Poezi nga Kadrush Radogoshi
TESTAMENTI I NJË POETI REBEL
Asnjë kohë nuk është e mirë për të vdekur,
Megjithatë, kur t’ia lë lamtumirën kësaj bote,
Nuk dua të më vrisni përsëri
Siç më keni vrarë gjithë jetën,
Ditë për ditë e natë për natë
Edhe pse s’ishte kohë për të vdekur.
Asnjë kohë nuk është e mirë për të vdekur
Megjithatë kur të ik i lemerisur nga kjo botë,
Nuk dua të mbani ceremoni mortore,
Nuk dua kurora lulesh plastike
As tufa lulesh të freskëta,
Ju duar të ndotura të politikës,
Ju qenie të veshura me rroba hipokrizie,
Ju avokatë të djallit e të birit,
Ju poetët e veshur me zhele fjalësh,
Ju intelektualë, që keni vrarë dijen,
Kur s’ishte koha për të vdekur!
Deri në çastin e fundit të kësaj jete,
Gjeografi e dhimbjeve e pikëllimit,
Zemrën do ta kem të mbushur me dashuri.
Në atë çast dashuria do të shndërrohet
Në ajër të freskët për të mbushur mushkëritë,
Në ujë të kristaltë burimi që ta shuani etjen tuaj shkretinore,
Në ylberin shtatë ngjyrësh të ëndrrave njerëzore.
Nëse doni të më nderoni mos u frikësoni nga lartësitë
Ngjituni në majën e bjeshkës më të lartë
Pasi ta keni kaluar tërë luginën e lumit me lëng bore
E valë kryengritëse,
Pasi të keni pirë ujë e ta keni pastruar brendinë tuaj.
Në majën e bjeshkës merrni frymë thellë-thellë
Dhe kuptoni se ajri që thithni jam unë
Siç isha edhe uji që pitë më parë.
Nëse doni të takoni shpirtin tim
Shikoni ylberin me shtatë ngjyra
E shtatëdhjetë e shtatë nuanca,
Duke qëndruar mbi luginën e lumit si urë
Me këmbëza të mbështetura mbi majat e bjeshkëve.
Asnjë kohë nuk është e mirë për të vdekur!
KËMISHË E QEPUR PREJ ZJARRI
QENKA LËKURA E GRUAS
Lëkura e gruas në ëndrrën e çmendur të poetit
Është këmishë prej zjarri,
Është këmishë e bukur prej flake
E veshur në acarin e dimrave polarë
Në atë trup selvie askund të parë.
Lëkura e kësaj gruaje është këmishë e butë pambuku
Po e preke me gishtat e dëshirës si hapësirë universi
Mbushur me planetë, që kanë për dashnor besnik
Nga një satelit rrotullues rreth boshtit të vet
Kësaj gruaje të veshur me lëkurën e vet këmishë e butë pambuku.
Lëkura e gruas së ëndrrës sime të djegur flakë,
Në një luftë të padrejtë dhe asnjëherë të shpallur legalisht
Në emër të një paqeje, që vetëm paqe s’është
Në emër të një lirie, që vetëm liri s’është
Në mesin e një pandemie apo lufte biologjie
Dreqi nuk e merr vesh,
Është sipërfaqe e valëzuar e oqeanit,
Ku shuhet zjarri që nuk shuhet,
Ku ndizet zjarri që nuk ndizet,
E tëra është çështje e kënd vështrimit.
Lëkura e gruas ëndërr pranverore
Mund të jetë kopsht lulesh të gatshme për shpërthim në aromë,
Mund të jetë arë buke e gatshme për t’u mbjellë,
Mund të jetë shpat bjeshke i dizajnuar
Me pisha të kuqe, me pisha të bardha, me pisha të zeza
Me pisha që e kanë mësuar artin e ndriçimit të lozonjares dashuri.
Mund të jetë këmishë e dizajnuar me vargje të rimuara
Me vargje të lira si shpendët në fluturim,
Mund të jetë roman dashurie në kohë pandemie,
Mund të jetë tragjikomendi në kohë politikomanie,
Prandaj gjatë leximit duhet hapur me kujdes
Portat e çdo fjale e të çdo tingulli
Se mund të lëndohet e të ikën e pa kuptuar
Si shumë herë.
Lëkura e gruas mund të jetë edhe altar i përjetshëm,
Ku ëndrrat njerëzore i dërgojnë puthjet e tyre të purpurta,
Ku historianët do ta shkruajnë një version tjetër historie,
Një version, që nuk fillon me togfjalëshin shterp “Na ishte njëherë…”
Këmishë e qepur prej zjarrit të shenjtë
Qenka lëkura e gruas në ëndrrën e çmendur të poetit!




























Leave a Reply