Krenar Brahimaj dhe bota e tij poetike në vëllimin “Katundishtë lulja me vesë” 

Poezia lind nga nevoja e njeriut për të shprehur atë që ndien, atë që kujton dhe atë që nuk dëshiron ta humbasë nga jeta e tij. Ajo merr vlerë kur përjetimi vetjak arrin të kapërcejë kufijtë e individit dhe të bëhet ndjenjë e përbashkët njerëzore. Pikërisht në këtë hapësirë të komunikimit emocional me lexuesin vendoset edhe vëllimi poetik i Krenar Brahimajt, “Katundishtë lulja me vesë”.
Që në titullin e librit ndiejmë një lidhje të veçantë me vendlindjen. Katundishta nuk është thjesht një emër vendi, një hapësirë gjeografike apo një kujtim i largët. Ajo është vendi ku kanë nisur rrënjët e jetës, ku janë formuar kujtimet e para dhe ku njeriu kthehet vazhdimisht me mendje e me zemër. Lulja me vesë është një figurë poetike që përcjell freski, bukuri, pastërti dhe gjallëri. Kështu, vetë titulli krijon një atmosferë lirike dhe na orienton drejt një poezie të mbështetur në dashurinë për vendlindjen dhe në ndjeshmërinë ndaj jetës.

1.Vendlindja ruan rrënjët e identitetit dhe të kujtesës

Në poezinë “Gjiri im”, poeti shpreh një lidhje të thellë shpirtërore me vendlindjen. Katundishta paraqitet si një qenie e dashur, si një gjoks amësor ku poeti ka gjetur strehën e parë të jetës. Vargjet:

“Unë jam copëza jote,
Ti je gjiri im”.

përmbajnë një marrëdhënie të ndërsjellë midis njeriut dhe vendit të origjinës. Poeti e ndien veten pjesë të vendlindjes, ndërsa vendlindjen e përjeton si burim të ekzistencës së tij shpirtërore. Kjo lidhje bëhet edhe më konkrete në strofën e dytë:

“Aty kam folenë,
Aty kam shtëpinë,
Aty i kam rrënjët,
Kam fëmijërinë”.

Katër vargje të thjeshta, por që mbartin një përmbajtje të gjerë emocionale. Foleja, shtëpia, rrënjët dhe fëmijëria janë katër simbole që ndërtojnë historinë e një jete. Ato tregojnë se vendlindja nuk është vetëm vendi ku kemi lindur, por edhe hapësira ku është formuar personaliteti ynë.
Këtu qëndron edhe një nga vlerat e poezisë: aftësia për ta kthyer një ndjenjë personale në një përjetim që mund ta ndajmë me çdo lexues. Kushdo që është larguar nga vendlindja mund ta gjejë veten në këto vargje.

2. Mesazhi jetësor dhe etika njerëzore

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i krijimtarisë së Krenar Brahimajt është poezia me karakter këshillues dhe filozofik. Te “Buzëqeshi jetës”, poeti i drejtohet njeriut me një mesazh optimist, duke e ftuar të mos e humbasë besimin te jeta dhe te vlerat e saj.

“Buzëqeshi ditës,
Ashtu siç lind dielli,
Dhe gëzoju jetës,
Hap krahët drejt qiellit”.

Dielli, qielli dhe buzëqeshja janë figura të njohura të poezisë lirike, por këtu ato marrin një funksion të drejtpërdrejtë: të shprehin dëshirën për një jetë të ndriçuar nga shpresa. Poeti nuk mjaftohet vetëm me një thirrje për lumturi. Ai e lidh atë me sjelljen dhe përgjegjësinë njerëzore:

“Me një buzëqeshje,
Edhe fjalë të ngrohta,
Largohet e keqja,
Mbrohesh nga e kota”.

Këtu shfaqet bindja se marrëdhëniet njerëzore mund të përmirësohen përmes mirësisë, respektit dhe komunikimit të ngrohtë.
Ndërsa mbyllja:

“Jeto veç i lumtur,
Duaj edhe fal,
Rri i palëkundur,
Siç qëndron një mal”.

përmbledh tri kërkesa të rëndësishme të jetës: dashurinë, faljen dhe qëndrueshmërinë morale. Krahasimi me malin i jep mesazhit një përmasë simbolike. Mali është qëndrueshmëri, forcë dhe dinjitet përballë vështirësive. Kjo poezi ka karakter didaktik, por mesazhi i saj është i qartë dhe i komunikueshëm. Ajo na kujton se lumturia nuk është vetëm një gjendje që duhet pritur, por edhe një mënyrë se si zgjedhim të sillemi me të tjerët.

3. Lirika e ëndrrës dhe e çastit të pakapshëm

Poezia “Lajmëtari” na çon në një hapësirë tjetër poetike. Këtu nuk kemi më një rrëfim të drejtpërdrejtë për vendlindjen apo një këshillë për jetën. Kemi një përjetim të mjegullt, ku ëndrra, natyra dhe simbolika ndërthuren për të krijuar një atmosferë lirike.

“Erdhe si ëndrra,
Në mes të gjumit,
Si pëllumb i kohërave,
Lajmëtar”.

