Petro Çerkezi
Vlerësim: Korrelacionet neotike në poemën e Petro Çerkezit “E dashura ime është re ose vitro vetëtimash”
Poema “E dashura ime është re ose vitro vetëtimash”, botuar ditët e fundit në “Exlibris”, është një tjetër sipërmarrje madhështore unike, liriko-folozofike, e poetit të mirënjohur Petro Çerkezi, që na vjen me gjithë fuqitë eterike të shpirtit, me energjinë universale, harmoninë dhe lidhjen e padukshme mes të gjitha gjërave në kozmosin e shpirtërores dhe ezoterizmit. Në këtë krijim, si në një harpë ere, ndihet çdo frymëmarrje, çdo tingull, si furi e erës madhështore të mesdheut, si rrënqethje, që kalon papritmas në gjithë trupin, godet në zemër dhe më pas në tru. Nuk ka fe më të lartë se sa dashuria! Ky është thelbi i ekzistencës, frymëmarrja e madhe, doktrina filozofike e shpirtit, ku shkrihen bashkë kozmogonia, antropologjia, psikologjia, fiziologjia e shpirtit dhe zbulesat hyjnore, duke lënë pas tyre vibrimin metaforik, ndjesinë e brendshme, emocionin, energjinë ose atmosferën, tingullin e një bote tjetër, më të lartë, asaj të harmonisë, si themeli i Akashës Universale. Duke vepruar në këtë dimension, që është një iluzion, dhe duke u ndikuar nga të gjithë stimujt kaotikë njerëzorë, e dashura shfaqet para poetit jo si një “ego sum” (qënie e vërtetë), por si një shëmbëlltyrë resh,
“që nuk e di
nëse ka ardhur të më shpëtojë
apo të më zhdukë.”
dhe poetit, si një Aeolian, i duhet të veprojë vetëm përmes alter egos së tij.
“E dashura ime është re.
Jo nga ato që enden shkujdesur
mbi çatitë e qyteteve të përgjumura.
Është re shtatzanë,
me barkun mbushur me vetëtima,
një mitër e zezë që ngjiz
shpërthimin e qiellit”.
Poema i kalon kufijtë e materies në natyrë, duke mos i dhënë dot një përkufizim të saktë vetëdijes që rrjedh nga Uni, perfeksionimit dhe ndjeshmëisë së lartë. Poeti na lë në boshllëk ekzistencial, na trullos tërësisht intuitën, pasi askush nuk mund ta zgjidhë misterin e dashurisë, në manifesimin e saj më të lartë shpirtëror dhe atë të korrelacioneve neotike që formësojnë kuptimin dhe që i referohen lidhjeve mendore, kuptimore dhe konceptuale mes ideve, simboleve dhe përvojave brenda tekstit letrar, ose mes tekstit dhe vetëdijes së lexuesit. Korrelacionet noetike tregojnë se si motive, metafora apo imazhe të ndryshme në vepër lidhen në nivel abstrakt për të krijuar një mesazh ose filozofi të përbashkët. Këto korrelacione shfaqen edhe kur autori dialogon me idetë, mitet apo konceptet filozofike, duke krijuar një rrjet të përbashkët kuptimor, për vitalizimin e principeve të jetës.
Korrelacionet noetike në këtë poemë vihen re në disa shtylla kryesore:
Ashtu si në vëllime si “Qiell barok melankolie” dhe “Ti më këshillon të blej një bilbil”, “Kōhē e vdekur, kohë e gjallë”, etj. përvoja personale e emigrimit nuk mbetet thjesht një përshkrim gjeografik, por lidhet në nivel konceptual me melankolinë ekzistenciale, vetminë dhe kërkimin e vetvetes. Në këtë poemë kemi një ndërthurje të identitetit, mërgimit dhe kujtesës, si dhe një dialog lirik mes të përditshmes dhe mitit.
Çerkezi krijon lidhje kuptimore mes objekteve apo situatave të zakonshme dhe simboleve të lashta mesdhetare, duke shpirtëzuar hapësirën dhe kohën dhe duke e ngritur përjetimin konkret në një plan filozofik e universal. Vargjet shndërrohen në gjendje mendore dhe shpirtërore, ku historia dhe e tashmja komunikojnë me vetëdijen e lexuesit.
Poema shquhet për asocacionet dinamike shpirtërore, format superiore të mëndimeve mbindjesore, eksperiencat që e tejkalojnë vetëdijen e thjeshtë mendore, dhe lidhen me qendra e trurit dhe të zemrës, si dhe me kujtesën organike.
Poeti gjendet i përfshirë në dimensionin e “dritës mashtruese”, që shfaqet përmes reflektimeve të errëta e të shformuara në “natën e yjeve të vjedhur”:
Pse u ngushtua kështu befas
nata e syve të tu?
Kush e uli tavanin e qiellit
dhe na detyroi të shiheshim
nën një tavan kaq të ulët?
Natë yjesh të vjedhur.
Natë me zgavra të zbrazëta.
Por vizioni i poetit nuk është çfokusuar. Shqisat e tij janë përshtatur me shtrembërimet e panatyrshme të imazheve dhe të pamjeve që shkaktohen nga valët kaleidoskopike të dimensionit astral:
Anija vazhdon të lundrojë.
Kundër fatit. Kundër motit.
Kundër asaj harrese të madhe
që gëlltit gjithçka
dhe gjithmonë kërkon më shumë.
Dhe pranë saj, një mjellmë. E plagosur.
