Poezi nga Myrteza Mara
IKËN PËLLUMBAT
Se ç’po qajnë zogjtë për këngë,
Se ç’u thanë pemët për zogj
Se ç’u zverdh shpirti në brengë
Se ç’u mbytën sytë në lotë!
Se ç’u dogj buza për buzë,
Se ç’u mpi vala në breg.
Se ç’u bënë kaq zemra gurë
Se ç’u thanë lulet për vesë.
Se ç’u prenë në mes ëndrrat,
Se ç’u thinjë Ati më shumë
Se ç’u veshën me natë Nënat
Se ç’u ul kënga në gjunjë!
Si s’u lodh kjo toke nga varret,
Qiejt po nxihen nga plumbat
Se ç’u veshën për mort malet
Ikën… e s’po vijnë pëllumbat!
FLAS ME NJË PORTRET
Mbaje zemrën time si shami për valle
Beje shtizë flamuri, ndiz me të dhe zjarre
Është zemër poeti, gjak prej vetëtime
Troku që jehonë vjen nga zemra ime.
Unë rrita një ëndërr, ushqeva një shpresë
Dhe i falem Zotit, më dhuroi dy jetë.
Më fali një qiell, më ndriçoi udhën
Më dha diell shpirti, prushëroi muzën.
Gjithë këngët e mia kanë emrin e saj
Brohoras i lumtur dhe më vjen të qaj
Janë lotët e mallit për kohën e humbur
Janë lotët e zjarrit për magjinë e bukur.
Shikoj një portet, end dhe një dëshirë
Shpirti më kullon, bëhet si rrëshirë
Dhe të flas në emër, ti veç buzëqesh
Të them më je shpirt, të kam edhe jetë.
Ti më fton me heshtje, më je bërë fat
Melodin e fjalëve e ke bërë si grackë
S’më vure në prove, jam gurë me rrënjë
Di të qaj bukur, di t’këndoj dhe këngë.
Di, oh, çfarë nuk di, për ty di aq shumë
Di që vdes për ty, di që s’bëj dot gjumë
Di se të kam dritë, në varg të kam rimë
Në aortë të zemrës më je si violinë.
Di që të kam jetë, shpirt, zemër të quaj
Di që vdes për ty, di edhe që vuaj
Di se do të të dua sa të kem frymë
Veç me emrin tënd thërras dashurinë!
…
Unë ta fala zemrën, ta fala dhe jetën
Nuk besoj në qiell, besoj të vërtetën
Eh, moj mikja ime, ndiz vargun e këngës
Sa të shkon vallja, si shami një zemër.
NËSE NJË DITË
Nëse një ditë do t’më kërkoni mua,
Mos u lodhni kot në librin e adresave;
Hapni librat, lexoni çfarë kam shkruar,
Kujdes u lutem, edhe midis rreshtave!
Do të gjeni oaze nëpër shkretëtirë,
Edhe shkretëtira pa ujin e shpresës;
Saharaja e gjerë me akuj të ngrirë,
Mbi pole lëndina, zukatjet e bletës.
Do gjeni pishtarë në errësirën e ditës
Dhe copa dite si andra mbi natë;
Krifa luanësh që dridhen prej frikës,
Lepuj nobelistë me ballin lartë!…
Diku do të ketë dhe lule pa erë,
Fruta që s’njohën kurrë vjeshtë;
Shpellave të shpirtit do gjeni pranverë,
Rrugë të përgjumura pa asnjë kthesë.
Pemë me psherëtima e gonxhe zemrash,
Ylbere të zbehur nga smogu i intrigës;
Si qelqe të thyera plot eshtra këngësh,
Vargje gjumëndjellëse në gojën e shtrigës.
Aty dhe bilbili në sqep të korbit,
Zogu “mëkatar” ardhur nga parajsa;
Klithma të rimbytura në lotin e globit,
Dollitë me fund që rrëkëllenë nata.
Do gjeni, o njerëz, edhe zjarr buze,
Pse, s’i jetuam ne vitet racion?
Puthje të lyera me mjaltë muze,
Ishim mbretër, çka se pa fron.
Ne uleshim përherë pranë Zotit,
Atje ia caktuan vendin poetit,
Dhe që nga qielli në diell të lotit,
Pamë me dhimbje plagët e planetit.
S’më doli koha t’i thosha të gjitha,
(Ah, puset e shpirtit s’u bënë fontanë!)
Se nata e ftohtë më e gjatë se dita,
Ditën që linda gjithë ditët m’i vranë.
***
Nëse një ditë do pyesni për mua,
Mos u lodhni kot në librin e adresave;
Portretin e kam në vargjet e shkruar,
Fjalët e pathëna këtu, midis rreshtave.
VENDOSA
Po e gris kontratën me të vërtetën,
ajo qenka gënjeshtra më e madhe
Këtë e zbuloj tani, në muzgun e jetës
më parë hidhesha në njëmijë zjarre.
Ktheva kokën nëpër gjurmët e viteve
asnjë qiri i ndezur, vetëm errësirë
Më parë na thoshnin se vitet që digjen
do jenë e ardhmja juaj më e mirë!
U dogjën vitet, nuk ka mbetur as hi,
ku shkuan premtimet e së vërtetës?!
Dhamë vitet e bukur, s’morëm dashuri
paskemi firmosur fletët e gënjeshtrës.
Prandaj do e gris këtë kontratë
s’më duhet më për vitet që do vijnë
Tani koha do ketë më shumë natë
dhe ajri dhe drita do të jenë të mpirë.
Vendosa:
S’do besoj të vërtetën e gënjeshtër
që na mësuan ta shihnim në ëndërr.
Tani firmosa kontratë tjetër,
vetëm me dashurit e mëdha të zemrës.




























Leave a Reply