Poezi nga Dritan Thomaraj

 

Dritan thomaraj

Dritan Thomaraj

 

Ka  lindur në fshatin Kuç, të rrethit Vlorë, më 26.10.1989.
Vëllimi poetik “Valsi i Valëve” është libri i parë i tij. Jeton në Tiranë, ku vazhdon edhe  shkollën e lartë për “Financë-Kontabilitet”.  Ka marrë pjesë në disa antologji, brenda e jashtë vendit, gjithashtu boton krijime në gazetat e ndryshme letrare.
Poezia e tij rrjedh lirshëm, shquhet për temperamentin e veçantë pasi e bën vargun të vallëzoi, si valsi i erës që shkon mbi valë.

 

 

11696801_452161768295721_812352626_n

 

Cikël  i shkëputur nga Vëllimi poetik ” Valsi i Valëve” 

 

 

 

Në simbiozë

 
E kalbur dergjet në një liman,

prej vitesh, aty ankoruar.

Nga dallgët vërtitur në rërë,

si ndonjë kujtim i harruar.
Dhe ditët ikin një nga një,

kur dielli lind e perëndon,

sot myshku e ka veshur atë,

se koha-kohën s’e ndalon…
Aty çdo ditë përmbi direk,

vërsulet e ulet një pulëbardhë.

Në sqep mbërthen ndonjë peshk,

që mezi e presin zogjtë e saj!


Jetojnë të dyja në simbiozë,

nga jeta, vdekja merr jetë!

E jeta, vdekjen ka strehë:

 

pa jetë

të dytë,

të tretë…

 

 

 

 

Fytyrat

 

I zhytur mes mendimeve të mia,

përballë pasqyrës qëndroj.

Shikoj fytyrat e mia,

asnjëra s’qenka njësoj.

 

Njëra më buzëqesh,

tjetra më përqesh.

Fytyra-fytyrës,

shuplakën ia ngjesh.

 

Njëra më vajton,

tjetra flakë lëshon.

Fytyra-fytyrën,

me urrejtje e shikon.

 

Fytyrat e mia,

mes maskash fshehur,

aktor komedie,

aktrimit, dehur.

 

…s’shihen në sy:

njëra kthen shpinën,

tjetra thur dredhi.

 

Ne themi jemi njerëz,

njerëz me një shëmbëlltyrë.

Jemi, veç jemi,

një fytyrë

pa fytyrë…

 

 

 

 

Hije mbi asfalt

 

Çapitem lehtas mbi asfalt,

në një vorbull njerëzish përhumb,

si një gjethe vjeshte e ashkët,

era më vorbullon, s’më ndal askund.

 

Avitem nga kjo rrymë të dal,

të eci ashtu siç di unë,

një tjetër rrymë le t’më marrë,

veç qenia ime t’mos humbë.

 

Një hije e trishtë më ndjek nga pas,

kacafytem me të, mundohem ta largoj,

vrapoj e vrapoj përmbi asfalt,

po nga rruga ime dot s’e dëboj.

 

Binjakja ime simetrike,

shëmbëllimin tim e flak mbi rrugë,

dhe njerëzit me shikime cinike,

shikojnë te hija dhe jo tek unë.

 

E unë qesh me injorancën,

me injorancën time, gjithsesi,

që s’i dhashë hijes një paruke,

që bota ta quante njeri!…

 

 

 

 

Mëngjesi

 

Mëngjesi me dritë e pikla vese,

njomësuar si një fije pelini.

Perden e errët të natës vdekëse,

nga sytë ta heq rrëshqiturazi.

 

Pastaj të ta servir me dëshirë

gjithë skëterrën e natës,

në një filxhan kafe për ta pirë.

Pasi edhe llumi i zi u rrufit,

në majat e maleve rrezet hodhi.

Jetëdhënësi, Diell plot dritë.

 

Ja, kështu pa kuptuar…

kyçi i derës-ditë u rrotullua.

Ëndrrat syhapëta për të shikuar

një botë, mbushur mirazhe.

 

 

 

Shushuritje

 

Shushuritje gjethëzash në pemë.

Shushuritje e ujit në burim.

Shushuritje fjalësh në erë.

Shushuritje ka gjithandej…

 

Shushuritje…

Shushuritje…

Shushuritje…

 

Shshsh…

Shshshsh…

Shshshshsh…

 

Shushuritjet kanë hyrë në shpirtrat tanë,

dhe zemrat dridhen për çudi.

Oh, për këtë ndjenjë ndiej mall,

s’qenka shushuritje, por dashuri…

 

Marrëzi…

Marrëzi…

Marrëzi…

Shëëëëët…

 

 

 

 

I dehur

 

I vetëm në dhomë u struka këtë herë,

gjithë qenien time ta dehja me verë.

Të humbja në ëndrra të dehurish,

të jetoja në një botë të çmendurish.

 

Oh,

në këtë botë po jetoj!

 

E kapa gotën me verë ngjyrë rubini,

mes buzëve të thara e ktheva si ujë burimi.

E mbusha një herë, dy, e prapë dhe një herë.

Metamorfoza e shpirtit, mendjen po ma merr.

 

Oh,

në këtë botë po jetoj!

 

Një zjarr zhuritës m’u ndez në kokë,

grushtet m’u forcuan si një shkëmb.

Këmbët s’më qëndrojnë mbi tokë,

edhe muret dua t’i shemb.

Po botën, a do mundesha?

 

Oh,

në këtë botë po jetoj!

 

 

 

 

Ndezje çasti

 

Le të ndizet çasti

plot me emocion.

Të kënaqet shpirti

kur ti parfumon…

 

Le të ulet puthja,

ëmbël përmbi prush.

Të shuhet etja,

që na djeg në buzë…

 

Të flakërohet qielli,

mbushur meteorë…

Le t’i djegë zjarri,

trupat dashurorë!…

 

 

 

 

Për ty

 

Në buzët e tua

të provoj ëmbëlsinë.

Në sytë e tu

të shohë lumturinë.

 

Pranë teje dua

të gjej dashurinë…

 

Se ti për mua

plotëson

gjithësinë.

 

Afshi i frymës tënde

dua t’më ngrohë.

Dua poshtë hënës

me ty të qëndroj.

 

Të të puth,

të ledhatoj…

 

E ti ta kuptosh

sa shumë të dashuroj.

Falma, falma dashurinë…

 

Se ti për mua

plotëson
gjithësinë.

 

 

 

 

Unë dhe ti

 

1

 

Unë jam deti me valë.

Ti je era e çmendur.

Pas shkëmbit më përpjek

baruti që vret,

flaka që djeg.

 

Unë, trëndafil i ndezur gjak.

Ti, e bardhë si zambak…

 

Unë i mirë,

ti e mirë…

Sa ndriçojmë në errësirë!

 

Unë në hënë, ti në tokë,

dashuria e zemrës,

Diell na ngroh!

 

2

 

Unë i flas me epitete,

në qiell e ngre si perëndeshë.

Ajo thjesht me një buzëqeshje,

gjithë qenien ma rrëqeth.

 

Unë me formula matematike

dua të zbuloj sjelljen e saj.

Ajo me lëvizje djallusheje,

rëndshëm më mbërthen,

në vargonj më mban…

 

Unë nxehem e bëhem prush,

kur më mërzit me ndonjë marrëzi.

Ajo ëmbël porsi një ketrushë,

vjen dhe më futet në gji.

 

Unë dhe ajo,

një dashuri…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s