POEZIA – DASHURIDHIMBJE QË FLET NË TË GJITHA GJUHËT E BOTËS… ( Poezi nga autorë të përzgjedhur) / Përgatiti Iliriana Sulkuqi

 
Iliriana Sulkuqi
 
 
NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË POEZISË
POEZIA – DASHURIDHIMBJE QË FLET NË TË GJITHA GJUHËT E BOTËS…
 
Mike dhe Miq, poetë dhe lexues!
Poezia nuk i shton jetën Poetëve, por bën të PAVDEKSHME Veten e Sajë, nëse e shkruajmë me frymë për të gjitha Dashuritë që mbështjellin Botën.
E gëzofshim dhe e festofshim sëbashku, mike dhe miq!
“Një poet është një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur…”.
(Søren Aabye Kierkegaard -5 maj 1813 – 11 nëntor 1855- filozof, teolog, poet, kritik shoqëror …)
{ Mike dhe miq, poetë apo lexues, unë te komentet do postoj poezi nga miqtë e mi poetë, bëjeni edhe ju këtë. Mund të postoni një poezi tuajën ose ( lexuesit), poezi nga poetët që kanë për zemër. Mundësisht, lirikë dashurie. Poezitë e këtushme do të na bëjmë sëbashku në një libër që do ta kemi para syve në maj…Faleminderit, për respektin ndaj vetes, Poezisë, Poetëve!
Poezia nuk i takon vetëm një Dite Simbolike. Për Poetin, të gjitha ditët kanë emrin e sajë, me të gjitha dhimbjet e jetës, me të gjitha dashuritë…)
Falenderim dhe Mirënjohje për të gjithë miqtë tanë botues për respektin dhe vlerësimin që i kanë bërë Poetëve të të gjitha kohërave dhe kombeve, duke i botuar që nga formate librash, deri në faqet e gazetave, Revistave letrare, etj..
-Ilirianë juaj- Sot e përgjithmonë…
 
 
Agron Shele –
 
Ti më fole…!
 
Ti me fole për ëndrra të bardha
për ato vegime që unë s’ mund ti shoh,
por që zbresin nga kanatet e qiellit
e veshur janë në një vezullim,
shkrirë në re të gjitha
sikur bulëzimet e shiut
që shformësojne njëlloj si vera në gotë
e unë që pi këtë turbullirë
të ngelem përjetë zbrazëtisë.
 
Pastaj ti më rrëfeve për botën,
si shfaqet ajo në magji
pasqyrë e një Eve në kopshtin e Edenit
dhe një Adami që kthehet në vdekshmëri
e tëra në një mollë të kafshuar
tokës bërë fli
gazit të kthyer në përvuajtje,
me të vetmen buzëqeshje në fytyrë,
të një çasti që shkon si vetëtimë
dhe një paqeje që kthen në pluhur.
 
Kur ti më fole për dashurinë
hapat e mi ndaluan,
se e dija që portat e qiellit do hapeshin
e në to do shfaqej një Venus,
ajo ndjenjë flakëronjëse që ndez kandilin e shpirtit
dhe Hënën e rrëzon në tokë,
mbi të lashtat fëshfërima të largëta,
oshëtimës së jehonës jetë
 
 
 
Aqif Hysa –
 
* * *
Poezia ime për ty, domethënë poezia jote
shkruhet përditë e nga një tingull, përditë
e nga një rrokje, përditë e nga një fjalë.
Nëse do të bëhet ndonjëherë një varg i plotë
që t’i ngjajë ditës së parë të jetës, të qarës
a të qeshurës së parë a belbëzimit të parë
do te jetë sepse unë të kërkoj , të thërras
e të krijoj si dritën, si tehun e saj të brishtë
a supin e hajthëm të një ëndrre në ëndërrim
forma ime e paformë në një kohë të pakohë
 
Dashuri është të thuash atë që s’thuhet
atë që dielli, përshembull, jo gjithnjë ia thotë
pëllëmbës së gjethes që e ndjek si në ekstazë
në pëllëmbë të qiellit, si në pëllëmbë të gjethes
përditë skalis tingujt, rrokjet, fjalët
gjithçka nga ti, gjithçka për ty, gjithçka në ty…
 
 
Sonte më prit
 
Pritmë sonte, e dashur, para se erërat të flenë
e qerpikët e yjeve të shkundin pluhur të artë
askush s’do trokasë. Këmishën e tejdukshme të ajrit
mos e kopsit
si përnatë
 
se unë s’do të hyj nga dera, as nga dritarja, as
nga hapësira që syri yt mund të rrokë në ajri
kur të ndjesh fërgëllimën nga rrathët e padukshëm
mos i hap sytë
brenda vetes rri
 
nuk ka gishta ajri, as flatra zoti s’ka, ai krijohet
brenda rrethit të fundit si brengë, si lot, si domosdoshmëri
do të puth gjithçka nga brenda, si zot i porsakrijuar
ti pritmë sonte
nesërmbrëma përsëri…
 
 
 
Iliaz Bobaj –
 
VENDI BOSH
 
Tek unë ka mbetur një vend bosh,
një vend që vetëm unë e di,
i fshehur, strukur në një qoshk,
ka mbetur siç e ke lënë ti.
 
