Poezi nga Sahit F. Osmani
QË ZEMRA TË MOS VUAJ NGA MËKATI I DASHURISË
Ti je stina dhe koha e dashurisë
Fat që troket në çdo zemër
E fshehtë dhe e hapur, fuqi e mistershme
Që ndërthur të mirën dhe largon të keqen.
E brishtë dhe e dashur në udhëtimin fisnik
Në ashpërsinë e jetês, syth i blertë në kopsht
Turbullirë e ndjenjave për jetën dhe vdekjen
Thikë e lyer me mjaltë e farkëtuar në akull
Gjendje e katandisur nga nevoja në një vend tjetër.
Jetës i jep frymë ,shpirtit i jep dritë
Që zemra të mos vuaj nga mëkati i dashurisë.
HARMONIZONTE NGJYRAT NË KRAHËT E YLBERIT
Dashurinë e zhveshur në pyllin vjeshtor
Zemrimi i ngricave e shponte me gjemba
Durimshëm e priste blerimin pranveror
T’ia mbulonte trupin petku i endur nga zemra.
Rrezatimi diellor zbret sipër pyllit
E josh me ngrohtësi të dalë me fluturim dallëndyshe
Ajo e mbështetur në ëndërrimin lumturues
Harmonizonte ngjyrat në krahët e ylberit.
ME LULET E PRANVERËS I LARGOJNË GJEMBAT E DIMRIT
Zogjtë s’i ndërtojnë foletë
Si merimangat rrjetat
Degëve të pemëve cicërimat
E mbushin pyllin e jetës
Me lulet e pranverës
I largojnë gjembat e dimrit
Sipër pyllit fluturojnë
Në ajër të pastër drejt qiellit
Gjithçka rreth e rrotull tyre
Është lumturuese,- dhe
Dielli me vështrim vezullues
Kullon në petalet e luleve!




























Leave a Reply