Albin Kurti- fjalime qershor 2015

Albin-Kurti-per-publikim

 

Albin Kurti- fjalime qershor 2015

 

 

 

Kuisja e izolimit

 

Më 14 nëntor 2013, ambasadori amerikan në Shqipëri kishte deklaruar që “SHBA-të do të ndjeheshin të zhgënjyera në rast se kryeministri Edi Rama do të përgjigjej negativisht për këtë kërkesë”. Më 15 nëntor 2013, Edi Rama, pas një serie protestash gjithandej Shqipërisë, refuzon që shkatërrimi i armëve kimike të bëhet në Shqipëri. Megjithë zërat e ngjashëm me ata të sotshëm në Kosovë, mbi rreziqet që do ta prisnin Shqipërinë nga ky refuzim, raportet e saj me Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të mira, sot e asaj dite. Shqipëria nuk ka pasur asnjë konsekuencë negative.

As Kosova nuk do të ketë pasoja për Gjykatën që nuk ia bëri vetes. E gjithë kuisja vendëse për ndëshkimet e mundshme ndërkombëtare, në thelb, është (rrymë) e induktuar: kjo kuisje është veçse kujisje ndërkombëtare se mos Kuvendi i Kosovës po mësohet me këso padëgjueshmërie (psh. duke ia vazhduar atë edhe ‘Zajednicës’).

Nuk e di se si do të mund të izolohej Kosova më shumë se kaq. Sipas ueb faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shtetet në të cilat qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza janë: Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive. Mund të udhëtojnë edhe për në Serbi me kusht që nuk e marrin me vete pasaportën ose e fshehin atë duke e treguar vetëm letërnjoftimin.

Kosovës pa Gjykatë Speciale nuk do t’i ndërrohet kjo gjendje për të keq. Kosovës nuk do t’i vendosin viza Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive kurse Serbia nuk do të na e pamundësojë kalimin e kufirit me letërnjoftim. Pushimeve verore në Shqipëri, Ulqin, Ohër dhe në Ishujt Maldive sërish ua jep vizën vetëm trashësia e kuletës.

Paradoksalisht, kuisja do ta ndërtojë një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës: urime, nuk do të bëhet më keq, përkatësisht, nuk do të bëhemi më të izoluar se kaq.

Të vetmit që do të mund të kenë pasoja nga burokratët ndërkombëtarë për shkak të këtij vendimi të Kuvendit do të mund të jenë krerët e institucioneve të Kosovës të cilët i zhgënjyen ndërkombëtarët duke mos ua mbajtur premtimin atyre. Mustafa, Thaçi e Veseli sigurisht që u kanë premtuar shumë politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë se miratimi i ndryshimit kushtetues në Kuvendin e Kosovës është punë e kryer dhe, kësisoj, shtegu për Gjykatën Speciale është tashmë i hapur.

Nuk ndodhi ashtu dhe të tre këta do të mund të qortohen ashpër në takimet në vijim që do t’i kenë me ndërkombëtarët e ndoshta edhe të izolohen ca prej tyre. Mirëpo, nga kjo nuk humbet gjë shteti e populli i Kosovës por vetë këta uzurpues të shtetit që sundojnë duke u thirrur në marrëdhënien e shkëlqyeshme që paskan me faktorët ndërkombëtarë. Mustafa, Thaçi e Veseli i kanë zhgënjyer për shumë e shumë vite qytetarët e Kosovës. Kjo do të duhej të na brengoste neve dhe jo fakti që më në fund ata i zhgënjyen një herë të vetme edhe ndërkombëtarët.

Pra, përveçse nga ndërkombëtarët kuisja është (rrymë) e induktuar edhe prej vetë krerëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska.

Tash që nuk ia bëmë Gjykatën vetes, në këto çaste të kuisjes lart që jehon poshtë dhe të panikut special që transmetohet medialisht, ftoj për qetësi dhe gjakftohtësi, për arsye dhe durim. Le të mbizotërojnë paqja dhe logjika.


Prishtinë, 28 qershor 2015

 

 

 

Fjalimi në Kuvendin e Kosovës mbajtur më 26 qershor 2015 lidhur me propozimin për ndryshimin kushtetues i cili hap rrugë Gjykatës Speciale  

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Pse kemi këso seancash të ngutshme ku vendime tejet të rëndësishme duhet të paraprihen me vetëm një debat disaorësh? Ne secilin ligj, ligjin edhe më të thjeshtë, ne e trajtojmë në dy lexime të ndara me dy muaj në mes, kurse ndryshimet kushtetuese po i nxitojmë shpejt e shpejt. Më shumë e më shpesh po ndryshohet Kushtetuta e Kosovës me amendamente sesa cilido ligj në Kosovë.

