RROGOZHINA NË RRJEDHAT E HISTORISË
… Krahina është bërthama e Atdheut…Nga kjo bërthamë, lind më vonë koncepti historik dhe filozofik i Atdheut. Pa një përgjërim ndaj fshatit, qytetit dhe krahinës, është vështirë të jetë e plotë dashuria për atdheun…
Dritëro Agolli
Me këtë citat të Dritëro Agollit e fillon librin e tij historik “RROGOZHINA NË RRJEDHAT E HISTORISË”, shkrimtari e historiani Rifat Refat Sh Hoxha , autor i sa librave në poezi, prozë, bibliografi e historikë të zonave të Kavajës e shkollave të rrethit.
Është kënaqësi kur e sheh veten pjesë e historikut të zonës sate, përkrah shumë personalitete e e figurave të nderuara të qytetit.
Një qëmtim i imtësishëm gjeografik, kulturor e etnografik i qytetit të Rrogozhinës, ku për herë të parë del në burimet e shkruara më 1431 e deri më sot. Autori pjesë pas pjese paraqet zhvillimin e qytetit sipas etapave historike duke paraqitur në mënyrë interesante të gjithë aktivitetin jetësor e industrial të qytetit, që nga lashtësia e gjer në ditët e sotme. Historia e një qyteti të vogël, ndoshta qyteti më mikpritës në Shqipëri, që barti në gjirin e tij pesë etni ( komuniteti çam, grek, vlleh,rom e egjiptian),e bashkëjetoi këndshëm me ta, duke ndarë mirësisht respektin e miqësinë e bukur.
Interesant fakti, që sipas studimeve e gjetjeve arkeologjike është hedhur hipoteza, se në trevën e Rrogozhinës kanë ekzistuar dy qytetet ilire Bojusen dhe Sesaret. Kjo dëshmon për origjinën e lashtë të qytetit e të trevave të zonave përreth.
Autori në mënyrë të detajuar përshkruan shtrirjen gjeografike të fiseve ilire BOJUSEN(me shtrirje gjeografike nga Bishti i Zhurit e deri te Sopet e Luzit) dhe fisit SESARET, të cilët përkojnë me shekujt VII- VI para Krishtit me shtrirje që nga kurrizi kodrinor i Shkëmbit të Kavajës e deri në luginën e Rrushtës, mespërmes së cilës kalonte një degë e Rrugës Egnatia. Kjo degë vinte nga veriu, devijonte në Pezën e Vogël, përshkonte luginën e Pezës, kalonte rrëzë Sesaretit dhe dilte në fshatin Karinë të Peqinit, ku bashkohej me Rrugën Egnatia që vinte nga Durrësi drejt Kostandinopojës.
Qendra e qytetit shtrihej në pllajën e Bastresë( rreth 20 ha), që dikur përfshinte fshatrat e sotëm Thartor e Rrostej e më tutje, të cilët më vonë u përfshinë në Federatën Taulante(sipas dëshmive të autorëve antikë).
Nuk mungojnë detajet për:
– Zonat – rrethina të Rrogozhinës(pjesë e Bashkisë Rrogozhinë).
– Zonat arkeologjike të qytetit e përreth.
– Ngjarjet historike që kanë shoqëruar qytetin gjatë gjithë zhvillimit të saj.
– Periudha para LANÇ-it.
-Periudha gjatë luftës.
– Qyteti si qendër urbane pas çlirimit.
– Komunitetet si bashkëjetesë e qytetit.
– Shëndetësia, bujqësia, arsimi me figurat përkatëse.
– Arti, kultura, sporti me figurat përkatëse.
I sponsorizuar nga “Djemtë e Rrogozhinës në Toskana, Itali”, me moton: “Rrogozhina në zemrat tona”( sipas autorit një moto shpirti e një busull orientuese), për të mos harruar kurrë vendlindjen e tyre, Rrogozhinën e tyre të dashur, ata u mblodhën dhe vendosën që të ishin sponsorë të këtij libri si një” pasaportë folëse” për Rrogozhinën, për historinë e saj, për njerëzit e saj.
Këta djem emigrantë, me dashurinë e madhe për qytetin e tyre, kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për qytetin, që nga dhurimi i dy autoambulancave, financimi i KF”Egnatia”, sponsorizimi i librit sportiv KF “Egnatia Nderi i Rrogozhinës”, shkruar nga gazetari sportiv kavajas Fatmir Efica, dhurimi i fanellave sportive për tifozat rrogozhinas, financimi për libra nga autorë të qytetit si dhuratë për shkollat e bashkisë Rrogozhinë e deri në ditët e rënda të Pandemisë Cov-19, duke ndihmuar familjet rrogozhinase në nevojë ekonomike e në vazhdim me projektet e tyre.
Po cilët janë “Djemtë e Rrogozhinës në Toskana, Itali?
Ata janë:
Naim Doda, Ferdi Avdiu , Qemal Topalli e Shkëlqim Rusta.
Sponsorizimit të librit iu bashkuan edhe rrogozhinas të tjerë që jetojnë e punojnë në Itali: Nexhat Balliu, Namir Dedej, Flamur Shima e vëllezërit Agim e Saimir Doda si dhe të tjerë që banojnë në Amerikë: vëllezërit Agim e Nimet Muçaj ( Filadelfia SHBA),
Albert Deda (Micigan),
Destan Doda (New Jersey),
Emin Alliu (New Jersey).
Rrogozhinës nuk i ka munguar arti, kultura e sporti, nuk i ka munguar bujaria e dashamirësia dhe këta janë qytetarët e saj, të cilët e duan vendlindjen dhe e bëjnë të pavdekshme me veprat e tyre.

Nga: Behare Daja Kasa




























Leave a Reply