Poezi nga Armenida Qyqja
MBI RRUGËN E VARGUT
Në telajon e nxirë, i heshtur derdhet loti,
Rrugën e vargut vizaton nëpër natë,
Mbi të, të shtrohet drita e yllit,
Mëngjesin të sjellë sërish mbi botë…
Të lindin shpresat dhe pse ëndrrat humbën,
Në terrin e makthit që frymën shtrëngon,
Në udhën e lotit të çelin prapë lule,
Nga puthje aromash të zgjohen qepallat e syve…
RRAHJEN E ZEMRËS NIS TEK TY
Retë m’i thinjën flokët me grinë e heshtjes,
Arrative pa fund…
Mote që ndërrohen mbi lëkurën e rreshkur,
E unë prapë mbeta udhëve,
Si shtegtar i plakur…
Se zemra nuk më bindet
E ngrihet mbi arsyet,
Dhe rrahjen mes drithmave nis tek ti,
Vetëtimë që digjet e shuhet nga dhimbjet,
Veten duke mbartur nëpër terr e shi…
Dhe bëj një dritë të sjell me syrin tim,
Në qiellin tënd të vrarë nga stuhitë,
Një fjalë, një shpresë të re t’u jap buzëve,
Dhe syve që më presin prapë të vij…
EJA, ME KRAHË TË BARDHË
U mbyll edhe një ditë në kraharorin tim,
Dhimbshëm, si krahët e një mjelme,
Kur bardhësinë ia nxin nata, e kokën ia ul…
Tulatet ajo, diku mes gjetheve,
Në pritje të së nesërmes…
E nesërmja ime, eja!
U mpinë krahët e ëndrrave
Nën këtë qiell të lagur pa yje…
Të kotë e kanë dritat e kullave,
Nga katet e tridhjeta më kot zgjatin kryet,
Nuk arrihen kurrë yjet,
E as zëvendësohen…
Eja e nesërmja ime!
Eja, me krahë të bardhë dashurie
Nga qielli i largët
Dhe puthmi lotët,
Ëndrrat lëshomi si dritë prej syve…