Ndryshimeve kushtetuese nuk po ua kushtojmë as kohën e vëmendjen e ligjeve të thjeshta. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur Kushtetutë të drejtë e të mirë, mirëpo edhe ndryshimet kushtetuese ishin famëkeqe në të kaluarën e të tilla janë edhe këto pas shpalljes së pavarësisë përfshirë edhe këtë sot.

Fundja, çfarëdo debati për ndryshimet kushtetuese dhe Gjykatën Speciale në Kosovë duhet patjetër të paraprihet prej një debati për EULEX-in. Pra, ky Kuvend duhet të debatojë njëherë për atë që e bëri e nuk e bëri EULEX-i tek i cili para pak muajve shpërtheu një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit të pasluftës nga prokurorja Bamieh dhe jo vetëm ajo.

E, vetëm më pastaj të diskutojmë për Gjykatën Speciale. Le të diskutojmë për atë që patëm, para asaj që mendojmë se duhet të jetë.

Së paku në dhjetë vitet e ardhshme në Kosovë e për Kosovën nuk do të flitet për tjetër gjë më parë e më shumë sesa për këtë Gjykatë Speciale nëse ajo kalon me votimin tuaj. Tash që nuk është miratuar kjo gjykatë nuk po përmendemi në opinionin publik ndërkombëtar. Edhe nëse e miratojmë ky do të jetë një lajm margjinal. Edhe nëse nuk e miratojmë ky do të jetë një lajm margjinal. Mirëpo, në dhjetë vitet e ardhshme do të ndërtohet si lajm kryesor për Kosovën dhe Gjykata Speciale për Kosovën do të jetë edhe më e famshme sesa Kosova jashtë kësaj Gjykate Speciale.

Po, nëse nuk e miratojmë Gjykatën Speciale, Serbia do ta propagandojë ca në botë, mirëpo si u bë si nuk u bë kjo Gjykatë ajo edhe ashtu do të shpif për Kosovën, për UÇK-në e për shqiptarët. Imazhi i Kosovës do të nxihet pikërisht nga pasja e një Gjykate të tillë në dekadën e ardhshme e jo nga mospasja e saj të cilën mund ta vendosin ne sot këtu pas pak minutash.

Në faqe 42 të programit qeverisës thuhet që “Qeveria me prioritet do të hartojë dhe do t’i propozojë Kuvendit për aprovim Ligjin për Themelimin e kësaj Gjykate, që tanimë është marrë si obligim ndërkombëtar nga ana e Republikës së Kosovës në proceset integruese”.

 

Së pari, s’ka lidhje kjo gjykatë-në-tentativë me proceset integruese. Nuk i afrohemi BE-së pse patëm a nuk patën Gjykatë Speciale. Ne edhe ashtu jemi shumë larg. Nuk kemi as liberalizim të vizave, siç e dini.

 

Dhe, së dyti, edhe vet qeveria nuk e arsyeton në programin qeverisës këtë gjykatë-në-tentativë me nevojën për drejtësi. Edhe vetë qeveria kur e përmend Gjykatën Speciale në programin qeverivësë, nuk e përmend atë bashkë me fjalën drejtësi por me fjalën obligim ndërkombëtar.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Të gjithë ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale! Nuk po them që të gjithë ata që votojnë për Gjykatën Speciale e kanë kapur shtetin, por të gjithë ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale. Sepse, ata që e kanë kapur shtetin, ata shtetin e shohin si vegël të vetes e për veten e tyre dhe jo si vlerë e dobi për të gjithë.

 

Persekutimi i UÇK-së pardje nga UNMIK-u ka vazhduar edhe dje e sot me EULEX-in edhe për shkak se UÇK-ja nuk përmendet as në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e Republikës. Pra, as në Deklaratën e Pavarësisë e as në Kushtetutën e Republikës nuk e ke as luftën çlirimtare e as UÇK-në. Rrjedhimisht, ky shtet po ndërtohet duke mohuar UÇK-në prandaj ajo është shpallur jo legjitime dhe i është hapur rruga persekutimit të saj. E dini se është një traditë e lashtë tek shqiptarët, dhe jo vetëm tek shqiptarët, që kur e ndërtojnë një shtëpi të re, në themele e vendosin kokën e një dashi, nëse janë ca më të pasur, ose, të një gjeli, nëse janë më të varfër, dhe këtë e bëjnë si kurban për themele të thella e shtëpi të qëndrueshme.

