ZADRIMORJA E BUKUR / Tregim nga Vullnet Mato

 
Tregim nga Vullnet Mato
 
 
ZADRIMORJA E BUKUR
 
Bazi e filloi rrëfimin e ngjarjes me gratë zadrimore.
-Janë aq të pashme, sa të marrin në qafë ! –tha me buzgazin e tij në fytyrë. –Dhe e vërteta është se ka bërë vaki, që shumë burra janë marrë në qafë prej bukurisë së tyne. E tillë, me bukuri që të merrte sytë ishte edhe nusja e Franit…
Më tej Bazi tregoi, se nusja e Franit, e stolisur si ditën e parë të martesës, ndonëse kishte lindur vajzë para katër vjetësh, dukej si e martuar atë ditë, kur brigadier Pashuku tentoi ta shtinte në dorë. Frani punonte në prashitje bashkë me të shoqen, por atë ditë ndodhej në zborin ushtarak. Brigadieri u përpoq ta kapte nusen e tij, teksa ajo shkoi të pinte ujë nga shtama e lënë për t’u ftohur te kanali në fund të arës. Por Dila i rrëshqiti nëpër duar dhe i thirri vajzës katërvjeçare, që luante nën hijen e një peme aty pranë. Në mbrëmje, ajo i tregoi të shoqit, duke iu lutur të bënte sikur s’dinte gjë për këtë rast, të cilin brigadieri mund ta mohonte.
Frani ishte atëherë njëzeteshtatë vjeç, djalë i qetë i matur dhe i fuqishëm. Tek prashiste misrin, ai mundohej të përzinte zhapinjtë dhe breshkat e vogla, për të mos i goditur padashur me shatin e tij fluturues nga shpejtësia me të cilën punonte.
Pas një jave, do të shkonin për ngushllim, te një fis i tyre në fshatin fqinj. Dila ishte pa qejf atë ditë dhe qëndroi te hieja bashkë me vajzën. Frani i bëri të dy normat vet dhe pasdite thirri brigadierin të merrte në dorëzim punën e kryer. Brigadier Pashuku, që ishte edhe sekretari i organizatës bazë të partisë, erdhi si gjithmonë, me pamjen e tij të rëndë e me pistoletën te vendi i dukshëm i ripit të mesit. I ra arës kryq e tërthor, duke i vringëlluar sytë herë pas here nga nusja nën hijen e dushkut. Në fund tha me ton autoritar:
– Nuk e keni ba punën me cilësi !
– Ku ka bimë të paprashitun e bar të pahequn? – e pyeti Frani me habi.
Brigadier Pashuku i tregoi ca tufa bari nën degët e një ferre, ku s’kishte asnjë rrënjë misri.
– Ja, nuk e keni prashitun mirë ! –ngulmoi ai, –Ju bani punë me hile, për me ia hedh kooperativës…
– E kemi ba punën si gjithë të tjerët, e mos ma mirë. –ngulmoi Frani i matur në përgjigjet.
Brigadier Pashuku hodhi sërish sytë nga hieja e dushkut dhe tha me ton të lartë që të dëgjohej në largësi:
-Mos e zgjat, ke me e prashitun për së dyti, se unë ta quaj edhe sabotim e të çoj, aty ku kam çue edhe të tjerë si ty!
Frani e kundroi brigadierin me sy të mprehtë.
-Jo, bre, jo, se ti nuk je partia e qeveria…
Brigadieri i hodhi një vështrim të pjerrët dhe nënqeshi me qesëndi.
-Partia e qeveria në këtë katund jam unë, e unë t’i baj letrat për në burg ty e kujtdo si ty!
-E tash mos don me m’i ba mue fare kot?…- shqeu sytë Frani me tendosje të brendshme.
-I kam gati, me të çue edhe ty ca vjet sa me u shtrue…- vijoi brigadieri me këmbënguljen e tij të paturpshme.
Frani e ndjeu veten të rrezikuar nga gatishmëria e ligë e këtij njeriu e i vrundulluan nervat
-Po çka don me ba tjetër ajo fytyra jote e keqe? – i shfryu duke turfulluar me urrejtjen që iu rrit si zjarri nga era.
Brigadier Pashuku u bë spec në fytyrë dhe instinktivisht mbështeti dorën te pistoleta.
-Pas letrave, kam me ta shkërdhye dhe atë të bukrën që ke aty nën hije! – i tha me guximin e armës në brez e me përbuzje kërcënuese.
Befas, Franit iu ngjit i gjithë gjaku i trupit në kokë e gati po i shpërthente truri si minë. Ai tentoi të frenonte stuhinë nervore duke menduar një çast pasojën, por tani asnjë lloj frike nuk mund të ndalte zemërimin e kobshëm të tij. U lëshua furishëm mbi të, e kapi për gryke dhe me grushta e shkelma shkallmues e shtriu përtokë. Dhe kur e pa që Pashuku çoi dorën te brezi, ia hoqi pistoletën nga këllëfi dhe u tërhoq mbrapsht për pak sekonda. Por në atë grimë kohe, me brigadierin e trullosur te këmbët dhe armën e tij në dorë, Frani dëgjoi brënda vetes një zë që i thoshte, se tani në burg se në burg kishte për të shkuar. Si mund ta linte Pashukun të gjallë e pas fustanit të Dilës, për të cilën ai i bëri presion të hapur… Atëherë nxori thikën me dy presa nga këllëfi, në xhepin e prapmë dhe ia hoqi kokën, siç kishte therur derrin e tharkut për dimër.