Aty s’ka hyrje, ndënjie, dalje,
as ikje s’ka, se s’mund të ketë,
është bosh si gjithë boshësitë,
po kurrsesi një vend i shkretë.
 
E mbush me praninë e saj,
mungesa jote cak më cak,
rrugicave të tij, i lodhur,
gulçon ky malli im idhnak.
 
Ca fjalë, që rrinë përherë të ngrohta,
sikur i puth vala e zjarrit,
drithmojnë si një këngë zogu,
që pret në mes pushkë e gjahtarit.
 
Gjithçka s’është tjetër, veç mungesë
dhe rron si një mosqenësi,
qënka e thënë, aty ku s’je,
të mbetesh në përjetësi.
 
Tek unë përherë një vend rri bosh,
një vend që vetëm unë e di,
i fshehur, strukur në një qoshk,
s’e zë kush tjetër, se je ti.
 
KJO VJESHTË E ARTË ERDHI PËR TY
 
Mbërriti prapë piktorja vjeshtë,
nëpër rrugicën ku vjen ti,
gjethe të arta shtroi në shesh,
që ti të shkelësh mbi flori.
 
Në veshjen tënde pranverore,
në lulëri mbuluar krejt,
harlisen ca gjethe të njoma,
si sfidë e plotë për këtë vjeshtë.
 
Ti ecën nëpër ritme takash,
përmbi gjethnajën e florinjtë,
tastierë e tokës, në çdo prekje
të hapit tënd, pikon muzikë.
 
Dëshirat ndezin ca vështrime,
ku toka lehtas ta puth këmbën,
dikush i merr notat e trokut
dhe kompozon me to një ëndërr.
 
Dhe keni ardhur që të dyja,
ti edhe vjeshta në një kohë,
vjeshta që të sundojë natyrën,
ndërsa ti vjeshtën të sundosh.
 
Por gjithsesi kjo stinë e hijshme,
ku syri bie në dalldi,
ka ardhur enkas kaq e artë,
që ti të shkelësh mbi flori.
 
 
 
Nexhip Ejupi –
 
Eh, qershi, qershia ime
 
Eh qershi qershia ime,
Miturakja fëminore,
Seç m’i çele ca kujtime
Porsi lulet bardhullore!
 
Te ti vija hera-herës,
Shoqe moj e vogëlisë.
Ti më ishe këngë e erës,
Kënga e parë e dashirusë.
 
Vera-verës ti më qeshje,
Më kuqloje kalaveshë
Sa të doja sa më deshje,
Kur mi varje, përmbi veshë!
 
Por një ditë u rrit çunaku,
Të mërzitur seç të la
Iku larg e larg nga praku
E mes lotësh gjë s’të tha.
 
Nëpër libra e leksione,
Nëpër mjekra filozofësh,
Ngrinte ura përmbi hone,
Trembte ëndrra prej gallofësh.
 
Veç për ty e merrte malli
Miturakja çapkënore.
Si në ethe i digjej balli
për ca lule bardhullore…
 
Eh, qershi, qershia e verës,
Mike moj, e vogëlisë!
Ti më ishe kënga e erës,
Kënga e parë e dashurisë…
 
2000-2006
 
 
 
Sokrat Habilaj –
 
TË DASHUROSH NJË POET
 
Tek ty, unë nuk vij fillikat, asnjëherë,
Po vij si dy imazhe, endur mbi çarçaf.
Ndoshta ndihesh keq, s’jam si të tjerë,
E lutu po deshe:-Mos më merr në qafë!
 
Të duash një poet, lodhje, vetëm lodhje,
Sa shfaqet engjëll, puthesh me gënjeshtra.
Ndërsa ti me mua, pate fat kur zgjodhe,
Nopran sa nuk thuhet, në jetë e në rreshta.
 
Dhe sërish në vargje, ty të dukem i huaj,
Se sheh dhe një tjetër që të bën të qash.
Të tundon inati? Si unë, nisë e shkruajë,
E merr hak tek mua, me imazhe grash!
 
Dua të vi vetëm, po mundohem më kotë,
S’mund të them një fjalë, fshehur nga ai.
Dhe sikur të doje, më të mirë s’gjeje dot,
Unë të kam të vetme, ti bën…tradhti.
 
 
 
Veri Talushllari – 
 
MË THUAJ…
(E shkruar ne Ditën e Shën Valentinit)
 
Me ç’lule ta bëj
Buqetën tënde?
Është shkurt
Po s’ka shkurt nga rruga të më kthejë.
Me tërfil me katër fletë?
Në formë zemre?
Dhe nën borë do t’kërkoj
E do t’i gjej!
Është shkurt,
Po dhe gusht a nëntor po te ishte,
Do t’i gjeja!
E t’i mblidhja si n’pranverë!
Kjo buqetë
Kaq e blertë,
E çuditshme,
Drejt mbi zemrën tënde
Le të bjerë.
 
2017
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s