William Ernest Henley
Kalendari poetik: William Ernest Henley (1849-1903)
Sot, më 23 gusht, është 175 vjetori i lindjes së William Ernest Henley-t, poet, gazetar dhe botues britanik. Në moshën 12 vjeçare u sëmur rëndë nga tuberkulozi. Kur TBC prek moshat e reja, bacili përgjegjës mund të lëvizë dhe të prekë organe të tjera si në sëmundjen Pott, që i preku kockat Henley-t. I prenë këmbën e majtë që të mund të mbijetonte. Miku i tij, poeti skocez, Robert Louis Stevenson, bazuar në figurën e Henley–t, krijoi personazhin e piratit Long John Silver, te vepra e tij e njohur “Ishulli i Thesarit”, sepse sipas shkrimtarit amerikan Samuel Lloyd Osbourne, “përfaqësonte një tip trupmadh, të gjallë, shpatullgjërë, jashtëzakonisht mendje mprehtë, me një të qeshur që tingëllonte si muzikë…”
Në vitin 1875, ndërsa ndodhej në spital, shkroi poezinë e tij të njohur “Invictus”, që u bë edhe përkthimi im i parë në vitin 1982 në kampin e Spaçit.
Sëmundja nuk e la të qetë gjithë jetën, por Henley nuk u dorëzua kurrë, arriti të diplomohej, nuk pranoi t’i prisnin edhe këmbën e djathtë. Ja përzgjedhja ime sot:
NJË DASHURI NDANË DETIT
Kjo natë pa yje që frymën ma merr,
(o fatkeqësi, o erë që më përfshin!)
si i tmerrshëm mallkim, si e zezë re,
kjo murmurimë e detit që psherëtin,
seç ngjan me dy shpirtëra në ngashërim,
që fërgëllojnë në një të mundimshme lamtumirë.
Dëshira që jetën, shpirtin ma ngrohët,
(o mallëngjim, që era të përfshin!)
ëndrra që të ardhmen parathonë,
shpresa, që drejt saj sulen si stuhi,
nga ç’ka më të ëmbël i lumturi shpirt,
më mbetet një e heshtur lamtumirë.
Për atë vajzë, që për mua gjithçka ish,
(o ankim i shpirtit, që era të përfshin!)
për jetën, që s’munda t’ia ndryshoj,
këtë natë, pranë detit që ushton,
dhe me dashurinë e shpirtit në trazim,
të jap të fundmen, pafund, të trishtë lamtumirë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply