EDHE UNË E VESHA MJEGULLËN E HOLLË… (Shënime për librin poetik të Kristo Çipës) / Nga: Dr. Bardhyl Maliqi

 
 
EDHE UNË E VESHA MJEGULLËN E HOLLË…
Shënime për librin poetik të Kristo Çipës
 
Kristo Çipa, edhe unë e vesha mjegullën e hollë, e bëra këmishë për vete dhe fëmijët e mi dhe vërejta se kjo këmishë u rrinte bukur! Me dhjetëra herë e kisha parë mjegullën që mbulonte Pilurin, kur shkoja apo kur kthehesha nga Vlora, por erdhi edhe dita që shkova në Pilur, hëngra bukën e tij dhe piva ujë gurrash dhe natyrisht rakinë e rrushit gjysmë të egër, laraman e kokërrfortë bashkë me aromat e fushës së Vanovës bashkë me erën e malit të Çikës, të vaskove dhe të sherebelës.
Katër librat poetikë të Timo Mërkurit me këngë të mbledhura në krahinën e Himarës i kam lexuar qysh në përgatitje dhe goditjen e parë estetik për këngën isopolifonike piluriote e kam pasur me kohë. I kisha lexuar poezitë e Timos e të Aleksandër Çipës, kisha vërejtur modernitetin e mjeteve shprehëse, motivet e larmishme, aktualitetin e teksteve, madhështinë e ideve dhe humanizmin e mesazheve. Kisha njohur dhe autorë tekstesh si ato të Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të kombit Lefter Çipës, kisha dëgjuar këngë me tekste polifonike të Kristo Çipës, këngëtar virtuoz e Mjeshtër i Madh, por nuk e dija se ishte edhe poet, mjegullhollë e namusqar.
Në poezitë e librit të tij të katërt më bënë përshtypje së pari hapësira dhe koha, që evokojnë këto motive. Janë bërë këngë për tokën, për këngët e kurbetit e brengat e mërgimtarëve, për barin e për lulet, për gurët e lotit, por dhe për figura të dashura historike, për Skënderbeun e Ismail Qemalin, për pleqtë e plakat të mbetura vetëm në fshat si kërcunj të thinjur, për djemtë emigrantë, për nuset e vashat belholla. Por dihet që bërthamat rrezatojnë, një rrezatim i tillë vjen përmes poezisë Gjeniu gjirokastrit apo Zambaku i Paramithisë. Koha e kësaj krijimtarie vjen nga antikiteti me mitet e tij deri tek problemet e Shqipërisë së sotme. Nga gjaku me dritësime tek shenjtëria e thjeshtësisë.
Edhe motivet e Çamërisë e të çamërishtes nuk janë të huaja për Kristo Çipën. E bukura është se e fillon qysh në kryeherë me dedikimin e librit kur më shkruan se ja kushtoj birit të Çamërisë dhe çamërishtes të mallkuar nga priftërinjtë, por të bekuar nga Perëndia. Këtë e kam lexuar së pari tek Naim Frashëri, që duket se më thotë mua “Eni vjen prej Çamërie, / me një gluhë Perëndie”? Por te “Zambaku i Paramithisë” në të vërtetë ai iu përkushtohet vajzave çame. E pyeta një herë se nga i vinte kjo qasje dhe më tha se a e di ti që kemi dhënë e kemi marrë nuse te njeri-tjetri? Në të vërtetë unë e dija. Nusja e vëllait të shokut tim është çame, ndërsa nusja e kushëririt tim është piluriote. Kur ishte djali i vogël i thoshte pilulake dhe ne qeshnim me lot.
 
