Poezi nga Petraq Risto
NERVOZIZËM
Ndonjëherë lëviz duart në ajër, gërvisht qiellin me plagë pëllumbash
Shumica mendojnë: flas me vete në përpjekjet për të fluturuar.
Ajri nga joshja më bëhet mollë në duar.
Ndonjëherë bërtas buzë oqeanit, albatrosë e pulëbardha për të hutuar
Po ato s’e njohin mallin e shtegtarit, u duket britma ime
Sirena SOS e anijes mbi shpirtin e trazuar.
Kthehem në shtëpi me një thërrime loti në sy
Me një mollë ajri në duar.
***
Mos u shiko natën në pasqyrë: vijnë dhe të marrin të ikurit
Vijnë me kaproj të shpejtë mbi akullin e përjetshëm
Mos u shiko natën në pasqyrë.
Kujdesu për veten si akacia në pranverë
Mos e lë breshërin të ikë nga pasqyra e akacia të vdesë në rrudhat e tua
Mos u shiko natën në pasqyrë, mos vuaj….
Do ti lë hapur të gjitha dritat, për ty gjithë natën do rri zgjuar
Mos u shiko natën te pasqyra, shikomë mua…
Veç nga sytë e mij nuk vijnë të ikurit për të lënduar.
Brooklyn, 1 nëntor 2012
Kori i të çmendurve:
Zog, pse mallkon civilizimin e foleve të fshehura në degët pa gjethe
Cicërima jote më bren gjer në eshtër, një pendëz e jotja – termometër ethesh
me sytë e veckël: binjakë prej breshëri – mbi një qefin të verdhë tretesh.
Zog: cullufe e vockël në kokë vjeshte
harrakat në Republikën e të Çmendurve..