Czesław Miłosz
Kalendari poetik: Czesław Miłosz (1911-2004)
30 qershori është dita e lindjes së poetit dhe eseistit polak Czesław Miłosz; fitues i çmimit Nobel në vitin 1980 me motivacionin: “…me largpamësi dhe pa kompromis ka paraqitur gjendjen e njeriut në një botë konfliktesh të ashpra.”
Në të njëjtin vit, punëtorët grevistë të lëvizjes Solidarność, gdhendën vargjet e tij në bazën e përmendores ngritur në përkujtim të puntorëve të vrarë nga policia komuniste polake, Përkrahu haptaz lëvizjen Solidarność, njeri dhe poet i vërtetë. Ja një poezi e tij në shqip për miqtë e mi në 111 vjetorin e lindjes së nobelistit të shquar polak:
PËR ENGËJT
Ju hoqën veshjen e bardhë,
Flatrat, madjé dhe jetën.
Megjithatë, ju besoj si lajmëtarë.
Atje ku bota përmbys është kthyer,
Si stof i rëndë, me yje dhe kafshë qëndisur.
Shqyrtoj shëtitjet tuaja dhe pikat e qepjes së këtij stofi.
I shkurtër qëndrimi juaj këtu,
Ndoshta herët në mëngjez, nëse qielli është i kthjellët.
Në këngën përhershme të një zogu,
A në kundërmimin e mollëve në mbrëmje
Kur drita pemëtoret të magjishme i bën.
Thonë se, dikush ju ka shpikur,
Por për këtë nuk jam i bindur.
Sepse njerëzit kanë shpikur edhe vetveten.
Zëri – është një provë, pa dyshim.
Sepse i përket qënieve me mend, padyshim.
Të lehtë, me flatra (pse jo?)
Qarkuar me rrufe.
E kam dëgjuar shpesh këtë zë në ëndërr
Dhe ç’është më e çuditshme
Kuptoja pak a shumë se ç’thoshin,
Si ftesë në një gjuhë hyjnore:
Është herët.
Edhe një ditë.
Pastaj bëj ç’të duash.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply