Jorge Debravo
Kalendari poetik: Jorge Debravo (1938 – 1967)
Poet i shquar nga Kosta Rika, sot, më 31 janar, do të mbushte 85. U lind në një familje të varfër, shkrim e këndim mësoi në shtëpi nga e ëma, më pas u rregjistrua në shkollë drejt e në klasën e pestë. Filloi të shkruante poezi qysh në moshë të re, shumë prej atyre poezive botoheshin në një revistë vendore letrare që quhej “El Turrialbeño”. Shkollën e mesme e mbaroi natën, në vitin 1967 priste të fillonte universitetin, por nuk mundi…
U dashurua dhe u martua 21 vjeç; shumë shpejt pati një vajzë dhe një djalë. Vdiq pa mbushur ende 29 vjeç, në një aksident rrugor, një shofer i dehur e përplasi për tokë ndërsa shkonte me motoçikletën e sapoblerë.
31 janari, dita e lindjes së tij, kremtohet në Kosta Rika si Dita Kombtare e Poezisë. Ja përzgjedhja ime sot:
LEHTËSI
Sot jeta ime s’ka fare peshë:
është erë, më pak se erë, më pak
se një rreze drite.
Sot të gjithë i pëlqej.
Mëri tokësore
s’ka në shpirtin tim.
Gjaku im është një këngë e kuqe e gjallë.
Jam në paqe me prushin e freskinë,
me zërin e ëmbël dhe atë hakmarrës.
Më duket sikur duart s’i kam, sikur
trupi ndër ujra pafajsie pluskon.
Si erë e lakuriqtë zemra ime lëkundet
e bën ëmbëlsisht të kumbojnë këmbanat.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply