Alda Merini
Kalendari poetik: Lindur në ditën botërore të poezisë: Alda Merini
Alda Giuseppina Angela Merini u lind më 21 mars 1931 në Milano, ku edhe ndrroi jetë më 1 nëntor 2009. I ati, Nemo Merini, qe kont, por i përjashtuar nga trashëgimia sepse u martua me një fshatare(!). Alda filloi të botonte poezi në moshën 19 vjeçare; pas një viti, më 1951, me ndërhyrjen e poetëve Eugenio Montale dhe Maria Luisa Spaziani, botoi dy poezi në një antologji për poetët e viteve ‘900. Si pasojë e fëminisë dhe jetës së vështirë, filloi të vuante nga nervat (disturbo bipolare) me shtrime të herë pas hershme nëpër spitale psikiatrike; por nuk u dorëzua kurrë.
Fitoi disa çmime letrarë për poezitë dhe mbetet njëra nga poetet më të shquara italiane. Përzgjodha dy poezi, në standart dhe gegnishte për 90 vjetorin e lindjes së Saj:
KËNGË PËR HËNËN
Në fund të detit hëna rënkon,
o Zot, nga frika dridhet
prej këtyre gardheve mbi tokë
a prej këtyre vështrimeve të topitur
që nga terri ngrihen
dhe shpirtin e lënduar ia ngërthejnë.
Mbi Unin tonë hëna rëndon
dhe kur fundi pranë të vjen
kundërmimin e hënës ndjen
gjithnjë mbi shkurret e shkatërruara
nga duhì
e talljeve të fatit.
Unë arixhie jam lindur, një vend të caktuar gjëkund s’e kam,
por nën dritën e hënës, ndoshta,
do të qëndroj një çast
aq sa duhet të të jap
të vetmen puthje dashurie.
PËR SHNDETIN TAND, I DASHTUN
Venë, qi drit’ yjve u jep
e sytë m’i mbush me nji dill
qi kurrë s’prendon.
Në pijetore jam ulë
m’u dehë me até
qi këtu nuk e kam.
Ai jeton ndër zabelet me bar
të rinisë së vet
dhe shpateve të mi sytë nuk i hjedh,
por kur me venë të kuqe mbushem
përfytyrimi i tij tana gotat mbush
dhe zotat përgjumshëm mbeten.
© shqipëroi Maksim Rakipaj