Figura e pëllumbit është një simbol i paqes, i lajmit dhe i shpresës. Ai shfaqet në një çast të veçantë, sikur të vijë nga një kohë tjetër për të përcjellë një mesazh. Në vijim, poeti ndërton një varg figurash të natyrës:

“Ndriçove,
Si vesa e shiut,
Si gur margaritari”.

Vesa dhe margaritari shprehin pastërti, shkëlqim dhe brishtësi. Por ky çast i bukur nuk zgjat.
Lajmëtari zhduket:

“Porsi akulli,
Nga rrezet e diellit,
I shpërndarë”.

Kjo është një nga gjetjet më interesante të poezisë. Lajmëtari, i cili shfaqet si një prani e ndritshme, largohet po aq shpejt sa kishte ardhur. Kështu, poezia mund të lexohet edhe si simbol i një çasti të bukur që nuk mund të mbahet përgjithmonë, i një lajmi që vjen dhe ikën, apo i një ëndrre që lë pas vetëm gjurmën e përjetimit. Poezia mbështetet më shumë te sugjestioni dhe atmosfera sesa te rrëfimi. Pikërisht kjo e dallon nga poezitë e tjera të përzgjedhura.

4. Vështrimi kritik mbi shoqërinë

Një nga poezitë më të gjera për nga përmbajtja dhe më e veçanta për nga mënyra e ndërtimit është “Kjo botë është ca e ca”. Këtu poeti largohet nga lirizmi intim dhe bëhet vëzhgues i sjelljeve njerëzore. Ai paraqet një shoqëri të përbërë nga njerëz me karaktere, vlera dhe qëndrime të ndryshme. Përsëritja e fjalës “ca” krijon boshtin ritmik dhe kuptimor të poezisë. Ajo funksionon si një mënyrë për të ndarë dhe përballur tipat e ndryshëm njerëzorë:

“Ca florinj margaritar,
Ca të mençur e shumë të marrë,
Ca janë engjëj e shumë djaj,
Ca të fundit e ca të parë”.

Përmes këtyre kundërvënieve poeti ndërton një mozaik të karaktereve njerëzore. Në të gjejmë të mirën dhe të keqen, mençurinë dhe marrëzinë, bujarinë dhe ligësinë, respektin dhe përbuzjen. Vëmendje të veçantë merr kritika ndaj zilisë, thashethemeve dhe mungesës së respektit:

“Shumë të tjerë të kanë zili,
Pse nuk je si ata ti”.

Këto vargje prekin një dukuri të njohur shoqërore: vështirësinë që kanë disa njerëz për të pranuar suksesin, veçantinë apo përparimin e tjetrit. Poeti e sheh botën me një sy kritik, por nuk e mbyll poezinë në pesimizëm. Përkundrazi, në vargun përfundimtar: “Mundohu të jesh më la” ai jep porosinë e tij morale: mes shumë sjelljeve e karaktereve, njeriu duhet të përpiqet të jetë më i mirë. Poezia ka një ndërtim të mbështetur në përsëritjen, enumeracionin, kontrastin dhe rimën. Kjo e bën të afërt me mënyrën popullore të të shprehurit dhe i jep një ritëm të gjallë. Herë-herë vargu merr formën e një renditjeje të gjatë, por kjo është edhe mënyra përmes së cilës autori synon të përfshijë sa më shumë dukuri të jetës shoqërore. Në tërësi, kjo poezi është një pasqyrë satirike e sjelljeve njerëzore, ku poeti nuk pretendon të japë një përkufizim të plotë të botës, por të na kujtojë se ajo përbëhet nga njerëz shumë të ndryshëm dhe se secili prej nesh duhet të zgjedhë se në cilën anë dëshiron të qëndrojë.

5. Dashuria si kujtim dhe përjetim shpirtëror

Në poezinë “Vend takimi” rikthehet lirizmi intim. Këtë herë poeti i drejtohet një dashurie të së kaluarës, një marrëdhënieje që koha e ka larguar fizikisht, por që kujtesa vazhdon ta mbajë gjallë.
“Kaluan kohë që më nuk shihemi,
Dhe për ty kam mall,
Kujtoj netët, ditët e zjarrta,
Dhe puthjen tonë të parë”.
Mallin poeti nuk e shpreh përmes një rrëfimi të gjatë, por përmes kujtimeve konkrete. Vendi i takimit, pritja dhe trëndafili bëhen pjesë e një historie dashurie. Një nga figurat më të bukura është ajo e trëndafilit:

“Në mes duarve të mija fshehur,
Një trëndafil margaritar”.

Trëndafili këtu nuk është vetëm dhuratë. Ai është shenjë e dashurisë, e pritjes dhe e emocionit që shoqëronte takimin. Në strofën e fundit, pritja merr një dimension edhe më të ndjeshëm:
“Ndonëse ti vije me vonesë,
Por buzët e mija s’ishin tharë”.
Vargu përmbyllës ruan një gjurmë të gjallë të dashurisë. Pavarësisht kohës që ka kaluar, poeti e rikthen çastin sikur të ishte ende i pranishëm. Kështu, dashuria paraqitet si një përjetim që nuk shuhet me largimin e njeriut, sepse mbetet në kujtesë.

