Poezi nga Shazim Mehmeti
PASQYRË E NATËS…
Pasqyrë e natës,
ç’më shfaq sa një krimb?!
Ç’më bën pasqyrë,
ç’më bën, ç’më vogëlon?!
Prishu, thehu, ndalo, pasqyrë!
Ndalo edhe ti mendje e ndyrë!
Ndaloni dhe ju sy!
Injoranca s’ka sy!
Natë ka injoranca!
Vet nata ka natë!
Oh, në natën e natës
mendja, shpirti m’humb!
Vargu më ndotet, më bëhet pis!
Hullive të mesnatës,
zoçkat e zjarrit shumohen,
ushujza bëhen,
epshojnë, lëvrijnë, gëlojnë!
Sqeparët krimbërohen,
kthizash përflaken,
prishen, prishen, derdhen!
Gjithçka përndotet,
gjithçka përndotet,
lëviz, ndryshon!
Veç hana, rri e njëjtë, e njëjtë!
Veç hana atje lart
nusëron e ftohtë,
e pafajshme, e ngrirë!
Veç hana,
vetmisht vetmon n’paanë!
Veç hana mbetet hanë!…




























Leave a Reply