Poezi nga Kadrush Radogoshi

 

Poezi nga Kadrush Radogoshi

 
ASKUSH NË KËTË BOTË
 
Askush në këtë botë,
Askush në këtë botë nuk ka mund ta zgjedhë
Vendin e lindjes
Askush!
 
Edhe mua
Edhe juve, me siguri
Askush nuk na ka pyetur
Në cilin vend kemi dashur të lindnim.
 
Megjithatë
Nuk ka njeri, që nuk e do vendin,
Ku ka qarë e ku ka qeshur për herë të parë,
Ku ka mësuar të ecën nëpër shtigjet e ëndrruara
Apo nga ku vajzat janë nisur për ta kaluar ylberin,
Por janë kthyer lehona,
Nëna të ndonjë djali-Ylber apo vajze-Ylberore.
 
Vendlindja i zë të gjithë fëmijët e saj
Deri sa të rriten e t’i hapin krahët e dëshirave
Për të fluturuar në një tjetër galaktikë
Ku shpirti i tyre shndërrohet në dritë.
 
Disa të tjerë, kur të rriten, duhet të largohen
Se domosdoja i kap për dore dhe i hyp në barkën
E një Noe të ringjallur
Për të lundruar përtej oqeanit,
Ku shpresa e shtrirë mbi rërën e ngrohtë
Shijon simfoninë e valëve
Të përqafuara përjetësisht me njëra tjetrën.
 
Askush në këtë botë nuk e lë pa u kthyer
Në vendin e lindjes.
Në zhgjëndërr apo në ëndërr
Ç’rëndësi ka?
 
Edmonton, Canada, October 10, 2020
 
 
 
E VESHUR VETËM ME DRITËN E HËNËS
 
I dehur sikur të kisha pirë një fuqi të tërë vere,
Të kuqe si vet gjaku i dashurisë,
I kërkova t’i shijoja ato fruta të pjekura
Në kopshtin e shpirtit të saj.
 
Tërë kopshtin e mbushur fruta
E futi në shtatoren e Afërditës
Së veshur me fustanin e qepur nga dritë e hënës së plotë
Dhe ma solli në dhomën time,
“Vendose ku të duash shtatoren që kërkove”, më tha
Dhe u zhduk si të mos kishte ekzistuar kurrë
E mua më la në të njëjtën dhomë me shtatoren
E vendosur
Në mes të dëshirës llavë vullkani
E në mes të frikës akullnajë polare.
 
“Unë doja të puthja shpirtin tënd të dashur
E ta mbaja në duart e mia
Si trofeun e një dashurie që di të transformohet
Por që nuk di të vdes asnjëherë,
Prandaj ç’më duhet një shtatore mermeri
E ardhur nga antika”,
Pëshpërita apo fola me zë
Kurrë nuk e mora vesh .
 
“Shpirti i së dashurës sate
Është në çdo pjesë të trupit tim
Prandaj merrëm para duarsh
E më shtrëngo me tërë fuqinë që të kam dhënë
Deri sa të shpërthejë vullkani
Nga llava e madhe e shpirtit tim”,
Më tha shtatorja e buzëqeshur e Afërditës
E veshur vetëm me dritën e hënës.
 
Sheshin qendror të atij qyteti të ngritur në shpirt
E pastrova nga mbeturinat e rrënojave
Të kështjellave të marrëzisë
Për ta vendosur shtatoren e Afërditës
Së veshur vetëm me dritën e hënës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s