Poezi nga Adem Zaplluzha

 

adem

Adem Zaplluzha, autor i 109 librave me poezi për të rritur dhe fëmijë

 

 

Cikël poetik 

 

 

PËRSE SONTE TË SHKRUAJ POEZI

 

Pse të shkruaj sonte poezi

Kur mbi çarçafët e palara

Derdhet loti i saj i virgjër

Përzier me disa pikla gjaku

 

Kukulla e leckosur u shtri mbi aneminë

E fëmijërisë së dhunuar

Natën e  trishtë

E zuri një gjumë edhe më i trishtuar

 

Shëtitoreve enden siluete të dehura

Penxheret me drita të kuqe

Reklamojnë zërin

Dhe kërthizën e këngëtares anonime

 

Nën jastëkët që kundërmojnë bajgë

Fëmijët mbesin pa fëmijëri

Kur kjo kohë e shthurur djersitet

Përse sonte të shkruaj poezi

 

 

 

KY SOJ I PRISHTË

 

Ata që erdhën pa i ftuar

Nuk i përngjanin njerëzve

Erdhën e i vranë në majat e akacieve

Lulet e posa çelura

 

Këta njerëz në thonjëza nuk i përngjanë

As bishave

Kur dehen i  hanë kërthinjtë e vet

Nuk kanë as varre që t’i vajtoj dikush

 

Ky soj i prishtë

Vuan nga dizenteria e shpirtit

Këta njerëz të ligj vrasin edhe Hyjin

U përngjajnë maktheve

Sa që e gllabërojnë dhe njëri – tjetrin

 

 

 

KY ËSHTË UDHËTIMI IM MITIK

 

Nëpër këto binarë prej mjegulle

Unë do të mbërrij në shtëpinë time

Mos më prekni sonte

Ky është udhëtimi im mitik

 

Vij nga vendet tropikale

Ku zihet veja në rërën e zhuritur

Atje ku deveja vlen më shumë se njeriu

Po kthehem

Me zërin tim të fishkur prej lotëve

 

Nëse askush nuk më pret në qytetin tim

Me siguri do të më njohin varret

Ku ka njerëz që do ma shuajnë etjen

Me një gllënjkë trishtimi

 

Ata nuk më refuzojnë

Do më bëjnë konak

T’i pushojë këto kocka të sfilitura

 

Sa herë që hyja në shpirtin e metropolit

Nga qenia ime delte një tjetër shpirt

Si një zog i bardhë

Që i përngjan gjyshërve të mi epikë

 

 

 

ATË MELODI PREJ SHIU

 

Mikun tim poet

Në çdo kohë mund ta gjeni

Në shkallët e katit të tretë

Ku si një magjistarë i denjë

Fundoset në vetvete

 

Atij i pëlqen muzika e metaltë

Këndon një tjetër lloj kënge

Që nuk e kupton askush

Atë melodi prej shiu

Mbi teneqet e ndryshkura

 

Kur e zë uria

Etjen e shuan duke i shtrydhur shirat

Nga parmakët e dritareve

Dhe kënaqet deri në çmendi

Kur në lagështit e mureve

Bisedon me mushkonja

 

Në katin e tretë të kujtesës

Ndërtoi një çerdhe klandestine

Për lejlekët shtegtar

Dhe asnjëherë nuk doli bri shtegut

T’i dëgjoj këngët e turtujve

 

 

 

NGA TRISHTIMI I MERMERTË

 

Asgjë s’dëgjohet pos zhurmës së hapave

Eci me vetminë time

Nëpër qorrsokakët e së kaluarës

Pas meje

Si troku i kalit gërdallë

Dëgjohen gjëmat e shpirtit të bastunit

 

Nuk qenkam i vetëm

Edhe hijet e kërrusura të rrugëve

Çapiten nëpër shiun imcak

Të vjeshtës

Një pemë e egër i shkundi frytet

Në prehrin e gjelbërimit

 

Përtej vetmisë sime lehje mjegullash

Në qytetin e të vdekurve

S’ndalen protestat e arkivoleve

Nga trishtimi i mermertë

I një mbishkrimi

Filloi shkundja e pemëve të vonuara


 

 

NJË VARKË E TRISHTUAR

 

Ne i vizatojmë siluetat tona

Në zallin e përskuqur

Kur gratë e peshkatarëve i grithin fytyrat

Një hënë e re noton qiellit gri

 

Shëmtohen dallgët e kripura

Fanari fundoset në pikëllimin e shpresës

Dy varka të vetmuara në mol

Shkruajnë ditarin e një trishtimi

 

Sa herë që tërbohet ky det i mendjes

Në lotët e pulëbardhave të zeza

Përmbyten  hënëzat

Përmbyten duart pas kashtës së shpresës

 

Një varkë e trishtuar

Më e trishtuar se vetë vdekja po dënes

Si fanari i vetmuar pranë bregut

Presin nënat kthimin e premtuar

 

 

 

 

NJË PORTË E MBYLLUR NGA BRENDA

 

Kjo portë e mbyllur nga brenda

Rri ulur si pemët

Dhe shikon se si bien gjethet

Nën hapat e rënda të pelegrinëve

Parakalojnë pëllumbat si beduinët

E s’flasin me të

 

Një shi imcak troket nga brenda

Askush nga jashtë s’përgjigjet

Ky karvan pelegrinësh

Depërton me tërë forcën e fjalës

Deri te shpirti i një arkivoli të dehur

 

Përbrenda mureve me lagështi

Unaza e grindjes

Patërshanat prej fjalëve s’paskan të ndalur

Një erë e fortë vjeshte

Paska zënë pritë te dunat e trishtimit

Ose dimri i ka mbërthyer

Të gjitha shtigjet sonte

 

Një portë e mbyllur nga brenda

Vite me radhë

I  mëkon lotët e ndryshkur të drynit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s