Kosova e ka kurbanin e saj. I ka 2.500 dëshmorë, i ka mbi 10. 000 civilë martirë, i ka mijëra gra të dhunuara. Mirëpo, ky kurbani ynë, për shtëpinë tonë – se ashtu sikurse qëështë ndërtesa ku banon familja juaj, shtëpia juaj, ashtu shteti është shtëpia e popullit – pra, ky kurbani ynë, për shtëpinë e popullit që quhet shtet, në rastin tonë Republikë e Kosovës, ky kurban është përjashtuar, nuk ndodhet në themele!

 

Dhe, për më keq se kaq, dashin e kanë ngrënë politikanët e brinat ia kanë kthyer popullit. Prandaj, çka po synoni t’i bëni UÇK-së ju sot dhe jo vetëm sot, e sidomos me përjashtimin nga Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës, kurrë s’ka mundur dhe nuk do të mund t’ia bënte Serbia. Nuk bëhet fjalë këtu për partneritet me ndërkombëtarët. Nëse ky është partneriteti, unë nuk e di çka është serviliteti. Bëhet fjalë për servilitet ndaj ndërkombëtarëve. E, serviliteti është mungesë vetërespekti.

 

Kur të mungon respekti për veten tënde, kot e don zyrtarin ndërkombëtar sepse nuk do ta kthen mbrapa as dashurinë dhe as respektin.

 

E, serviliteti i Thaçit, Mustafës dhe të tjerëve ndaj burokratëve ndërkombëtarëve nuk bëhet për hir të shtetit e kombit por nga motivet e qëllimet e ngushta personale. Këta nuk po nënshtrohen sepse është interesi i Kosovës,por për shkak se po i duhet vetes së tyre. Pra, nuk ka kurrfarë qëllimi fisnik në servilitetin e tyre. Përveçse serviliteti është i dëmshëm e i padrejtë në vetvete, edhe në kontekstin ku ndodhet ai është shumë i padrejtë e i dëmshëm, sepse është për motive të ngushta personale. Pra, këta nuk po nënshtrohet sepse ky është interesi i Kosovës, këta po nënshtrohet sepse është interesi vetjak i tillë. Nuk mund ta mbrojnë Republikën njerëzit që e konsiderojnë veten dhe tjetrin, dhe çdo tjetër, shumë privatisht e shumë personalisht.

S’ka republikë pa publiken.E, këta nuk janë njerëz publik.Këta janë njerëz privat, çdokund dhe çdoherë privat, dhe vetëm privat.

 

E di që shumë njerëz në Kosovë, jo vetëm deputetë në Kuvendin e Republikës, janë lodhur me këta mujsharët e pasluftës në Kosovë dhe thonë ‘hajt se ndoshta kjo Gjykatë Speciale do të na i heq qafe’. Pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar, vrasësit e plaçkitësit e veshur me pushtet as nuk duhet dhe as nuk mundemi t’i heqim qafe me iniciativa që vijnë prej Serbisë e Rusisë. Ata duhet t’i largojmë nga pushteti dhe me ta duhet të përballet vetë shoqëria jonë e ne qytetarët e këtij vendi.

Shteti i kapur dhe mjerimi social u ka ndodhur edhe popujve të tjerë, pra ne s’jemi fare sui generis, por ata në shesh e me zgjedhje i kanë rrëzuar a larguar të korruptuarit e kriminelët duke i hapur rrugë drejtësisë, demokracisë e zhvillimit. Bile, nuk është korrekte, nuk është fer, që vazhdimisht të kërkojmë të na i kryejë punët dikush tjetër, dikush prej lart, dikush prej jashtë. Kësisoj, duke kërkuar që spastrimin e Kosovës nga të korruptuarit të na e bëjnë ndërkombëtarët, ne po e tregojmë që as s’jemi qytetarë të Republikës përnjëmend e as deputetë të vërtetë të Kuvendit.

Dëgjuam këtu disa deputetë edhe duke na thënë, cila është alternativa? A e dini nëçka më përngjanë kjo? Kur të afrohet një person që ka vendosur të ta thyej këmbën dhe ai person paraprakisht të njofton që dëshiron të ta thyej këmbën. Dhe, ai vjen e të thotë: cila është alternativa jote?! Alternativa ime është të mos ma thyesh këmbën!

