Poezi nga Mirela Papuçiu

 
Poezi nga Mirela Papuçiu
 
 
SHILARËS
 
Milingona që baresin skajeve
të territoreve të tyre të ngushtë
jemi
Çfarë bëjmë lidh botë aq të largëta
sa njëri skaj i vetes dhe tjetri.
 
Nuk e di për ty, or mik,
por kjo punë është sfilitëse
Nuk do ishte shumë
nëse në këtë gjithnajë të vërtetash gjysmake
do kërkoja symbyllur buzët e gënjeshtrës sime,
t’ i përkëdhelja me mollëza të padukshme
( të mos shkrinin nga mendimet që flakërojnë)
e t’ ua thithja embëlsinë deri në rrëzë,
deri aty ku nis hidhësia.
 
Po këtë pikë, këtë pikë nuk e gjej dot,
ndaj kolovarem në një shilarës
që mbahet në fije të perit.
 
 
LULE DORËHEQJESH
 
Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm
përse në stacionet e jetës
gjen gra për të cilat ndalojnë vetëm trena mallrash
e ato mbeten pasagjerë të klasit të parë.
 
Ka Marie që lindin në grazhde,
ua pastrojnë kofshët me një grusht varfëri
(se dhe uji është i shtrenjte ndonjëherë!)
e përsëri, mbi ball u vizllijnë kurora
me lule të egra dorëheqjesh.
 
Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm
përse rrobat e zeza të nënës sime
valviten si flamur i tokave të humbura
të sigurive të rinisë,
e përsëri, shtëpia e vjetër është festival
sa herë ia shtyj portën angullitëse.
 
Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm
se si arrin t’ i mbash ditët e frikura të burrit
vetëm me buzëqeshjen tënde të thyer.
 
 
PENG
 
në murin e dhomës
pa kasë a xham
dritarja e përkohëshme
që përsëritet çdo natë
fashë drite pa gjumë
përherë nga e njëjta anë
përherë e njëjta.

One thought on “Poezi nga Mirela Papuçiu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s