atashe kulturor në Madrid, Marias i takoi të kalonte fëmininë në Evropë. Në vitin 1958 familja Carranza u rikthye në Kolombi. Maria studioi gjuhë të huaja, pastaj filozofi dhe letërsi. Ndër punimet e saj të para qe promovimi i shkrimeve të poetit kolombian José Asunción Silva.
Në vitin 2003 komunistët kolombianë të organizatës terroriste FARC, vranë dy miqtë e saj të ngushtë si dhe rrëmbyen vëllanë e saj. E tronditur thellë nga fati i tyre, vrau veten më 11 korrik 2003.
Ja shqipërimi që përzgjodha sot:
PËR TY DHE GJITHË TË TJERËT
…Mos prit tjetër parajsë, as tjetër ferr.
Jorge Luis Borges
Ndoshta, mes mureve
të kësaj dhome, Pola Salavarrieta*
kollitet, qan, mbytet me pak fjalë.
Kaq shumë vdekje për lirinë
dhe vendimit për të përfunduar
në këtë atdhe të marrë, krijuar mes barcoletash
e hokash dhe për fajin tuaj për më tepër,
që keni sy, veshë, hundë dhe gojë
pezull në tjetër shekull,
kur toka qe e sheshtë. Për ty,
që syhapur ëndërron, për vete dhe vetëm për vete.
Për ty besimtar, që ende me mjerimit
e gjen veten, por i sigurt botën zbulon çdo ditë.
Për ty, që tani proteston sepse Kolumbia
është vënë pas murit e ti më shumë e ngjesh atje
dhe ia merr me gjumë mes kundërmimeve të Kolumbisë,
kësaj të çmendure që me vete flet, kryet përplas pas mureve
duke besuar se dikush do të vijë ta shpëtojë.
Por sidomos për ty, që i vetmi hall që ke
është si shkon vjelja e pjeshkave në Singapor.
Pola Salavarrieta* (1795-1817), luftëtare për pavarësinë e Kolumbisë, kur Spanja përpiqej të rivendoste pushtetin mbi ish-kolonitë e saj. E varën më 14 nëntor 1817.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply