Cikël poetik nga Marjeta Shatro Rrapaj
BRAKTISJE
Si endacake
ëndrrash në erë,
robinjë vetmie,
robinjë dashurie.
Kur hëna
nis braktis yjet,
qielli zbeh
rrjetën e magjisë.
Natën e trishtuar
mban në kurriz.
NIHILISTE
Trupërisht me shoqërinë,
shpirtërisht larg saj, jashtë,
përjashtuese e hijes së modernitetit,
të zymtë, të shpërfytyruar,
krejt topitës,
në kadencë unike, çliruese
shokon çdo qenie…
ARSYETIMI
Arsyeja, kjo forcë udhëheqëse,
drejtuese e veprimit,
dhe ndërgjegjes së njeriut,
ku shikimi ynë sundon përtej realitetit,
përtej së tashmes.
Zotërojmë kompleksitetin e jetës,
përballë jetës konkrete
zhvillojmë edhe atë abstrakte,
përmes meditimit,
vëzhgues të tërhequr në reflektime,
ku herë bëjmë rolin e aktorit
e herë të spektatorit.
Për lumturinë e paqes së brendshme
e të qetësisë shpirtërore
si e mira supreme,
ku shpesh vuajtja na vjen nga dëshira për të pasur,
e mospasja që shkakton dhimbje,
ku shpresa e pritshmërisë ushqen dëshirën,
e paarritshmja nuk na lë të qetë
e papritur lind dhimbja nga ajo
që presim e ajo që na jepet.
Kur na shtypin dhimbjet,
përndizemi nga inati
kuptojmë se nuk e njohim sa duhet jetën
fati na e pengon vullnetin,
por duhet lartësuar mbi lëngatat e vuajtjet,
falë privilegjit të arsyetimit.
MISTERI I GJUHËS LEHONIKE
Në kureshtjen pa fjalë
të vështrimeve vjedhëse
me pyetje të përfytyruara,
të pathëna natyrisht.
Edhe përgjigjet e tilla,
të ndrojtura me pezëm të fshehur
pas buzëqeshjes së lodhur
për një lindje të re poetike.
Përlotur mallëngjyeshëm
e zbukuruar për rikthim
të ëndrrave të hershme
të hoplitëve të antikitetit
në përsiatje për përshpirtje…
Po a do të ketë vallë rikthim
të pikëzuar yjesh malli!
SEDËR E FYER
E pakuptueshme shkëputja
me rënien e muzgut të trishtueshëm,
me rënien e maskave,
premtimeve e tempujve.
Po a do të ketë vallë rikthim
të pikëzuar yjesh malli
për butësi të pafund me ndjesi
në kapërcim të vetvetes
nën simbolikën e lirisë së pafre,
ku pavdekshmëria paguhet
me përjashtim nga gjithçka?!
PUTHJA
Është dëshirë e ethshme, patologjike,
lindur bashkë me njeriun,
që nga thithja e gjirit
për ngritje jete nga ujë burimi.
Ka puthje buzësh, sysh, lëkure e shpirti
me asosiacione të dridhshme të ëmbla
në transportim mendimi
me intensitet ndjenje, hovi, frymëzimi.
Ku nën tingujt e kohës ngjizen enigma
për endje të lumturuara deri në dehje,
ku suspansi bëhet i detyruar
para ndjesive të ëndërrta.
Tjetërsojnë frymëmarrjet e thella
para bukurive të pafundme.
RRETHUAR PREJ VETES
Rrethuar prej vetvetes
në vetminë e madhe,
ku çdokush pret
të ndodhë e pabesueshmja.
Frikësuar nga kureshtja e tepërt
të mos prishet mrekullia,
shohim zbrazëtinë e brendshme
rrezatuar te çdo intello e kohës.
E pamundura ndalon depërtimin
nën maskat misterioze,
jetët mpiksen gjithë kërshëri
përndjellin kumte të heshtura.
Fillimet e një bote mahnitëse
në përjetësi…
EKILIPS ZEMRE
Mendohem,
hutohem,
trishtohem,
për çastet e ikura në harrim.
Por zemra nuk plaket,
ndizet,
digjet,
përgjërohet për dashurinë.
NDRYSHE…
Kujtimet flasin heshtur
brigjeve të vetmisë,
valët e harresës ikin e vijnë
duke i gërryer pa reshtur.
Në kryqëzim takimesh, përqafimesh
shkumëzojnë mijëra fjalë
fshehur qetësisë së përjetësisë,
honeve relative të përkohshmërisë.
Tërheq zvarr trishtimin e pafjalë…!
PRANVERË
Pranverë që i fshehet vetes.
Prej qerpikëve të syve në lulëzim
pikon vesa e ëndrrave të prillit
rrjedh faqeve të trëndafilta.
Njom buzët e etura prej natës
dehur prej puhizës së shpirtit,
e padukshmja shpërndan grimca misteri
në ajër ndihet aromë lulesh.
Jeta në ekzaltim përtejreve
Qielli i tejdukshëm shndërrohet,
si stina që harbohet me drithërima,
përkulet drita mbi bukuri ëndërrore.
Filizi i frymëzimit rritet mbi pllajat e mendimit,
nën ritmin e përjetimeve ndryshe
të përthithjes së formave të blerimit
për të dalë jashtë lëkurës,
prej gjirit të butë të tokës,
ku fryma e delirit për jetën bëhet muzë,
pafundësisht e bukur
në krahët e pasionit hipnotik tjetërsohet.
Sundon magjepsjen e heshtjes
si reflektim i ndjenjës së zjarrtë
nën shoqërinë e fjalëve të shpirtit.
QETËSI MITIKE
Akullnaja në kokën e saj,
thërrmohet, shkrin dalëngadalë,
pikon bulëza uji pikë-pikë,
në pritje të diellit në agim.
Bulëzim gjaku në çdo qelizë
nisje të këngës së mijëra emocioneve
në të adhuruarën paqe të lirisë,
për fluturim qiellor, vezullim të përjetshëm.
Dashuria me ekzistencën,
për diellëzim e përndritje,
ripërtërije të jetës në qetësi mitike,
fjalë hipnotizuese e ngashënjyese.
Përtej mendimit e kohës, përtej dhimbjes,
pa frikë, pa varësi, pa mbizotërim,
pa vetëmishërim, pa ndrydhje dhimbjeje,
me përthyerje simbolesh, metaforash.
Kënaqësi shqisash, dëshirash, ndjenjash,
për shenjtërim të njerëzores në hyjnore.
SHPRESA SI FENIKS
Tragjeditë moderne të botës
dëgjohen pëshpërima dhimbjeje,
pamundësi frymëmarrjeje,
sytë e shpikjeve shkatërruese virusale
sjellin dëshpërimin e jetëve.
Të ardhme të errët, trishtuese
që kërkon dritën në fund të tunelit,
kur mohon zotat, i sfidon për ego,
të shumta do bëhen: “lamtumirat”.
Në luftën e krijuar nga errësimi i arsyes
në fikjen e përkohëshme të shpresës si feniks,
do të rilindë mbi vdekjen e vetësjellë
me zjarrin e shenjtë të dashurive.
Në emër të JETËS,
me rrënjë të forta lirie
ushqyer prej hirit të të parëve.
NDIQ UDHËN
Projektojmë jetën sipas një simetrie,
një ritmi stinësh,
një monotonie shumëngjyrëshe,
ku lëvizjet rastësore
përcaktojnë kurbën emocionale.
Konkrete historitë njerëzore,
të brishta si qelqi,
nën shkëlqim yjesh,
në ëndrra të paprekura,
në bashkëjetesë të paralizuar kulture,
nën gravitacion fjalësh.
Tingujt e heshtjes, kakofoni akordesh,
ku mundësitë e ardhjes dhe ikjes
paracaktohen nga ardhmëria,
ku dashurisë i këndohet.
Rrugët e jetës pas na ndjekin,
larg absurditetit, përkushtimit të verbër,
dihet që jetojmë në kohën e hirit…
VETËM PËR DASHURINË
Brenda syve flenë të gjitha ngjyrat,
sipas stinëve, sipas ditëve
mendimeve e ndjenjave,
veç nata i zgjon ëndrrat shumëngjyrëshe.
Yjet lahen në errësirën e pagjumësisë
e trishtimi shpërndahet qiellit
mbi retë e mallit
që bëhen gati të qajnë
Kapërcejnë vetveten
me lotët e shpirtit,
ditën ndizet dielli i zjarrtë
brenda ujërave të kaltra,
vetëm për dashurinë…
MUZË
Ti troket zemrës së vargut,
hyn brenda e luan me ndjenjën,
herë vjen si stuhi e rrëmbyer,
herë zbardh si borë e parë.
Qielli i jetës ndrin
kur dritat e mendjes zgjojnë tjetër botë,
depërton në tërë qenien
që digjet dashuri për lirinë e fjalës,
poezia mban emrin tënd.
OH, ZEMËR!
Dëgjoje zërin e erës,
po sjell përlindjen e ndjenjës,
shikoji dy të rinj si Romeo e Xhuljetë
shtrëngohen fort te njëri-tjetri.
Tek ndiejnë ethet e zjarrta
pas hapave të tyre ndihet dashuria,
gdhendur në ajër prej qiellit zbret
me krahët e lehtë mbuluar prej dritës.
Pesha e shenjtë e ëndrrave për jetën
kthehen sërish te ne,
me mallin e fshehur
në çdo rrahje zemre –
duke harruar çdo dhimbje
pas syrit të diellit
që përkund shpresën e re.
NË PRITJE
Qielli ngrihet mbi kokën time
si formë e ëndrrave shumëngjyrëshe,
e artë, e kaltër, e bardhë, e kuqe…
Akuarel vizionesh,
ku në çdo yll një ëndërr e bukur zbret,
pafundësisë së lirisë
në madhështinë e dashurisë.
Vlon në çdo pikë gjaku
ngarkuar me mendimet e së ardhmes,
ku duken e zhduken siluetat e frikës,
nëpër fushat qiellore imagjinare –
tek shfaqen të kthjelltat gëzime.




























Leave a Reply