Poezi nga Agron Shele
Premti
Në ëndrrat e paganëve të mi pashë qytetin *Trifilia
mbretin Premt gjithësesi
mbi një kurorë dafinë çelur majë shkëmbit
dhe një ushte që nuk flintë kurrë, lartësive..
Unë fluturoj majë shkëmbit ngritur
dhe hidhem si rrufe qielli, pragut ‘*Aos,
për ju bijtë e mi që ndoqët drejtësine hyjnore
legjendë e rikthyer dhe krah i shtrirë mbi liri.
Tise të largëta mbulojnë atë vend
diell që tejçon ngjyra pëmes reve
dhe një shteg i vetëm, ku jeta menton të vobektit
për t’ u rikthyr sërish pas vdekjes së një mbreti.
Ai iku me gjakun e shpaguar
Ai u kthye prapë si feniks,
tokës që aq paqe i fali mijëvjeçarëve
tokës që e ndiqte ujdhesës së tij .
Në ëndrrat e paganëve të mi pashë etërit e mi
si shkonin dhe vdisnin krenarë
përshpirtjes së fundit me sy nga qielli
themeleve me eshtra që ngriheshin lavdi.
Në ëndrrat e mia pashë dhe stëgjyshërit
që nuk deshën kurrë vlerë e pasuri,
por atë copë qielli që shihej pëmes maleve
e deshën të kaltër dhe horizont pa kufi.
*Trifilia – qyteti Përmet
*Premti- mbreti i kurorës
*Aos- Vjosa
Fëshfërimë e largët
Fëshfërimë e largët
vjen dhe në këto vise
thjesht më duhet të ndjek pulëbardhat
tek fluturojnë mbi shpinë
me regëtimat e tyre më kujtojnë se paskoha është më shumë se një liqen
që i mbledh
dhe i vërtit pastaj pasqyrave të shpirtit.
Çfarë hapërimi këtë mëngjes të pazakontë
tek shikoj dhe ndjek çdo mërmërimë
çdo zë
një notë mbi tastierë
thjesht duhet të qëndroj i heshtur
që të mos tremb asnjë zog që i bashkohet erës.
Fëshfërimë e largët di kë ndjell në shpirt
më shkrin e kthen në një fli
njëlloj si krahët që përpijnë qiejt
dhe unë mbetur përherë atje.
Fëshfërimë e largët
vjen dhe në këto vise
thjesht më duhet të ndjek pulëbardhat.
Përpjekje
Në rrugët e mia shfaqen trajta të tjera
të atyre që shkuan dikur
pa bujë e zhurmë
thjesht kalimtarë që na sollën ne sot,
ndoshta të ndërtojmë tjetër botë,
përsëri mes lutjeve të tye
diku në një orakull apo gur të heshtur
që Hyu i detit e dërgoi për të lagur tokat e egra,
të shuante etjen e përpjekjes së pareshtur
dhe të çelte përmbi kreshta kurorën e gjelbër.
Në rrugët e mia kam ndeshur dhe shpirtin e njëjtë
fluturuar dritës që zgjohej në vegim
e keshtu e bardha jetë hapur horizonteve
vinte me pëshfaqjen e luleve në zgjim.
Në rrugët e mia kalon karvani i heshtur
dyndjes biblike; pa tokë e atdhe
por të gjithë rendjes së shekujve me ngulm
mundimit e përgjakjes së njeriut për njeriun
ngritur kulteve që prekin gjer në re.
Në rrugët e mia ka lot dhe zjarr
sepse dhimbja lindi bashkë me njeriun
heshtjes murnajë, hijeve të padukshme
tek regëtin një shpirt i përlyer
ardhur dhe ikur si pasion i vjetër
humbur përjetë pafajësisë dëshirë
tek digjej me një yll që rrëzohej përfund
e kthehej më pas si më i bukuri kujtim.
Në rrugët e mia ka shumë dashuri
për ata që botën e ndiçojnë çdo ditë,
përmes syrit të qiririt djegur
dhe shëmbëlltyrës ardhur religjionit besim.
Vetëskllavërim
Dritat u fiken
ne fakt u shua një zjarri në pyllin e shtëngatës
dhe ata shtrënguan shtrojet e mbijetesës
që të sillnin të nesërmen
mes stuhisë jetë
dhe fatit që do i shuguronte më pas në një rrip toke.
E fituan paqen e shtirur bonjakët
u gëzuan dhe ndezën më pas një tjetër oxhak
të ngrohnin eshtrat e mbledhura kruspull
duke harruar përpjekjen e të parëve që rendën pëmbi dhe
ashtu të trazuar dhe çastit fatlum
zhytur thellë e më thellë në vrer?
I harruan të parët
ata që i sollën dhe për çdo shpirt mbollën një shpresë
duke u rikthyer
tek plaga e dikurshme,
që i rrudhi dhe bëri një grusht mbi tokë
botës së madhe,
vogëlsisë së shpirtit
asaj që s’ ka barkë ti shpëtojë përmbi det.
Sa shpejt i harruan ata
që u maskaruan dhe lanë pas nje duzinë jetë
ndërsa turpi i dheut
kundërmon erë dhe roit ende fëmijët në djep.
Vraponi skllevër të mënxyrës, vraponi
një çekan më shumë dhe një drapër pëmbi krye
se kështu do shikojmë mallkimin e Zotit
dhe dhimbjen e re që sapo ka filluar.