 
 
Kristo Çipa
 
Ja si i drejtohet ai vajzës çame, që vinte vetëtimë si lumi kur del nga prita, e bukur dhe e ftohtë, që brenda pusit të mërive di të mbajë ndezur kandilin: “Zambak i Parmithisë, / hapja shtegun dashurisë. / Vjen si erë e t’i puth sytë / flet me gjiret nën këmishë. // Bashkë me erën do vij vetë, / të ndajmë diellin nga retë. /Të hap zemrën fletë-fletë, /kokën ta vë mbi gërshetë.”{ fq.109}
Por për vlerësimin e këtij libri shumëfunksional, pasi të jep kënaqësinë e leximit, të këngës isopolifonike, pasi një pjesë e tij janë tekste këngësh, por edhe kënaqësinë e debatit do t’i referohesha këngës së parë, them këngës, pasi ajo është melodioze në vetvete edhe pa u kënduar. Titulli shpreh dhimbje: “Toka ime e dëshpëruar”. Dëshpërimi i tokës së Pilurit në të vërtetë i përket viteve të para pas luftës së dytë botërore, kohë kur shumë familje piluriote u detyruan të migronin në Sarandë, Vlorë e Tiranë. Nëse më parë kishte mundësira emigrimi në kushtet e diktaturës së proletariatit kjo u ndërpre, siç u pre për 40 vjet edhe migrimi, deri sa erdhën vitet e demokracisë. Ku emigrimi dhe imigrimi u liberalizuan. Por mungesa e djeshme u khye në mërzi të sotme. Në Pilur tani ka vetëm pleq dhe plaka. Pra u tejkalua pritshmëria, duke sjellë një ekstrem tjetër. Atë të moskthimit, të zhbërjes së fshatit Pilur. Kjo i dhemb tej mase secilit prej nesh, por më tepër Kristo Çipës, ky është dëshpërimi tragjik i tokës së tij: “Emigrimi rrjedh si venë / edhe zogjtë e lanë folenë / ca yje të rrallë që qenë /në qelq të qiellit u prenë.”
Është kohë e çuditshme, nata rri e nuk e njeh mëngjesin, ditët janë njëngjyrëshe, mjegull dhe shi, pra vetë gri dëshpëruese “Mitet penduar po vdesin”, ndërsa jeta për ditë e shkurtohet më tepër, shkon e shtrëngon mesin. Kështu edhe titulli i filmit humoristik grek “Thanas, shtrëngo rripin” duket sikur merr kuptim serioz. Pyetja që shtrohet është shumë serioze. Mos vallë largimi i mjerimit ekonomik ka një kosto të jashtëzakonshme: robërimin e trupit dhe të shpirtit?! Shqiptarë me fat tragjik të mbetur pa atdhe! Brezat shpirtpushtuar po mohojë vetveten. “Këndej hiq e andej vuaj, / në të dy anët të huaj”. Ky është fati tragjik i shqiptarëve të sotëm. U ngjet atyre që përshkruan Fishta në vitet ’30 të shekullit të kaluar që idealet i kishin në kuletë. Kjo i shpjegon të gjitha të këqijat e sotme: emigrimi masiv, korrupsioni i pushtetarëve, droga, trafiku i armëve dhe i qenieve njerëzore.
Pleq të vetmuar, të mbetur si hijet e maleve të djeshme, që rrojnë me mallin e fëmijëve të vajtur jashtë dhe presin ta marrin dheun mbi supe e të shkojnë në rrugën pa kthim. Kjo më kujton ditën kur u nisa për në Vlorë, por takimi i anuluar më gjeti në Himarë dhe do të kisha përfunduar në Pilur, por atje kishte një vdekje dhe shpallja e Timo Mërkurit, që më ftoi të rrija në veprimtari bashkë me Kriston se ishte dita kur ai shpallej: “Nderi i Himarës”. Por i vdekuri duhet të priste i pavarrosur ardhjen e fëmijëve nga emogracioni. Unë pata një dhëmbje tragjike, mbase se pilurotët e mundshëm për takimin e Timos nuk erdhën, pasi duhej bërë ceremonia e varrimit. Timua ka shkuar një jetë duke mbledhur e duke studiuar isopolifoninë bashkë me Lefterin dhe Kiston. Dhjetëra vajza, gra dhe burra piluriotë e kanë kënduar atë nëpër festivale, koncerte, por edhe sipas rastit. Kjo është një qasje shpirtërore që s’ka nevojë për grumbullime apo urdhra, ajo vjen vetë. E të mos vinte vetë nuk shkonte dot deri në UNESKO që të bëhej thesar i trashëgimisë botërore!
 
 
 

Nga: Dr. Bardhyl Maliqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s