NËPËR RRESHTAT E LIBRIT TË POETES MAJLINDA SHAQIRI
(Rreth vëllimit poetik “ZËRI IM, PËR TY MEDVEGJË”
Nëpërmjet poezisë poeti shpreh ndjenjat e veta me një gjuhë artistike, një sensacion duke arritur të krijojë një botë me vete edhe pse rri thellësisht e lidhur me atë reale. Ngjarje, përjetime, dukuri që kanë qenë pjesë e jetës së poetes shfaqen shumë fuqishëm me anë të gjuhës artistike të cilat autorja e librit Zëri im për ty Medvegjë i ka shprehur më së mirë në përmbajtjen e tij: si ato informative dhe ato emocionale.
Kjo autore ka përdorur të gjithë intelektin e saj me një gjuhë origjinale duke krijuar një ansambël fjalësh në dispozicion të lexuesit.
Majinda Shaqiri, hyn tek autorët modern e cila nuk është kujdesur shumë për rimën, po për sakralitetin që vetëvete poezia përmban, për forcën emocionuese të poezisë së saj, për tregimtarin, për mesazhin që lexohet në çdo varg të këtij libri dhe që vjen para lexuesit si një thirrje për të qenë pjesë e atij mendimi që sillet e risillet për vendlindjen.
Duke lexuar librin e poetes son të talentuar Linda Shaqiri ndjen një drithmë shpirti tek kalon nga njëri varg në tjetrin. Risia e këtij libri e veçantë nga librat e tjerë është jo vetëm për tonin patriotik, por mbi të gjitha na përcjell një mesazh shumë të fortë atë të mos harresës, të egzistencës së trojeve shqiptare edhe pse në duart e dikujt tjetër, të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, trojeve më antike të Ballkanit dhe atyre shqiptare.
Në poezinë e parë “Medvegjë” shkruan “I them lapsit “ dhe menjëherë më bien ndërmend fjalët e nënë Terezës “ Dua të jem një laps në duart e Zotit” kurse Linda e trasformon këtë laps i jep forcë, i përgjërohet lapsit të përshkruajë saktë atë që zemra e saj përjeton për vendlindjen Medvegjen e mbështjellë me tisin e historisë, por dhe me dhimbjen e frikën se ato toka po braktisen e po tjetërsohen ku me një ton mëmësor ku gati si përshpëritje sikur i këndon një ninullë fëmijëve në djep thotë: “ Mos e lërë të ikë/ mos e lërë të qajë/mos i mbyll sytë para grushtit me zjarr, se do ju mallkojë një ditë/ loti Shqiptar.
Shohim shumë shqetësim në poezinë “Jam Dardan” liria e vendlisjes së saj është e burgosur, jo nga malet e larta por nga njerëz që pa asnjë lloj të drejte vendosën mbi fatin e njerëzve duke i kthyer në skllavër modern. .Autorja e përshkruan shumë bukur, kur thotë: Nuk është se tani ra një ortek i madh, një luftë e përgjakshme, por fatkeqesisht çdo ditë nga pak, në dukje pak gjethe, por që bien përditë duke e baltosur e fshehur, këtë pjesë Dardane të Ilirisë jo vetëm nga sytë e botës por dhe nga sytë tanë.
Shpërthen me një grusht të fortë që bën të dridhen dhe malet, tek poezia tjetër “Jam Dardan” duke thënë : “ Mblidhi fëmijët Iliri rreth prehërit tënd , se ka ardhur koha si dikur, që nën një “Lis” e një “Flamur” nën një gjuhë dhe një komb të bashkohen motra me vëllain. Autorja me këtë shpreh : “Ka ardhur dita o sot o kurrë. Mos të presim më!

MAJLINDA SHAQIRI
Tek poezia “Guri i Oxhakut” na kujton të gjithëve neve “Oxhakun” aty ku bëhen kuvendet e një familje, aty ku bëlbëzohen fjalët e para shqip , aty ku është shkolla e parë, aty ku trashëgohet kultura, ku zgjidhen prijsat të mos harrojmë, por të kujtojmë shpesh sidomos të rinjve : “ Nëpër kohë të kesh kaluar / kudo ku je shkuar / Kujto gurin e oxhakut/ aty ku je në vendin e huaj”.
Në poezinë “Atyre që vrasin tokën e vet” duket sikur ka vendosur shpirtin e saj në një brengë të pafundme, sepse si bijë të asaj toke martire s’po gjindet forca të ringjallin ose më mirë të mbajnë premtimin drejt asaj toke që i ushqeu e i rriti , por që sot është lënë në harresë. Ashtu si Kostandini të ngrihemi nga varri për të mbajtur amanetin e të parëve, kudo ku jemi, për ato vende ku fjala e parë thuhet shqip.
Krenaria e të qënit Ilir duket në vjershën “ Iliri”. Poezia e saj është shkruar shumë kohë më parë se të gjendej Pllaka Dardane e Shkupit, por kjo poezi është pararendëse e asaj që bota për të satën herë me fakte këto ditë u njoh rishtazi me trojet Dardane kur në rrethinat e Shkupit nëntoka nxori dokumentet. Një klithmë e poetes kur thotë : “ Më quajnë të pa shtëpi”edhe pse unë jam gjaku jot o Iliri, e unë do shtoja se dhe pllakat e varreve kanë të shkruara se tokat e tjetërsuara, të vërtetat e tjetërsuara janë vetëm “Ilire”.
“Diçka e falur nuk merret” dhe që nga ajo kohë kanë kaluar 76 vjet thotë në mënyrë ironike bija e Medvegjës tek” Molla e kuqe”, kur Titoja i dhuroj Serbisë këto troje i pakënaqur nga coptimet e 1912-13.
Autorja ka thënë qartë: “Toka e dikujt tjetër është kollaj të falet të shitet”, por ato toka askush përveç shqiptarisë nuk do i gëzoje se aty edhe një grusht dhe pikon gjak.
Nuk dua të heq kuriozitetin e lexuesit që do e marrin në dorë këtë libër, por vargu i përdorur në poezinë e poetes Majlinda Shaqiri duket sikur ritmi i një kënge herë i ngadaltë, kur tregon historinë dhe herë shpejtë kur vargu copëtohet e thërret. Figurat retorike të përdoruara nga autorja lujanë muzikën e poezisë së saj.
Autorja ia ka arritur të kombinojë format duke transmetuar kënaqësi tek lexuesi herë mallëngjyese, herë intelektuale herë imagjinuese.
Tematika e këtij libri është atdhedashuria, autorja ka ditur nëpërmjet fjalëve të zgjedhura, ka menduar jo vetëm për domethënien, por dhe për pushtetin shoqërues dhe shprehinë e një sentimenti.
Ky libër është shkruar në një moment historik në të cilën po kalon kombi, por dhe bota mbarë.
I urojmë autores suksese sepse poezia e saj nuk ka vetëm një pjesë lexuesish të përzgjedhur, por është një libër familjar, poezi që mund të mësohen e lexohen në shkolla, është një libër historik, por pse jo dhe një pjesë e së ardhmes sepse asnjëherë autorja nuk ndalet duke përcjellë shpresën për një të nesërme ndryshe!
Nusha Zhuba, Doktore në teori e kërkim shoqëror
Romë, 20 Mars 2023




























Leave a Reply