Vrapo
Shtrëngoji më fort gishtat poshtë atyre çorapeve të thurura nga shtizat e nënës
endu nëpër lëndinën e zbardhur nga bora,
mos prit të shikosh drerin e fshehur në korije
as gjurmë egërsirash, se ato zënë fill lartësive
prandaj shpenguar nxito,
të prekësh malet nëse mundesh
dhe në çdo gur kalldrëmi
ndje duart e plasaritura të atyre që i ndërtuan.
Mblidhi dhe grushtat e vegjël
kështu më pak ftohtë do kesh,
mos harro të gdhendësh një inicial në rrasat e gurit,
se thjesht do bashkosh një gërmë më shumë në plejadën e atyre që shkuan,
si shembëlltyrë e brezave që kanë kaluar në këtë anë,
e ndoshta do kuptosh botën e tyre
në një fishkëllimë që vjen me jehonën e pyllit
dhe hapa që s’ do ndalin kurrë së vrapuari.
E përjetshme
E mbajta frymën një çast
humba në akuartitetin e Simfonisë – IX
një Beethoven i humbur mes tingujve
dhe një muzikë e ngritur në himn!
Të gjitha ngjyrat u mblodhën tek e bardha dritë
dhe drita në bebëzën e syve
prizëm i trajtave dhe kurmeve
që zbrisnin nga më të lartat bekime.
Shëtit udhëtimeve të heshtura
ndoshta dhe qan pas kuintave,
por klithma e e kthjellave të kthyera përmbys
ndjek gjer në fund dhimbjen e shpirtit.
Thjesht një Sant Valentin bekimit të kryqit
shugëroi dashurinë e fshehur
dhe si martir i ngritur faljes së përshpirtshme
dërgoi Engjëjt në dashurinë e përjetshme.
Mos thuaj kurrë…?!
Mos thuaj kurrë…,
e nesërmja padyshim tjetër ditë sjell
dhe dielli do çelë syrin mes resë më të errët
të përshëndesë linkthin e një kali revan
të një shpendi fluturim
udhëtarit që ka mbetur kryqëzimit sërish,
por dhe të gjysmë perëndeshës që tret ëndrrat në një breg deti;
pse e di se vala vjen me anijen e humbur
dhe një lundërtar do e puthë etjen e tokës!
Kurrë…! Mos thuaj kurrë…?!
Feksje!
Sytë u hapën atë pragmbrëmje
tek shikoja përtej avullit të kafenesë
në fjolla tymi të një cigare gjysmë të shuar
në ujvarë flokësh
rrëshqitur gjer në gotë
dhe pirë bashkë me dhimbjen e shiut.
Ishte ndoshta një pasazh
zbritur gjer tek mua
për të përndritur mbrëmjen e feksur
e larguar më pas si një hije e mallkuar.
Neone që ndrinin një rrugë
emrash të panjohur, dishepujsh kurrsesi
por ngjyrat preknin gjer në shpirt
e përhumbnin si hije përgjithmonë
në trajtat e një bukurie të heshtur
që veç në ëndrra mund t’a shihje
ose liqenit që dremiste i vetmuar nën një hënë të thyer.
E di vendodhjen e atij apartamneti
dhomën e gjumit, gjithësesi
një ngjyrë e purpurtë bordo
dhe shkallë që s’ të çojnë askund.
Sytë u hapën atë pragmbëmje
tek shkoje rrugës në thellim
kalldrëmeve të ngushta me semaforë të fikur,
luginës së ngrirë
zbritur flokëve prej bore
në brirë të kurorëzuar drerësh
dhe staujë e kthyer në shpirt.
Perëndim i feksur
Perëndim i feksur
dhe valë të shtrira,
që kurrë nuk arrijnë të prekin gjer në asht,
gjurmë të vetme
kujtesë e zogjvë të harruar
që sjellin veç një regëtimë mbi det.
Dhe ti kryqëzuar
me krahët që pret
lundërtarin e zbritur nga betejat e heshtura
me pamje krijuar vragave të moçme
fytyrë e kujtesave të grisura nga shkulmat e përpjekjeve
në një breg
në çastin e harruar
stuhi në shpirt,
pse ngrihesh përmbi dallgë si hyjneshë
dhe e kthen botën në legjendë!
Përëndim i feksur
dhe një yll në rrëzim
krahëve të pritjes
dhe heroit që shkon në amshim.
Shi
U shafqe këtë çast të ditës së re
ashtu pushpurisur me ëndrrat e zgjuara
flokët shpërndarë gjer në re
e loti bulëzon formave të shiut.
U shfaqe, por kurrë një fjalë nuk e the
as e përshëdete ditën e re,
ndërsa zemra ime ndjen zjarrmin e jetës
dhe fshiu një tjetër ditë ndër ne.
Botë e grisur kalendarëve që shkojnë
dhe bukuri që fanitet syrit të venitur
rrezes që përhumb dritës së jetës
ditë që vdes me muzgun e thyer
Ani, le të shkojë kjo kohë e pakohë
shiut, që flokët kullon gjer në dert
Ajo një shpirt i ngritur ylberit
Ai një vështrim i kthyer në harresë.
Pak dritë do shndrijë sa një qiri
aq sa të shikosh rrugën e humbur
hapave që ndjekin të vetmen dritëhije
shpirt që s’ vdes dhe kthehet në yje.




























Leave a Reply