Intervistë me autorin Bajram Torba / Intervistoi Teuta Sadiku

 

Intervistë me autorin Bajram Torba

Jetojmë në një kulturë të drejtuar nga media, e cila shpesh duket se po bëhet gjithnjë e më intolerante ndaj hidhërimit të mprehtë,ndaj ankthit të fortë mendor dhe pendimit të thellë që mund të përcaktohet si pikëllim . Vëllimi me poezi i Bajram Torbës vjen pikërisht me titullin “Ulërima”.
 
Poezitë në këtë vëllim janë përmbledhje të disa poezive të krijuara në dy dekadat e fundit, pak prej tyre janë të botuara edhe më parë. Në këtë vëllim me poezi nëpërmjet vargjeve jam përpjekur të pasqyroj jetën përtej fasadave.Të gjithë I përjetojmë ditët plot vështirësi, vuajtje ankth e shqetësime ,por hezitojmë ti pranojmë, ti pohojmë.
 
”Si mund të rri pa më thoni
Si mund të rri pa ulëritur
Ndoshta ju, veç lajka doni,
Ndërsa jemi të lemeritur”.
 
 
Në vëllimin me poezi “Ulërima” ndjehet një protestë , një rebelim i shprehur me emocionet më të thella njerëzore që të tund e të shkund si të jetë një elektroshok për lexuesin. Poezia për ju është terapi (poeti dëshiron ta mjekojë këtë hidhërim të thellë,ta zbutë,ta ëmbëlsojë) në këtë mënyrë,krejt të veçantë .
 
 
Titulli lajmëron për diçka që është më e thellë në vetvete –fjala ulërimë zgjon ndjenja, dëshira, emocione shpirtërore të cilat i vesh me ndjesi plot ngjyra ,tinguj e valëzime frymëmarrjeje duke krijuar kështu një botë të ndjerë , të cilën vetëm lexuesi mund ta gjallërojë dhe ta brendësojë, ta bëjë botën poetike një botë të tij. Shkrimi është mishërim. Leximi është kontakt.Ndaj zgjodha pikërisht këtë lloj poezie për të komunikuar me lexuesit në një mënyrë krejt ndryshe dhe tepër origjinale.
 
 
‘Ulërij për servilët partiakë,për frikacakët mjeranë
……………………………………………………………………..
Ulërij për hiçët hajdutë,për pisllëkun që del nga halet,
Ulërij….Nga britmat zë veshët..Për çfarë të ulërij më parë.”
 
 
Jo të gjithë dimë të lexojmë poezi. Të mësosh të lexosh poezi kërkon udhëzues të mirë. Dikur,ka qenë një libër i thjeshtë, gazmor nga Stephen Fry, ose libri i Edward Hirsch-it.Por tani kemi librin e Entela Tabakut ku mësojmë shumë rreth leximit të poezive.Po ju si do i këshillonit lexuesit të lexojnë poezitë tek vëllimi ” Ulërima” .
 
Vargjet flasin vetë,unë shkruaj pa doreza.Ajo që e karakterizon vargun në këtë vëllim poetik është modestia.Poezitë mund të lexohen prej kujdo.Në vargje është shpirti im,i lexuesve, i të gjithëve.
 
”Ah sikur të vija nga ndonjë planet tjetër
Do të shikoja veç kuadrate me njerëz të formuar
Që brohorasin për padronët ashtu të lumtur
Pa e ditur se skllavëria i ka gllabëruar,
Pa e ditur se zvarrë nëpër sheshe i kanë futur.
Ah, sikur të vija nga ndonjë planet tjetër
Do të shihja vetëm vila e sënduqe të kamura
S`do më linin të shoh një gërmadhë të vjetër
S`do të shihja nëpër strehë, shpresat e varura.
Por çe do .Ah, medet Jam tokësor.”
 
 
Krijimi i poezive rebele, protestuese është një art sa i qëllimshëm aq edhe spontan,por arti juaj është shumë i lëmuar. Mesazhi i tyre do të thotë që ulërima të tilla janë aq afër jetës , brenda shpirtrave tanë, sa që poeti ka marrë dhimbjen që I shkakton këto ulërima si mënyra për t’i transmetuar ato tek të tjerët.
 
