Poezi nga Fejzi Murati
E VËRTET E FRIKSHME
Ngarkuar e gjithë kjo kohë me halle,
me ëndrra shterpë,
me plagë,
me të përbuzur,
ngarkuar me krime makabre.
Mbushur me vrasës që s’njohin pendesë,
mbushur me aborte,
me shpifje,
me varre,
mbyllur mes horizontesh të errët pa shpresë.
Nuk e prisnim të na vinte kështu jeta,
ku e vërteta ka frikë nga e vërteta!
ZILIQARIT
E njoh portretin tënd i dashur ziliqar,
buzëqeshje diellore i jep cilitdo që takon.
Por sapo largohesh prej tij merr pamjen e vërtetë
që zezonën e shpirtin tënd të zi pasqyron.
Për cilindo që ka suksese në punë a në jetë
pëshpërit me të njohurit dhe ndyn gjithçka,
i mohon me indiferencë të moderuari çdo vlerë
meritat ia kthen në antivlera, “me shaka”.
Gjithë natën përpëlitesh e torturohesh në shtrat;
cilit mund t’i vësh një stërkëmbësh, ta rrëzosh,
me sy të enjtur t’i pëshpëritësh diçka shefit nesër
t’i bësh qejfin, kushedi diçka të përfitosh.
Mjeran, ti asnjëherë nuk ke se si ta dish,
më shumë se të tjerët, veten shkatërron.
Me helmin që të lëviz natë e ditë në vena,
ngadalë degradohesh, shpirtin tënd helmon.
SHTËPIA IME NË FSHAT…
Sa shumë desha ta shihja edhe një herë
vatrën ku linda dhe shkova fëmijërinë,
mes mallit dhe lodhjes renda drejt fshatit
po se gjeta që se gjeta dot shtëpinë!?
Me “dashuri” bashkëfshatarët e mi të nderuar
kishin marrë tjegullat, dritare e dyer
e kishin lenë pa prag, pa mure, pa themele
truallin e kishin punuar, në arë e kishin kthyer.
Dëgjova shpirtin që rënkoi trishtueshëm
i ulur në vendin ku dikur ish pragu, ish shtëpia
fëmijërinë e mbuloi mjegulla e viteve të shkuara,
si pelerinë e zezë më mbuloi vetmia.
Po më mbytnin lotët, s’kish më tinguj kënge
kishin vdekur ninullat kënduar nga nëna!
Malli për shtëpinë m’u kthye në dhimbje
si në shkretëtirë ishin tretur ëndrrat.
U nisa mes lotësh me këmbët zvarrë,
duke lenë pas shpine dashurinë e vrarë.
Vatra që më lindi, ishte kthyer në varr!




























Leave a Reply