Poezi nga Mexhid Mehmeti
NËNËS
(E shkruar dhjetë vjet
pas ikjes në amshim)
yjet paskan zbritur nga qielli
për t’u larë në sytë e tu
nënë
dielli paska braktisur vendin
të shikohet në fytyrën tënde
si në pasqyrë
nënë
ylberi paska derdhur
magjinë e ngjyrave
në kujtesën time
për ta shkruar
fjalën n ë n ë
AKUAREL NË SHI
(apo PREMTIM i çuditshëm)
do ta bëjmë shtëpinë në ajër
midis resh diku në pyllin qiellor
do të ecim yjesh me kujdes
të mos shafitemi n’dysheme uji e ajri
akulli nën këmbët tona
do të jetë tmerrësisht rrëshqitës
atje do të flasim do të këndojmë e do të qajmë
qetë ngadalë ngulfatshëm
nga zhumhur i brishtë të mos na plasë kulmi
nuk do të prekim fare njëri-tjetrin
ndjenjash të mos na lëndohen zemrat
do të ngremë shtëpi në ajër e dashur
si askush tjetër
do të kemi shtëpinë në eter
do të fshihemi në mal ere
do të duhemi llugave t’padukshme
me ndezje gjethesh kristali
do të digjemi së brendshmi
si dëshirë e parë e si afsh i mbramë
në kthim e sipër në gjysmërrugë
do të ecim majë gishtash
kujdesshëm dorë për dore
do të bisedojmë heshturazi për hiçgjë
në distancë përkatëse pa dyshim
do të shëtisim gëzueshëm
nëpër oborrin e shtëpisë sonë
në atë pjesë të mahnitshme qiellore
dhe përsëri do të jemi
si gjithë të tjerët
hije të rënduara të vetvetes
hesht tash
fli shpejt e gjumë të ëmbël
nuk është lehtë jo
në ajër të vësh themele ëndrrash
(Poezi fituese e çmimit kryesor “Fadil Bekteshi” në Orën e madhe letrare të edicionit XXXI të Takimeve të Karadakut në Kumanovë)
RRËMUJË
fushëtirave me cikma
dehur me erëmollë
mbushur qesheqarje
shpejt do bëhet rrëmujë
do luhen
valle popullore
tango
vals
aramara
rrëmbyer
egërshanë
do luhet
edhe bit
rep
majmunçe
do të këndohen
dhembshëm
dhembjet pa dhembje
do t’i buzëqeshet
pa nevojë
bukurillahtarive
mëmëdheut fatpadalë
duke rrufitur
me fund
dehëset gota të shfrenimit.
për ta joshur
të bohemtën pranverë
shumë shpejt
do të bëhet
kijamet
rrëmujë e vërtetë
në shpirtin tim
e tuajin
në atë festë të luleme
do të bien
daulle tulipanësh
do të bëhet
dasmë burbujtare
për lulebalsamën time
të paharruar
mënyrë më të mirë
për të ikur nga vetja
tok me vetëveten
veç të qarës me llokë
nuk gjeta
dhe…
vështirë se do të gjeni edhe ju
në këtë rrëmujë
të trishtë




























Leave a Reply