Në radhë të parë poetët janë qenie, janë krijesa , janë njerës dhe pastaj poetë.Poeti ka shumë dilema në kokë,shqetësime, ankthe dhe të gjitha këto I përjeton në vetmi.Historia përsëritet ,jeta vjen rrotull historisë.Arti ngërthen historinë e jetës..Skulptori gdhend mermerin, poeti gdhend vargun. Ja pse duhet të lexohet kjo poezi rebele, kjo poezi ulërimë edhe pse e dimë se lexuesi shqetësohet kur lexon poezi të tillë.Ose thënë ndryshe këtu është dallimi nga format e llojet e tjera të poezive ..ashpërsia telegrafike,fjala therëse,informacioni I dhimbshëm .Në ditët e sotme jonormalja është bërë normale dhe askush nuk e vret mendjen,për pamjet tragjike për dhimbjen, për kapitalin më të madh të njerzimit, vuajtjen.Ndaj ulëras ;
 
 
Më prishët vargun.
 
“Vargun ku kam dhe fal shpirtin tim
Vargun ku misterin dashuri e vesh veç me lule
Vargun ku ngadhnjej me rreze plot dritë
Vargun ku vargonjtë e zinxhirëve këputen.”
 
 
Nëse do huazoja metaforën Platonike të shpirtit me tre pjesë, atëherë poezitë tuaja janë monologje, biseda, pëshpërima, britma dhe ulërima të pjesëve të ndryshme të shpirtrave tanë.Diku është edhe heshtja , e cila vret po aq sa fjala.
 
Poezitë po aq sa përcjellin qëllimisht një mesazh ,po aq kanë ardhur dhe spontanisht. Arti është edhe mision dhe kështu poetët janë misionarë.Ata me artin e tyre përmbushin shpirtrat dhe rrugën e njerzimit.Qasja epoetit ndaj jetës është ndryshe nga njerzit e zakonshëm.
Njerëzit janë të fiksuar me emërimin e fenomeneve , organizimin dhe grupimin e ngjarjeve, dukurive.Është pjesë e natyrës sonë, ne jemi të fokusuar duke vendosur gjërat në vendin e tyre,të hartojmë ligje,të shpikim psikologji për të kuptuar botën. Sidoqoftë, bota nuk mund të kuptohet kurrë me të vërtetë. Arti e përfaqëson këtë. Arti përfaqëson misterin në botë. Kur nuk mund ta emërtojmë, ose ta shprehim, ose ta grupojmë qartë,jetën.Ndaj çfarë të bëjmë? Vallëzojmë, këndojmë … shkruajmë poezi.
 
“Çpo ndodh
Të rinjtë veç mërmërisin,veç dremisin
Nëpër kafenera si pleq të lodhur kthehen
Tutje qeniet e sajuara që skanë shpirt
Që sdinë të skuqen nga paturpësia
Veç thonë Jemi ne gjithësia.”
 
 
Poezitë , të gjitha janë një ulërimë dhe si lexuese më duke se ju kini krijuar një skenar me këtë vëllim poezish.Si regjizor, vërtet kishit një skenar në mendjen tuaj , apo poezitë erdhën spontanisht.
 
Po,është e vërtetë,jam regjizor dhe si regjizor pas shumë aktiviteteve artistike në shkolla e nëpër komunitete, në vitin 2016 krijova bërthamën e Trupës së Teatrit “ RIKTHIM” .
Çdo lexues ka mënyrën e vet të leximit , të shijimit të fjalës ,ka këndvështrimin e vet,ku dhe secili plotëson vetveten .E përmenda dhe më lart, poezitë kanë ardhur spontanisht.Tematika është thellësisht sociale,në çdo poezi trajtoj përditshmërinë por me një vështrim artistik.
”Monologu I një të papuni ”,”Kolltuku”, ”Aroma e flamurit ” ”Të lumtur nga varfëria”.”Unë jam një”,”Nëpër kafenera”, ”Ulërima”,e të tjera tituj , që trajtojnë përditshmërinë.
 
 
”Unë jam një
por një në vetvete është dhe një gisht në dorë.
dhe secili rënkon, kur dhimbja fillon
pasi mblidhen fuqishëm , njeri -tjetrin shtrëngojnë
mblidhen në grusht .. dhe grushti rrëzon. ”
 
 
Ku është dashura,asnjë poezi dashurie në këtë vëllim, e kam fjalën për vargjet lirike .Ato mungojnë në këtë vëllim, sepse ju keni shkruar vargje lirike, apo jo …
 
 
Po, kam botuar në rrjetet sociale dhe në disa gazeta edhe vargje lirike.
Nga cikli “ Buqete”
 
 
MË PRIT KËSHTU SIÇ JAM
 
S’do të vij tek ti, i rruar e i kollarisur,
As erëra parfumesh tek ti s’do të sjell,
Do te vij kështu siç jam, nga rruga i pluhurosur,
Dhe lulet që aq shume i do, tek ti do t’i mbjell.
 