Ndaj një personi që vjen të ta thyej këmbën, nuk ke nevojë të kesh alternativë tjetër përveç se mos të ta thyej këmbën. Kjo tregon defansivën në të cilën ka rënë Kuvendi i Republikës si organi më i lart përfaqësues e legjislativ.

Në Kosovë, këta të korruptuarit, pas meje, e qe besa edhe para meje, duhen akuzuar e gjykuar si kriminelë të paqes për atë çfarë i bënë popullit tonë për këta 16 vjet, e jo si kriminelë të luftës për atë çfarë i bënë Serbisë në ata 16 muaj. Po, unë pajtohem me ju. Shumë prej tyre e kanë vendin në burg. Edhe në mesin e deputetëve ka aso që e kanë vendin në burg. Por, në burgun tonë. Dhe, jo me iniciativa të Serbisë e të Rusisë.

Jo pak liberalë në botë, sepse ky nuk është fenomen i izoluar te Kosovës, sidomos në shekullin XXI, e bënë atë gabimin e mirënjohur: filluan që në emër të lirisë ta luftojnë fundamentalizimin, e më pas, për ta vazhduar luftën kundër fundamentalizimit hoqën dorë nga liria. Ne duhet ta luftojmë këtë kastë të kriminelëve e të të korruptuarve në emër të Republikës sonë e drejtësisë universale, në emër të kombit tonë e të demokracisë klasike, në emër të së drejtës e drejtësisë, por ne nuk guxojmë që t’i sakrifikojmë të gjitha këto vetëm që të mund t’i luftojmë këta pushtetarë të krimit. Nuk duhet ta humbim arsyen. Nëse një person ka vrarë, ai nuk duhet të jetë në burg për dhunim dhe anasjelltas.

Sepse, padrejtësia është e dyfishtë. Nuk po e fut në burg për vrasje dhe po e fut për dhunim. Kjo po ndodh edhe në Kosovë. I gjithë zelli dhe pasioni është që këta njerëz të hiqen nga skena politike sepse e kanë vjedhur Kosovën e pasluftës. Mirëpo, le t’ua japim mirënjohjen e paraluftës e të luftës, e le t’ua japim edhe dënimin e pasluftës në emër të luftës, e në emër të ardhmërisë sonë dhe të nevojës për zhvillim e përparim.

Ky ngatërrim i tezave është tepër i rëndë, është padrejtësi e dyfishtë. Po dënon për atë që nuk e kanë bërë dhe nuk po e dënon për atë që e kanë bërë.

Unë nuk do të thosha që ata që duan ta votojnë Gjykatën Speciale janë doemos jopatriotë. Më parë, mendoj që janë naivë. Kosova është vend i pazareve. Këta nuk t’i japin paratë e veta se shokët e vet i japin. Bile edhe nëse dikush përfundon në burg, shumë më tepër kjo do të jetë se këta e dhanë, e sakrifikuan, sesa pse ai bëri ndonjë krim.

 

Punën që s’e kanë bërë UNMIK-u dhe EULEX-i nuk do ta bëjë as Gjykata Speciale. Madje, kjo e fundit paraqet verzionin ekstrem të UNMIK-ut dhe EULEX-it të cilat preferonin pjesëtarët e UÇK-së dhe jo ata të policisë e ushtrisë së Serbisë, ndërsa tash Gjykata Speciale këtë preferencë e bën edhe absolute edhe normë. UNMIK-u e pat sjellur një rregullore në bazë të së cilës nuk gjykonte askë në mungesë(in absentia) dhe asisoj i ndiqte pjesëtarët e UÇK-së që janë këtu në Kosovë, e jo kriminelët serbë që kishin ikur prej këtu.

Gjykata Speciale është versioni ekstrem i UNMIK-ut dhe EULEX-it. Pra, nuk do ta na e sjellë Këshilli i Sigurimit i OKB-së një UNMIK të ri në vend të Gjykatën Speciale por pikërisht kjo Gjykatë Speciale është UNMIK i ri në verzionin e tij më eksterm të mundshëm duke imponuar gjykime etnike. UNMIK-u i ka preferuar pjesëtarët e UÇK-së.

Njësoj, Gjykata Speciale, jo vetëm që i preferon, por e imponon drejtësinë selektive ndaj tyre.  E, gjykimet etnike nuk janë gjykime. Gjykimet etnike janë paragjykime. Votimi për Gjykatën Speciale është votim për Paragjykim Etnik. Rrjedhimisht, kjo Gjykatëështë tashmë gjykim dhe ky gjykim është tashmë dënim duke qenë paragjykim.

