Pier Paolo Pasolini
Kalendari poetik: Pier Paolo Pasolini (1922-1975)
Më 5 mars është data e lindjes së Pasolinit, poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar italian; njëri nga intelektualët italianë më të shquar të shek. XX; jo vetëm kaq, u shqua edhe në fusha të tjera, si piktor, gjuhëtar, përkthyes e eseist. U shqua sidomos për antikonformizmin e tij, mjaft shqetësues për të gjithë krahët e politikës; ishte nga të paktët artistë intelektualë që doli kundër rebelimeve studentore të vitit ’68 nxitur nga komunistët. Në një poezi të atyre ditëve shkruante mes të tjerash:
“Quando ieri a Valle Giulia avete fatto a botte
coi poliziotti,
io simpatizzavo coi poliziotti.”
Antikonformiste edhe poezia e Pasolinit. Sa mungojnë sot (dhe jo vetëm në Itali) intelektualë të kalibrit të Pasolinit!
Në përvjetorin e 99 të lindjes së tij sjell këtë shqipërim:
ITALIANËT
Mençuria s’ka për të gjetur vend ndonjëherë
në gjykimin e përgjithshëm të popullit tonë.
As nga gjaku derdhur kampeve s’ke për të nxjerrë
as edhe nga njëri prej shpirtrave milionë,
një gjykim të kthjellët, por edhe plot zemëratë:
si në jerm është çdo mendim, si në jerm çdo pasion,
i këtij populli tashmë krejt i mënjanuar
prej shekujsh, të cilit e kthjellta mençuri
i duhet sa për të jetuar, kurrë s’e ka lëshuar.
Të dal në ballë, kështu si jam, i pafuqishëm,
fare vetëm, me zërin prej fëmije të bërtas,
asnjë kuptim s’ka: frika u ka hyrë në palcë
kur shohin si vdesin në mënyrë të përbindëshme
të tjerët, mes një shpërfilljeje të çuditëshme.
Kjo gjë ma merr shpirtin dhe më vjen të plas.
© shqipëroi Maksim Rakipaj