Dhe e di se buzët nga era e djersës s’do t’i rrudhësh,
Këpucet e pluhurosura nga rruga, do m’i fshish,
Lulet e freskëta, në një vazo do t’i fusësh,
Do të skuqesh paksa, pranë meje kur të rrish…
 
 
Të ikim” titullohet një poezia e juaj. Është një thirrje e dhimbshe, pikërisht në ditët e sotme , ku ikja masive jashtë vendit vazhdon,sidomos nga brezi i ri I edukuar dhe arsimuar brenda vendit.Kush është mendimi juaj për këtë dhe si e justifikoni titullin e poezisë ”Ç`po presim më”  si dhe vargjet ;
 
 
Unë po iki
……………..
me sytë prapa jam…
të shoh se si buka e fukarasë
një ditë do t`ju vrasë.
 
Mediokriteti i lexuesit, në mungesë të durimit për të lexuar e dëgjuar deri në fund thirrjen e poetit, shpejton të krijojë opinione të gabuara. Por ja që poezia me shpirtin e saj kritik e rebel ,me prirjen e shprehjes së lire, poeti e ndjen se ka një jetë që egziston brenda vdekjes.Kjo është shpresa që ofron poezia,poeti afron mundësinë për ndryshim.
 
”Me monologjet e pikëlluara ndër vete.
për nënën shamizezë me shumë fëmijë
Për vështrimet që treten përtej deteve.
Ç`të presim më
Afrohuni vëllezër
Bashkë me dhimbjet ,të lidhim dhe duart
Ta lëmë të zbrazët këtë shesh
E të lajmë sytë atje në një krua.”
 
Fatet e njeriut dhe poetit shqiptar, janë fatalisht tragjike.Dhimbja e trishtimi janë bërë përditshmëria jonë. Atdheu po bëhet shumë I vogël për poetët , dhe jo vetëm për poetët.Martin Camajt u detyrua ta merte me vete si një gur në zemrën e tij. Po, Të ikim, sepse arti është subjektiv,edhe kur pasqyron realitetin. Qëllimi I poetit nuk është të krijojë një botë të bukur ,por ta gjejë bukurinë edhe në honet e të shëmtuarës.Egziston gjithmonë një shteg përtej rrethimit.POETI nuk jep zgjidhjen por jep mundësinë e zgjidhjes.Duhet të ikim , po të ikim ,të ecim më tej, përtej shesheve.Duhet të kalojmë vetveten.Me guxim , pa frikë , me lirinë e shpirtit.
 
 Poezia juaj ka një Intimitet të jashtëzakonshëm dhe e jashtëzakonshmja e këtij Intimiteti është se rrallë poetët shkruajnë në një mënyrë kaq rrebele .
 
 
Poezia ka një aftësi të jashtëzakonshme për të arritur njerëzit dhe për ti prekur ata në ndjenjat e tyre,emocionet dhe shpirtin . Poezia nganjëherë ka aftësinë e mbinatyrshme për të hartuar imazhe dhe për të krijuar idenë e një bote utopike , për ta përballur me realitetin e hidhur , për të ngjallur ndjenja e emocione nga më të thellat deri në ndjenjat më delikate.Kjo ndjenjë më bën të admiroj artin dhe poezinë në një dritë tjetër. Kur presionet dhe ankthet e botës së jashtme dhe të njerëzve të tjerë më rëndojnë shpirtin , poezia shërben si një çlirim terapeutik i tensionit.Dhe bërtas me varg, ulëras me poezi,artistikisht. Poezitë kanë aftësinë të nxisin shqisat dhe emocionet tona sepse ato janë krijuar me emocione të ngjashme dhe lexuesi gjithmonë ka qenë i mahnitur nga ndarja e ndërsjelltë dhe transferimi i emocioneve nga poezia tek ai .Poezia do të mbetet gjithmonë një nga format më të vërteta të artit të njerëzimit për aftësinë e saj për të zhbllokuar pasionet dhe emocionet.
 