 

Le të kthehemi edhe për një moment te vota PËR si votë naive. Pse ky naivitet? Nga buron ai dhe çka e mundëson atë? Naiviteti i votës PËR vjen nga mendësia e pacientit dhe e të burgosurit. Pacienti dhe i burgosuri janë përplot vetëmashtrim, përplot shpresë naive, përplot dëshirë e aspak vullnet. Pacientit në spital dhe të mbyllurit në burg, optimizmi u vie nga mungesa e informacioneve. Një autor i huaj thoshte që në jetë nuk ka lumturi pa pak vetëmashtrim, mirëpo te pacienti dhe i burgosuri pothuajse e gjithë lumturia është vetëmashtrim.

Mjeku e pacienti e kanë një raport special: gënjeshtra duhet të jetë e atillë saqë i gënjyeri i cili e beson atë duhet ta bëjë edhe gënjeshtarin që më pastaj ta marrë gënjeshtrën e vet për të vërtetë. Burokratët ndërkombëtarë që kanë bërë trysni mbi politikanët vendas nuk e besojnë këtë Gjykatë Speciale si të drejtë e të vërtetë. Por, pritet që besimi ynë me zell e pasion t’i bëjë edhe vetë ndërkombëtarët të besojnë. E dini qysh motra medicinale në spital, pacientit i cili është në ditët e fundit të jetës ia sjellë supën, dhe me buzëqeshjen e vet të portokalltë e plastike mandej i thotë se do të lirohesh javën tjetër se e paske pirë supën krejt.

Edhe pacienti e din se nuk është kështu, edhe motra medicinale e din se nuk është kështu, por nuk ia thonë njëri-tjetrit. Ne të gjithë e dimë që Gjykata Speciale nuk është kurrfarë shërimi, kurrfarë drejtësie e kurrfarë lirie. Mirëpo, i gjithë diskutimi këtu bëhet jo për të thënëdiçka, por për të mos thënë asgjë.

 

Nga ata që deklaruan se do të votojnë PËR, u tha se po e zgjedhin të keqen më të vogël. Mirëpo, ta zgjedhësh të keqen më të vogël do të thotë ta zgjedhësh të keqen. Dhe, ta zgjedhësh të keqen më të vogël do të thotë që pas kësaj zgjedhjeje ta rrisësh ca ta keqen. E keqja më e vogël nuk është njësoj e vogël sikur para se të zgjedhet sikur pasi që të zgjedhet ajo. Por, mbi të gjitha, deri kur do të zgjedhim këso të këqijash më të vogla? Kur do ta zgjedhim të mirën? Dhe, sërish, zgjedhja e vazhdueshme e të keqes më të vogël nuk është tipar i njeriut të lirë e sovran por i atij që është i shtrirë në spital ose i mbyllur në burg.

I burgosuri dhe pacienti vazhdimisht e zgjedhin të keqen më të vogël. Kosova nuk bëhet dot e lirë e sovrane nëse të tillë nuk janë pikësëpari deputetët e saj, përfaqësuesit e popullit të saj si ushtrues të sovranitetit siç edhe definohet në Kushtetutë.

 

As disa prej deputetëve që e bënë këtu njëfarëvetëkritike mazohiste s’janë të drejtë e janë të dëmshëm. Le të bëjnë vetëkritikën këta deputetë për veten e tyre. Vetëkritikë  individuale. Pse bëjnë këta deputetë vetëkritikë kolektive? Thonë, s’është gjë populli jonë, s’është gjë shteti jonë, s’është gjë shoqëria jonë, s’janë gjë politikanët në Kosovë, s’është gjë asnjë politikan në Kosovë. Fol për veten tënde. Këta njerëz i kanë ambiciet e mëdha individuale. Ndërkaq, për të qenë më keq se kaq, nuk kanë fare vetëkritikë individuale por vetëm vetëkritikë kolektive. “Po vetë e kena lypur ne Gjykatë Speciale”.

Jo, ndoshta ti e ke lypur, ne jo, populli nuk e ka lypë. Vendose në referendum dhe e sheh a e ka lypur populli.

 

Gjykata Speciale tashmë e ka sjellur fillimin e rrëfimit të ri për luftën e fundit në Kosovë. Ministri i Punëve të jashtme të Gjermanisë, Frank–Walter Steinmeier, gjatë vizitës në Kosovë para dy muajve deklaroi: “Nga përvoja gjermane mund të them që ballafaqimi me të kaluarën është bazë për atë që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt së ardhmes.”