6. Nëna – dashuria që nuk shuhet as me vdekjen

Në poezinë “Nënave” poeti prek një nga temat më universale të letërsisë: dashurinë për nënën dhe dhimbjen e mungesës së saj. Kjo është një poezi me ngarkesë të fortë emocionale, sepse mbështetet në një përjetim që e njeh çdo njeri që e ka larg nënën e tij, sidomos në këto kohë, ku shumë shqiptarë ndodhen në emigrim ose kur e ka humbur atë.

“Nënë që më rrite mua,
Sa shumë më mungon tani,
Unë jam djegur e zhuritur,
Për ty nënë, për ty Hyjni”.

Nëna paraqitet si qenie e shenjtë, si burim jete dhe dashurie. Emërtimi “Hyjni” e ngre figurën e saj në një përmasë të lartë shpirtërore. Por dhimbja bëhet edhe më konkrete në vargjet:

“Kur unë vij tek varri yt,
Vij me vrap dhe dashuri,
Përqafoj fotografinë
Dhe aty dua të rri”.

Këtu kemi një nga momentet më prekëse të poezisë. Përqafimi i fotografisë është një gjest simbolik që shpreh pamundësinë për të përqafuar fizikisht njeriun e dashur. Fotografia bëhet zëvendësuese e pranisë së nënës, një lidhje e heshtur midis të gjallit dhe asaj që nuk është më. Poezia mbyllet me një varg që e çon dashurinë përtej kufijve të jetës:

“Je drita e shpirtit tim,
Derisa të vij aty…”

Tri pikat në fund të poezisë kanë një funksion emocional. Ato lënë të hapur një mendim, një pritje dhe një shpresë për ribashkim. Poeti nuk e sheh vdekjen si ndërprerje të dashurisë, por si ndarje të përkohshme në përfytyrimin e tij shpirtëror. Edhe pse titulli është “Nënave”, poezia është ndërtuar kryesisht rreth përjetimit të një biri për nënën e vet. Kjo ndjenjë personale, për shkak të natyrës universale të saj, mund të përfaqësojë dhimbjen dhe mirënjohjen e shumë njerëzve.

7. Reflektimi – çasti kur natyra zgjon mendimin

Poezia “Reflektim” është e shkurtër, por përmban një atmosferë të veçantë mendimi.

“I mbështjellë nga dimri i acartë,
I zhytur në pusin e mendimeve,
Një pikë që troket në xham,
Më zgjoi prej shumë ëndërrimeve”.

Dimri i acartë krijon një atmosferë të ftohtë, jo vetëm në kuptimin natyror, por edhe në atë shpirtëror. Njeriu është i mbyllur në mendimet e veta, i zhytur në një botë të brendshme ku kujtimet dhe ëndërrimet kanë marrë përparësi. Por një pikë që troket në xham e ndërpret këtë gjendje. Kjo pikë shiu bëhet një nxitës i reflektimit. Një dukuri e vogël e natyrës zgjon njeriun nga përhumbja dhe e kthen në realitet.
Është një poezi që mbështetet në simbolikë dhe në përplasjen midis botës së jashtme dhe asaj të brendshme. Edhe këtu shfaqet një tipar i poezisë së autorit: aftësia për të marrë një çast të zakonshëm dhe për ta kthyer në pikënisje të një përjetimi poetik.

Përfundim

Vëllimi poetik “Katundishtë lulja me vesë” i poetit Krenar Brahimajt na sjell një krijimtari ku ndjenja është pikënisja e vargut dhe jeta është burimi kryesor i frymëzimit. Në këtë libër gjejmë vendlindjen me kujtimet dhe rrënjët e saj, dashurinë me emocionet dhe mallin e saj, nënën me përkushtimin dhe dhimbjen që lë pas mungesa e saj, si dhe një vështrim kritik mbi karakteret dhe sjelljet njerëzore.
Nuk kemi të bëjmë me një poezi që kërkon të befasojë lexuesin përmes abstraksionit apo ndërtimit të ndërlikuar figurativ. Forca e saj qëndron kryesisht në sinqeritetin e ndjenjës dhe në dëshirën për të komunikuar me njeriun. Poeti Krenar Brahimaj vjen para lexuesit me një botë të vetën ndjenjash dhe përjetimesh. Ai na kujton se njeriu nuk mund të shkëputet nga vendi ku ka hedhur rrënjët, nga njerëzit që e kanë dashur dhe rritur, nga kujtimet që e shoqërojnë dhe nga vlerat që i japin kuptim jetës. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron mesazhi më i bukur i këtij vëllimi: të ruash të gjallë dashurinë për vendlindjen, të mos e humbasësh ndjeshmërinë ndaj njeriut dhe të mbetesh i lidhur me të mirën, edhe kur bota përreth nuk është gjithmonë ashtu siç do të dëshironim.

 

Nga: Kujtim Mateli

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

ARCHIVE

Terms List