”Sigurisht, nëse do të jetoja në një botë tjetër
Lëmsh do të bëhesha,ditët e tyre do ti zhgarravisja
Ik more , njeri I dalë mode, I botës së vjetër
Do më thonin buzëlyrët,kur rreshtat tua prishja. ”
 
”Ndaj poeti bërtet, ndaj ulërin
Për ca zëra porsi gjinkallat zhurmuese
Ndaj fuqishëm shkel mbi një zhgarravinë
E çohet të hedh një varg për ditët kumbuese.’’Kur venitet vargu’’
 
 
 Duket sikur çdo varg , çdo fjalë bëhet gjithnjë e më personal dhe më i thellë, megjithatë mendoj se ju e keni marrë shumë larg këtë herë. Ulërima juaj në vëllimin me poezi është e fuqishme, dhe në disa poezi ato janë shumë ekstreme. Tek ”Kalorësi i zi ”Ju aludoni me figura politike të vendit.
 
”Dhe shkel.. gjithshka është e tij
Me pendën e fazanit në kokëzbukuruar mbi kokë
Me gjahun e radhës mbi prehërin e zi
Ecën drejt kështjellës që e mbron.
 
Jo , aspak nuk aludoj me askënd. Kalorësi i zi është ai që po ecën tani në rrugë, ai pronari I asaj makinës, një drejtues, një sipërmarës I një kompanie ,je ti , pse jo jam dhe unë. Të gjithë jemi Kalorësi I zi.,të gjithë mahnitim me buzëqeshjen fallco,secili prej nesh prêt gjahun e rradhës. Poezia nuk i kompenson përvojat e jetës reale,por ajo thellon dhe rrit përvojat e jetës reale.
 
 
Pra ju jeni veç poet edhe regjizor i trupës teatrore ”RIKTHIM”. Le ta njohim lexuesin edhe me pasionin tjetër tuaj, atë të regjizorit.
 
Pra siç e përmenda më lart,jam themeluesi I trupës teatrore RIKTHIM .Jo rastësisht kjo trupë u pagëzua me këtë emër, pasi misioni i kësaj trupe është rikthimi i lëvizjeve amatore, si një faktor i rëndësishëm në edukimin e brezave me shije artistike dhe me ndjenjën qytetare. Por krahas kësaj është rikthimi tek poetët, shkrimtarët dhe dramaturgët shqiptarë, që me veprat e tyre shpalosin bukur realitetin shqiptar në të gjitha kohërat. Kjo le të jetë një nisëm dhe një apel për të gjithë regjisorët për të vënë në skenë dramat shqiptare, që kohët e fundit janë harruar. Kjo përbën dhe ruajtjen e traditës dhe identitetit artistik shqiptar. Trupa e Teatrit “ RIKTHIM” pas një sërë aktiviteteve si: – Vargje të ngelura në hije. – Fjala gdhend gurin. – Një vit pa Driteroin. – Zëri ynë. – Komedia “ Kërcuri” – Drama “ Qyteti i akuzuar” të cilat i ka realizuar në afatin kohor për tre vite, tashmë është një trupë e konsoliduar dhe që njihet nga shumë institucione artistike, nga artistë dhe miq që na kanë ndjekur e mbështetur. Krahas të bërit art, ndjehemi misionarë në këtë rrugë sa të vështire, aq dhe të bukur. Talenti, pasioni, sakrifica dhe përkushtimi na prin me moton tonë:
“ Të gjithe së bashku mundemi…!”
Por vlen të theksojmë se të gjitha aktivitetet janë bërë pa asnjë përfitim monetar. Por duke patur mbështetjen e dashamirësve artistë, stafin e teatrove. duke u bërë dhe ata pjesë e jona, kemi mundur të realizojmë shfaqje mjaft dinjitoze, ku jemi ngrohur me duartrokitjet e artdashësve që na kanë ndjekur. Tashmë kjo është një rrugë pa kthim. Aktorët e trupës me lojën e tyre kane krijuar figura kaq të arrira saqë marin përmasat e profesionistëve. Dua t’i falenderoj të gjithë për kontributet plot talent dhe pasion.
Mbas suksesit të korrur me dramën” Qyteti I akuzuar”,Trupa teatrore ”RIKTHIM” rikthehet sërisht me një tjetër projekt artistik, me një dramë nga dramaturgu ynë I njohur Rruzhdi Pulaha, ‘’Nesër është vonë’’.
 
 

Intervistoi Teuta Sadiku

  Është diplomuar në Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës në degën Gjuhë –Letërsi Shqipe.Është autore e dy vëllimeve poetike si dhe dy përmbledhjeve me tregime.Shkruan dhe përkthen në shumë revista e gazeta si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s