Cikël poetik nga Gladiola Jorbus

 
Cikël poetik nga Gladiola Jorbus
 
 
Nënë – fëmija
 
Erëqumështa e dëlirë
Buzërubinta syshkruar.
Lumturia e pafund,
Përrallëza e patreguar.
                      Foshnjërisht ndriçon
                           Ti agimin e panyjëtuar.
                               Ti lulja mugulluese
                                   Ndjenjë e paprovuar.
Të vogël sa një grimcë
Më bën të ndihem ti.
Dhe Rozafë gjithashtu
Për të t’falur dashuri.
Tashmë mbeta dhe unë peng
e magjepsjes nënë – fëmijë.
Në brendinë e saj
Çdo grua .
Ruan pakëz
Shën Mëri.
 
 
Brengë e dashurisë
(Kushtuar Pushkinit)
 
Ti brengë e dashurisë
në zemrën e poetit.
Ngado përcjell dhembje,
dëshirë e melodi.
Me yjet më përqasen
vashat bukuroshe
që do të dashurohen
gjer në përjetësi.
Përmallshëm vijnë nga larg
ca pëshpërima fjalësh
që zemrat sfilitëse
nuk mund t’i shprehin dot.
Veç portë e dashurisë
qëndron gjithnjë e hapur…
me tinguj violine,
puthje, gaz e lot.
 
 
Kryqi yt
 
Çka fsheh brenda vetes
mund të jetë thesari –
ose kryqi yt më i madh.
Si një udhëtar i largët,
i veshur me petkun e distancës,
me galopin e zemrës në kraharor
dhe trishtimin e pafund,
për ëndrrat e së shkuarës…
Pasione, ndjesi, fytyra të harruara.
Ideale të zhveshura nga ngjyrat,
Të zhytyra në muzgun e e lodhur
Nga përmbytjet e shpirtit.
E kryqi mbi supe,
thesari i patreguar.
Të mbështjell me krahët e akullta
dhe pas fatit të ngjesh…
 
 
Drita e fëmijërisë
 
Parajsa e humbur
është një buzëqeshje,
Një lodër
               a një shtëpi.
Ikim larg për ta gjetur
Rikthehemi në fëmijëri.
 
 
Kissgoodbye
 
Më puthe në errësirë
Nata kundërmonte trishtim.
E zbehtë hën’ e lamtumirës
Në ndarjen e gjatë, pa kthim.
Unë, ti.
Të dy pa faj.
Era pëshpërinte
Kissgoodbye.
 
 
 
Në luginën e trëndafilave të egër
 
Në luginën e trëndafilave të egër
flladiten poezitë e pashkruara,
tundohen engjëjt dhe demonët.
As hëna, as dielli, as yjet
nuk ndriçojnë më shumë
se petalet shumëngjyrëshe
që përngjasin… me palimpsestet mesjetare.
Nuk gjen djepe gëzimi, as varre të trishta.
Qielli nuk është i cingërimtë.
Ëndrrat pikturohen në ajër.
Lotët shndërrohen në aroma të ëndshme.
Dhe koha ndal fluturimin e saj.
Në luginën e trëndafilave të egër.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s