Poezi nga Sinan Vaka
TRËNDAFILI
Moj, formë e vjedhur nga idetë hyjnore,
i falem shpresës.
Shikoj vyshkjen tënde, vyshkem edhe vetë,
kur çelin mëngjesit margaritarët e vesës.
Unë vjedh aromën, si i dehur nëpër fletë.
Kush ? Kush nuk është skllavi yt !
Kur kanalet e limfës ndezin hijeshinë, metaforën,
ndjej zhurmë hapash në koridoret e shpirtit
dhe dehem e në delir joshem me kurorën .
NJERIU I SHENJTËRUAR
Zemra e tij, e bën më të bukur dhe të vyer jetën,
sepse buzëqesh kur qajnë e duron kur e qeshin .
Fal zemrën që s’ka dashur, madje për të vërtetën,
dëgjon violinat e vajshme dhe kur shpirtrat heshtin.
Zotit i pëshpërit altareve faleminderit që jetoj?
Edhe kur natyrë çmenduraku shfaq nga mërzia.
Kinse : ” Zoti im po më vret, jam unë që shpëtoj,
me bindje, shpresën e kam te ty, pra tek perëndia .
Në këtë tokë, padrejtësia ndrin si tym i helmët
hijen e vdekjes e mbajnë pezull djalli , qeveria ketu.
Ashtu,siç pret në det varka hapësirës së njelmët
ashtu pa besim, jam i pambrojtur pa shenjt e Hy .
Jeni ju pasqyra e trishtimit dhe gëzimit tim!
Jetoj shpirtërisht, si shoku i zogut me thërrime …
Më qëllojnë në zemër ! S’më kursejnë në mjerrim .
Nuk privohem edhe po s’besova nga shenjtërimet.
PO ÇEL LULJA E OBORRIT
Krah njëri tjetrit bredhim nëpër jetë,
sa shpesh ndjen lodhje pragu i shtëpisë.
Ne hyr dhe dil me vitet qetë qetë,
veç vitet marrin vrapin arratisë .
Dhe sot po rastësisht më pe në sy
dhe unë porsi sedra e dashnorit,
më the o shpirt varrezat janë aty,
të thashë po çel lulja e oborrit .
TRAMONTI
Njeriu…
Njeriu që në mëngjes ndërton djepin
Njeriu që dëshiron të padëshirshmet
Njeriu që shpesh pyet dhe vdes në dyshime
Njeriu që në mbrëmje mbyll siparin
Njeriu …
Ç’rëndësi ka dita me gëzime!
Kur nesër fshihet e prishet ?
Krimbi i harresës e gërryen ndër vite.
Asgjë nuk kthehet, asgjë nuk përsëritet
vetëm shtigjet e mbushura
me gjurmë trishtimi dhe fatesh .
Por…nëpër ngjyrat e reve me flakëza perëndimi
Unë gjithmonë përqas eternen ,
prandaj kërkoj tinguj shpirti edhe tramontit të verës
dhe këshilloj mendjen, kurrë të mos përqajë…
Ndoshta i tillë jam te kjo foto verore
duke qeshur me ty ëngjëlli im .




























Leave a Reply