A nuk do të duhej që ai këtë ta thotë në Beograd? Pse e krahason Kosovën e neve me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore?! Pikërisht Gjykata Speciale po bën që neve e jo Serbisë t’ia marrin për shembull Gjermaninë e pasluftës së dytë botërore.

U tha që edhe Serbia e ka njëfarë Gjykate Speciale atje. Mirëpo, për 160,000 joserbë të vrarë në 4 luftërat në ish Jugosllavi, nga Gjykata në Serbi për krime lufte e krim të organizuar janë dënuar vetëm 160 serbë. Thua se secili i vrau nga 1000! Duke lënë anash për një moment të torturuarit, të plagosurit, e të dhunuarit. E shumë më tepër se kaq tashmë kanë dënuar UNMIK-u dhe EULEX-i.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Pas nënshkrimit të ‘Zajednicës’(Asociacionit të komunave me shumicë serbe) e për zbatimin e saj nevojitet një rrëfim i ri për Kosovën, një narracion i ri për luftën e fundit në Kosovë, që t’i bëhet vendi ‘Zajednicës’. Gjykata Speciale ka mision historik e politik që t’i bëjë shqiptarët e Kosovës që kolektivisht të ndjehen fajtor dhe ta pranojnë me turp instalimin e Zajednicës në Kosovë.

Mbamendja jonë kolektive për luftën duhet ndryshuar në mënyrë që të mund të implantohet në trupin e shtetit dhe territorit të Kosovës ‘Zajednica’. Do të thuhet që Serbia bëri shumë krime mbi shqiptarët prandaj u lejua dhe njoh pavarësia e Kosovës, mirëpo shqiptarët i bënë krimet më monstruoze prandaj u njoh ‘Zajednica’ për serbët. Tash për tash, Zajednica nuk ka vend në Kosovë. Me rrëfimin e ri për historinë e Kosovën, me Gjykatën Speciale, qëllimi është që shqiptarët kolektivisht të ndjehen fajtorë dhe t’i bëjnë vend Zajednicës në Kosovë si një entitet territorial administrativ autonom brenda Kosovës e kundër Kosovës.

Gjykata Speciale konsiston në një histori të re politike për Kosovën.Historia politike është parashikim i së kaluarës. Gjykata Speciale duke parashikuar ndryshe do ta shkruajë ndryshe historinë.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Sot, më 26 qershor, janë bërë saktësisht dy vjet prej kur është votuar ratifikimi i marrëveshjes Thaci-Daciq me Serbinë. Pra, me 26 qershor të vitit 2013 u pat ratifikuar marrëveshja me Serbinë në këtë Kuvend. Saktësisht dy vjet më vonë po i hapet rruga Gjyktaës Speciale dhe Zajedincës.

Të hënën, Mustafa e Thaçi do të shkojnë në Bruksel për ‘Zajednicën’. Ata po duan që tëhënën t’ia çojnë peshqesh Vuçiqit e Daçiqit Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Duke mos votuar për këtë Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ju i lini duarthatë Vuçiqin e Daçiqin në Bruksel si dhe e vështirësoni sajimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë.

Nuk ka ‘Zajednicë’ pa Gjykatën Speciale dhe nuk ka Gjykatë Speciale pa ‘Zajednicën’. Nga historia e dimë se pas kapitullimit vjen Tribunali. Negociatat dhe marrëveshja e Thaçit me Serbinë me 19 prill 2013 ishin kapitullim. Serbia i fitoi integrimet evropiane, njëherë statusin e vendit kandidat e pastaj edhe negociatat për anëtarësim, Serbia e fitoi pushtetin në dhjetë komuna të Kosovës. Miliarda euro e dollarë janë dhënë në Kosovë për multietnicitet, e partia e Daçiqit e fitoi më shumë se çerekun e komunave të Kosovës kurse Kosova po e fiton Gjykatën Speciale për krimet e pjesëtarëve të UÇK-së!

Gjykata Speciale është infrastruktura e bosnjëzimit të Kosovës. Me ‘Zajednicën’ dhe Gjykatën Speciale, po i garantohet një luftë edhe brezit të ardhshëm në Kosovë, edhe fëmijëve tonë. Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve pa së paku një luftë të përjetuar. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra në jetën e tyre por s’ka asnjë brez pa asnjë luftë. Kemi shpresuar se mbase brezi që ka lindur pas luftës nuk do të përjetojë luftë sikurse ne. Mirëpo, me Gjykatën Speciale e me ‘Zajednicën’ edhe ky brez e ka luftën të siguruar.