Rrymat magnetike të Dritës Astrale tërhiqen me vrull nga forcat e verbëra që vendosen në simfoninë e shkatërrimit nga gabimet dhe mëkatet dhe i ngarkojnë valët e tyre drejt një tërheqjeje fatale që përthithen nga forca e rrymës:
Lumturia nuk përputhet kurrë
me shenjat e qiellit.
Është një tingull i çakorduar
në simfoninë e shkatërrimit,
një lule e kuqe
që mbin në grykën e një topi.
Poeti di ta dallojë veprimin neotik nga ai psikik, i cili vjen nga qielli, jashtë vullnetit të tij:
Mos ma vrit zogun e zemrës,
atë zog të vogël, llafazan,
që këmbëngulte të ligjëronte edhe kur qielli
binte copë-copë mbi çatitë.
Heroi lirik i poemës, shumë i dhënë pas ëndërrave dhe imagjinatës, rrezaton, me vetëdije individuale, vetëdijen e absolutit, që është lëvizja e përhershme, ideja e jetës universale, mister i fatalitetit:
“Vrapojmë pa cak, pa busull,
pa atë fillin e hollë të Arianës
që do të na udhëhiqte përsëri drejt vetvetes.
Dhe sa më shumë vrapojmë,
aq më shumë humbasim fytyrën”
Duke dalë në konkluzionin se:
E ardhmja nuk është fallxhore.
E ardhmja është një pemë
që e presim vetë dhe pastaj qajmë
mbi trungun e saj.
Këto vargje janë një “testament letrar”, që pranon homogjenezën paradoksale të natyrës që është bërë tabu, një perfeksion gati i pakapshëm nga mendja njerëzore. Ky parim jete bëhet i vetëndjeshëm, i vetëdijshëm, i mirëpërcaktuar, individual:
Vrapojmë pa cak, pa busull,
pa atë fillin e hollë të Arianës
që do të na udhëhiqte përsëri drejt vetvetes.
Dhe sa më shumë vrapojmë,
aq më shumë humbasim fytyrën.
Në konceptet e poetit Çerkezi për dashurinë dhe universin, fati bie pre e iluzioneve, me avantazhin për të qenë ngushëllues, ku Uni është produkt i disa elementëve kimikë dhe histologjikë, i paçliruar nga kufizimet që shtrëngojnë individualitetin e vetëdijes njerëzore, ku e pakufishmja dhe e përjetshmja kthehen në kujtime, si të vërteta të përjetshme:
Dhe dinte, ose ngjante se dinte
t’i pëshpëriste kaq ëmbël
ato dy fjalë: TË DUA.
Dy fjalë që dilnin nga një gojë pa buzë,
nga një zemër pa arterie, nga një trup
që kishte filluar tashmë të bëhej kujtim.
E megjithatë, sa herë që i thoshte,
diçka brenda meje ringjallej.
Poeti kallzon për një univers inteligjent ku dashuria, si e vërteta e përjetshme dhe e plotë, funksionon në mënyrë inteligjente dhe harmonike, herë si re e purpurt, që mbyll portën e zemrës dhe çelësin e hedh larg, në det, herë si stuhi, brenda një sarkofagu prej heshtjeje., një supersticion ku interferojnë forca të tjera esenciale brenda një bote, krejtësisht ndryshe nga bota që shfaqin shqisat tona tek ne:
E dashura ime është re.
Dhe shtrati ynë lundron mbi valë,
si një anije që ka harruar
për ku lundron e ç’emër ka porti?
Ç’far do të na drejtojë në detin e trazuar?
***
E dashura ime, re e purpurt,
e mbyll portën e zemrës dhe çelësin
e hedh larg, në det.
***
E dashura ime është stuhi.
Dhe unë nuk dua ta ngrij
brenda një sarkofagu prej heshtjeje.
Le të flejë, si një zog i lirë
nën çatinë e botës,
me krahët hapur drejt një qielli
që askush nuk e zotëron.
Me një difuzion mendor, që nuk ndjek domosdoshmërisht një rend logjik ose kronologjik, realizohet shpërndarja e lirë dhe të pakufizuar e mendimeve, ndjenjave dhe përfytyrimeve, që kalojnë natyrshëm nga një imazh te tjetri. Emocioni i poetit rrjedh dhe zgjerohet në drejtime të ndryshme, duke krijuar lidhje të papritura dhe të pasura mes figurave letrare.
Poema dallohet për lidhjet asociative. Një fjalë ose kujtim i thjeshtë zgjon një zinxhir emocionesh dhe idesh të tjera, duke e zgjeruar kuptimin e poezisë në disa shtresa.
Ndjenja e poetit nuk mbetet e mbyllur në një varg të vetëm, por “përhapet” në të gjithë atmosferën e krijimit, duke e bërë lexuesin ta përjetojë atë në mënyrë të plotë dhe ndonjëherë abstrakte.
Si krijim me difuzion mendor, poema nuk jep një mesazh të prerë, por lë hapësirë që çdo lexues ta interpretojë dhe ta ndiejë atë sipas botës së tij të brendshme.
Ky stil haset shpesh në krijimtarinë e Petro Çerkezit, ku spikat poezia postmoderne, simboliste dhe surrealiste, ku rëndësi më të madhe ka gjendja shpirtërore dhe sugjestioni sesa rrëfimi i drejtpërdrejtë.
Nga: Arben Iliazi



























Leave a Reply