– Or Fran, ç’ka dreqin bane ashtu? –klithi e shoqja e tmerruar nga larg duke mbajtur të bijën, mos i rrëshqiste nga duart për të shkuar tek i ati.
-Atë që deshi me na e ba ai ne, ia nisa letrat për në atë botë ! –tha Frani dhe me kokën e Pashukut të kapur për flokësh u nis për te kanali, të lante gjakun e spërkatur në fytyrë.
Pasi u la, e u shkund mirë, gjeti një thes nitrati bosh dhe futi aty kokën e brigadierit. Mandej shkoi te hieja e dushkut, përqafoi të bijën e tmerruar dhe i tha së shoqes fytyrëprishur:
-Qëndro si burrneshë, oj Dilë! Paska kenë shkrue mos me jetue të qetë në punën tonë të paqme…Unë që s’kam vra nji zhapi, u detyrova me vra nji njeri…
-Po pse e vdiqe krejt, or Fran, – i tha e shoqja e zverdhur si kokërr limoni.
-Më tha fjalën ma të randë që mund t’i thuhet nji burri për gruan e vet.
-Uh, ça kena me hek prej vrasjes së tij!…- psherëtiu hidhur ajo.
-Burgu nuk ashtë për qentë, po për burrat. Rrit vajzën tonë e më prit, se kam me ardhë nji ditë të bardhë. – tha Frani dhe pasi e përqafoi gruan, mori thesin e u nis për në policinë e Lezhës, bashkë me kokën dhe pistoletën e brigadier Pashukut.
-Të gjitha shkallët e gjykimit e dënuan me pushkatim. -vijoi Bazi të tregojë ngjarjen e kriminelit Fran. –i fundit, Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ktheu me 25 vjet burg, për arsye, se Frani e kishte kryer krimin në kushtet e një tronditjeje të fortë psiqike…
Dhe ja, njëri nga rezervatet kryesorë të vendit, ku mbaheshin krijesat e egërsuara shqiptare, ishte burgu i rrethuar me tela i minierës së Batrës, në Martanesh të Burrelit. Aty midis maleve të lartë, ku gëlonin të izoluar në punë afro dymijë të dënuar, u çua të nxjerrë krom nga nëntoka metalifere edhe krimineli Fran.
Por vajtja e tij në atë vend, ishte si rënia e zhurmshme e një meteori të ndezur, i cili përveçse djeg vetveten, futet edhe thëllë nëntokës. Në ngjasim të çuditshëm me nëntë rrathët e ferrit të Dantes, edhe ferri i minierës së Batrës, kishte nëntë kate nëntokësorë. Krimineli Fran u çua pikërisht në katin e nëntë, për të punuar vagonist. Mirëpo i dënuari që kishte hequr një kokë njeriu nga supet, kishte mbi supet e veta një kokë, që nuk mund të përkulej kurrësesi në një punë të tillë. Frani deklaroi me zë të lartë para të gjithë autoriteteve të burgut:
-Jam dënue me burg, jo me punë për Enverin e Partinë e Pashukut!
Atëherë u dha urdhër t’i viheshin në duar hekurat gjermanë me flutur dhe për tetë orët e punës të lihej te dera e minierës, i lidhur me zinxhirë pas një shtylle. Në mënyrë që të zgjidhte më të pëlqyerën, mes zinxhirëve dhe vagonit nëntokësor. Shkopinjtë prej gome të policëve, shiu dhe bora filluan të binin pareshtur mbi atë kokën e tij më të fortë se metali i kromit, gjatë gjithë orëve të turnit të natës. Por mbi të gjitha duhej të duronte të ftohtit proverbial të Batrës, kur temperatura jashtë arrinte në dimër zbritjen rekord, njëzetekatër gradë nën zero. Dhe ai i duroi të gjitha, duke iu kundërvënë torturës me thirrjet bombastike: “Poshtë Enveri, Mehmeti, Kadriu, Çela!”. Duke kaluar kësisoj nga i dënuar për krim edhe në sferën e armiqve të politikës.
Por gjithësesi fitoi. Britmat e tij publike, ishin për komandantin e burgut më kompromentuese se qëndimi i lidhur pas shtyllës. Me urdhërin e tij, pas shtatë ditësh Frani u la i lirë të sillej pa punë brënda kampit. Ndërkohë komandanti lajmëroi eprorët e vet, se ky i burgosur paraqiste rrezikshmëri për arratisje dhe duhej hequr me urgjencë nga burgu i tij.
Kështu, me karakteristikat e qendisura bukur nga kampi nën qiell të hapur, krimineli Fran u çua në qelitë e thella të bodrumeve, tek i famshmi burg i sigurisë së lartë në Burrel të Matit.
Pasi kishte mbushur vitin në burgun e Burrelit, nuk u gjet me vend mbajtja e një krimineli në birucat e politikanëve. Frani vetëm mund të vriste njerëz, po nuk mund të arrinte kurrësesi në nivelin e rrezikshmërisë shoqërore të politikanit, i cili vriste regjimin. Dhe e çuan sërish në Batër. I njohur tashmë si “I tmerrshmi burgjeve” që nuk përtonte të të merrte shpirtin edhe për një fjalë goje, e lanë sërish pa punë. Të futej në galeri sa të shtynte kohën. Ky përjashtim në të gjithë kampet e të burgosurve, bëhej vetëm për të.
Një të ftohtë therësl, Fran Ndou hyri në turnin e tretë deri te dera e galerisë. Aty u ndezi sobat policëve, duke vënë poshtë qymyrit të drurit edhe qymyrguri. Madje edhe ushtarit roje te kabina jashtë telave i çoi një mangall me prush, për të përballuar të ftohtin e madh. Dhe kur pa se ata i kishte kapluar gjumi, u shtri në njërin nga vagonat e mbushur përgjysmë, te elektrovozi që doli jashtë pa u kontrolluar atë mesnatë të akullt.
Hapësira rretheqark ishte mbuluar me gjashtëdhjetë centimetra dëborë të ngrirë dhe temperatura kishte arritur kulmin e saj nën zero. Frani vrapoi gati fluturimthi për te Pisha e Batrës, ku ishte stacioni i autobuzit të punëtorëve. Qëllimi ishte kthyer në forcë e nxehtësi fizike, për të përballuar stërkëmbshat e akullit, thikat e erës dhe rengjet e errësirës. Por pas një ore, ai ishte futur gabimisht në një repart ushtarak zboristësh.
-Ndal, ku shkon ti aty! – thiri roja në errësirën e zbardhëlluar të borës.
-Jam sondist, m’u ka bllokue sonda, por paskam ngatërrue rrugën !…- shpjegoi Frani.
U kthye mbrapsht. Pas pak doli hëna dhe sipërfaqja e akullt filloi të shkëlqente si ujë argjendi. Më së fundi ai dalloi pikat orientuese dhe mori drejtimin e “Liqenit të Sopës”. Duke ecur i përkulur e pothuaj këmbadoras, nëpër trashësinë mbi një metër dëborë.
Ishte ora tre pas mesnate, kur ai me mjaft shkathësi e pa u ndjerë, hapi telat e rrezikshëm të klonit. Kaloi Drinin e ngrirë dhe në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit, doli në Shehër të Dibrës së Madhe. Doli bashkë me diellin dimëror që ndriçoi fytyrën e tij, ku filloi të rrezatohej gëzimi.
Më tej udhëtoi me autobuz për në Beograd, ku kërkoi strehim politik. Pas verifikimeve, që vërtetuan, se ishte dënuar nga sistemi komunist i Shqipërisë, ata shfaqën dëshirën të përcillej në Amerikë. Organet jugosllave, të gatshme për të shkarkuar nga vetja andrallat e strehimit aty, e nisën me fluturimin ajror, drejt hapësirave të pamata të lirisë përtej Atlantikut.
Pas zallamahisë që shkaktoi lajmërimi i Ministrisë së Brendëshme për thyerjen e kufirit, pas kalimit në gatishmërinë numër një të të gjithë reparteve të ushtrisë e policisë së rretheve të Veriut, pas numërimit disa herë një për një të të burgosurve dhe përcaktimit se kush ishte arratisur, ministri i brendshëm, i ardhur me urgjencë në Batër, shkarkoi katër policë dhe u dha vërejtje të rëndë të gjithë kuadrove kryesorë.
Bazi, që bënte pjesë në personelin e minierës dhe hynte shpesh në zyrën e komandantit të kampit, për të firmosur urdhërat e furnizimit me eksploziv, u bë kureshtar për një pliko me shumë vula postare të huaja, të ardhur ato ditë mbi tavolinë. Dhe komandanti ia dha letrën ta lexojë:
Zoti komandant,
Sot që po u shkruaj këtë letër jam në Amerikë, qyteti Nju York, lagjja Manhatan, klubi “Pranvera” tavolina numër shtatë. Me arratisjen time nga ai kamp i të burgosurve, shpëtova unë, shpëtove ti, shpëtuan edhe ata të tjerët që do kisha vra po të qëndroja aty. Në këtë vend të mbarë, me qeveri të mbarë, e me njerëz të mbarë, kam fillue edhe unë me u ba njeri i mbarë, siç isha në kohën kur, në katundin Zadrimë të rrethit të Lezhës në Shqipëri, nuk vrisja dot një zhapi e më pas ma shkallmuen shpirtin, aq sa me u ba krimineli numër nji.
Të fala shokëve të mi që vuajnë aty.
Fran Ndou

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s