Për fund, më lejoni ta kujtoj një thënie tëPaulo Herkenhoff, kur thotë se ‘kujtesa është përvojë që njerëzit e kanë vetëm kur mendojnë’. Mund të mendosh pa u kujtuar, por s’mund të kujtosh pa menduar e pa u menduar. Thirrja jonë te kujtesa historike është thirrje për të menduar për të tashmen dhe të ardhmen. Ne po kërkojmë që ju të mendoni. Kush mendon për Kosovën, nuk ia bën asaj Gjykatën.

 

Ju falemnderit. 

 

 

 

 

Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës mbajtur më 25 qershor 2015 lidhur me kontestin dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Qysh me 5 nëntor të vitit 2009, Lëvizja VETËVENDOSJE! e pat mbajtur një konferencë për shtyp, lidhur me kontestet kufitare të Kosovës, e posaçërisht të atij me Malin e Zi. Në këtë konferencë, së cilës i parapriu një studim yni i arkivave dhe disa vizita rajonit kufitar, patën folur Liburn Aliu, Muhamet Nikqi dhe unë me ç’rast i prezentuam qëndrimet tona, të dhëna të ndryshme, hartat e zonave ku janë uzurpuar ose pretendohen mijëra hektarë etj.

 

Në vitin 2008, kryeministri i atëhershëm i Kosovës i vendoste tabelat “Mirësevini në Republikën e Kosovës” në disa pika kufitare në Kosovë, por jo edhe në veri të vendit, ndërkaq në vitin 2009 patën filluar të tjerët t’ia vendosin Kosovës tabelat duke ia rrudhur territorin për disa kilometra gjithandej. Duket se për të vendosur marrëdhënie diplomatike me fqinjët, për pozita të ardhshme të ambasadorëve, për zyra e privilegje, për takime bilaterale, Qeveria e Kosovës po u jepte atyre territore mijëra hektarëshe.

Në këto pretendime ndaj territorit të Kosovës përveç hapsirës tokësore si të tillë, në shënjestër janë kuotat e larta malore që kanë rëndësi strategjike-ushtarake si dhe burimet e ujit.

 

Është interesante që tentativat për ndryshim të kufirit me Malin e Zi janë në kundërshtim edhe me Planin e Ahtisaarit, i cili përndryshe është përplot me padrejtësi. Në nenin 3.2 të aneksit VIII të quajtur ‘Sektori i Sigurisë’ në Planin e Ahtisaarit, thuhet që “Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e KSAK-së brenda RSFJ-së, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të RFJ-së dhe IRJM-së më 23 shkurt 2001.”

 

Kontestet me Malin e Zi janë te Kulla, në rrugën Pejë-Rozhajë, ku kufiri i Kosovës me Malin e Zi është zhvendosur 5 kilometra në thellësi të territorit të Kosovës. Në vitin 1974, kufiri ka qenë te vendi i quajtur ‘Varri i Nuses’, 29 kilometra larg prej Pejës dhe 18 kilometra larg prej Rozhajës. Kufiri tash është 24 kilometra larg prej Pejës, te ura te Qafa e Shkallës mbi Jabllanicë, 100 metra prej së cilës është vendosur tabela “Mirësevini në Malin e Zi”.

Në kuadër të përfitimeve të Malit të Zi, në vitin 1974, kufiri ka qenë te Qafa e Çakorrit, e mandej në vitin 1996, regjimi i Milosheviqit e ka zbritur te lumi Bjelluha – 8 kilometra më poshtë, me ç’rast janë humbur 2.900 hektarë. Ndërkaq, në vitin 1999, në vend se të kthehen këto, KFOR-i e ka sjellur kufirin te piramidat e betonit, edhe 5 kilometra të tjera në brendësi të Kosovës, gjë që bëri t’i humbim edhe 3.700 hektarë të tjerë.

Kësisoj, Kosova gjithsej i humbi 6.600 hektarë, dhe rrezikon t’i humb edhe 500 hektarë shtesë në Pashajlë, Dromodol dhe Lug të Shtedimit.

