Poezi nga Enertin Dheskali
KUJTOHU SA TE DESHA
..Përtej oqeaneve të dhimbjes më treti heshtja,
Më ktheu në dallgë, e pastaj sërish në rè,
Ndaj kur të përmallesh e të lotosh për mua,
Kujtohu sa të desha, e më thirr në heshtje…
PËRGJYSËM DUA T’I NDAJ SEKONDAT
Përgjysëm dua t’i ndaj sekondat me ty,
Dhe zemrat në një rrahje dua t’i çoj,
Të trokasin portave të universit,
Duke kërkuar përjetësinë e një ndjenje,
Që i ngjan një vullkani të çmendur,
Me llavë pasioni shpërndarë nëpër endje…
Në vargjet e mia ngrihet e ardhmja,
Veshur me kurorën e puthjeve,
Që në vështrimin tënd ka bëre folenë.
Në thellësitë e shpirtit drithëron dashuria,
Si një zogth i vogël që këndon agimeve,
E që mes buzëve të tua më zgjon…
Përgjysëm dua t’i ndaj sekondat me ty,
E me petale ndjenjash ta mbush këtë hon…
SOT JAM NJË FËMIJË
Sot jam një fëmijë i vogël,
I sapodalë nga ëndrra e një gjumi të çmendur,
Mbushur me klithma vitesh,
I rrëzuar e sakatosur gurëve të dhimbjes,
I trembur nga nata e gjatë.
U zgjova dhe kërkova në errësirë,
Zërin tënd, portën time të qetësisë,
Ashtu si një foshnjë kërkon zërin e nënës,
Për t’i mposhtur frikërat.
Sot unë jam vetëm një fëmijë,
Që të kërkon ty, si udhëtari i shkretëtirës,
Kërkon në qiell yllin e mëngjesit,
Netëve të mbushura me stuhi rëre.
Sot jam vetëm një fëmijë,
I rikthyer kopshteve të pafajësisë,
Fytyra jote më qëndron mbi sy,
E unë të kërkoj i përhumbur,
Siç kërkon motaku mbi krevatin e tij,
Lodrën e dashur.
Sot jam vetëm një fëmijë,
Po pres puthjen tënde mbi buzë,
Për tu rritur…
NË FRYMËN TËNDE JAM SHKRIRË
Po shkoj… si erë… Si fllad ndjenjash mbirë,
Ajrit të natës që freskon ëndrrat blu,
S’të ndjek dot më, ndaj po të le të lirë,
Pas po të nis mbi buzë, një puthje flu…
Aq sa te desha, veç zoti dhe shpirti im e di,
Shpirti që pas teje ortekë vargjesh krijoi,
Që në sytë e tu, aq herë vdiq dhe rilindi,
Shpirti që mes cunamesh dhimbjeje humbi.
Po shkoj… Si ëndërr që tretet ngadalë,
Si një puthje që mbetet në lëkurë,
Më doje vallë? Tani po të le të lirë…
Veç, tashmë në frymën tënde jam shkrirë…




























Leave a Reply