 

Me këtë rast, duhet theksuar edhe përgjegjësia e KFOR-it e cila shkon thellë në kohë, te mbarimi i luftës së fundit në Kosovë. Siç e dimë, me 9 qershor të vitit 1999, në Kumanovë, u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake ndërmjet gjeneralëve të KFOR-it (NATO-s) dhe gjeneralëve serbë të Ushtrisë Jugosllave. Kjo marrëveshje pesëfaqëshe përkufizonte shtigjet përmes së cilave trupat jugosllave do të tërhiqeshin nga Kosova. Mirëpo, me 9 qeshor 1999, gjeneralët serbë, me gjasë, i kanë kontrabanduar hartat e tyre si valide në këtë Marrëveshje, në të cilat Kosova ka kufij të tjerë. Harta topografike e Kosovës që është aprovuar në Kumanovë, e ku s’pati të ftuar asnjë shqiptar, sipas gjitha gjasave nuk përputhet me kufijtë e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Me luftën që ende s’kishte mbaruar në njërën anë, dhe me Maqedoninë e Shqipërinë përplot refugjatë shqiptarë në anën tjetër, duket se gjeneralët e NATO-s janë ngutur dhe e kanë pranuar hartën e Serbisë për Kosovën. Sot, anekënd Kosovës kemi probleme kufitare që rrënjët e tyre i kanë në Kumanovën e 9 qershorit 1999. Ndryshe nuk mund të shpjegohet tolerimi që KFOR-i u ka bërë pretendimeve të fqinjëve të Kosovës jo vetëm te kufiri me Malin e Zi, por edhe te ai në Karaçevë me Serbinë.

 

Shkopinjtë sinjalizues në zonën kufitare të Malit të Zi janë çdo një kilometër, por ato s’janë të vendosura edhe në këto 5 kilometra që i mori Mali i Zi rishtas. Në fillim të vitit 2000, doganat e UNMIK-ut janë vendosur pikërisht te ‘Varri i Nuses’ dhe më vonë kanë zbritur për shkak se moti është më i ftohtë te ai vend dhe me shumë borë. Po ashtu, kompanitë të cilat e pastrojnë borën, gjer në shkurt të vitit 2009, e kanë pastruar e çelur rrugën gjer te ‘Varri i Nuses’, ndërkaq kompanitë e Malit të Zi vetëm deri te kilometri i 18 larg Rozhajës.

Policia e Malit të Zi përveç në Qafë të Hajlës e Pashajlë, ka patrulluar edhe në Dromodol e Lug të Shtedimit. Për pasojë, nga autoritetet e Malit të Zi nuk është lejuar të mbahen lojërat tradicionale të Rugovës edhe pse ky territor figuron brenda hartës standarde të Kosovës. Policia e Kosovës është stacionuar në kilometrin e 21-të prej Pejës, pra plot 8 kilometra larg kufirit.

 

Dëshmi tjetër se këto 5 kilometra s’janë të Malit të Zi është edhe fakti që në vitin 2002 është përfunduar shtrimi i rrugës së asfaltuar deri në 29 kilometra larg prej Pejës, pra edhe në këta 5 kilometrat, me ç’rast dallohet ngjyra më e çelët e asfaltit në anën tonë ndryshe prej asfaltit në anën e Malit të Zi.

 

Gjithashtu, territor po humbet edhe në Bjelluhë, Lici, Vaganicat, Livadhet e Bukura, Qafa e Dasmorëve, Qafa e Murgashit te Gropa e Madhe e Bogajve. Mali i Zi në vitin 2009 i pat afruar shumë patrullimet e policisë në këto zona për të cilat ka pretendime të hapura. Në Radavc-Jabllanicë rrezikojmë t’i humbasim qindra hektarë kullosa.

 

Kufiri i Kosovës nuk është i qëndrueshëm as te Bjeshka e Sejmovës, në Jabllanicë të Vogël e të Madhe, ku rrezikojmë t’i humbasim sërish qindra hektarë kullosa.

 

Nga shumë shqetësime të deklaruara nga banorët, po e theksoi atë të Bekë Balajt, përfaqësues i fshatit Strellc: “Banorët e 13-të fshatrave të Deçanit dhe të Pejës, tash 11-të vjet janë privuar nga shfrytëzimi i kullotave në brezin kufitar me Malin e Zi. Këto bjeshkë i kanë nën pronësi që nga koha e sundimit të Turqisë.

 

Janë 42 pronarë të këtyre fshatrave, të parët e të cilëve Bjeshkën e Zhlebit e kanë ble nga begleret e Pejës para 150 viteve. Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në vitin 1927, qeveria e mbretërisë ka tentuar t´i privojë banorët nga e drejta e pronësisë. Por, pas ankesës me 1929, Gjykata Supreme e Jugosllavisë me seli në Shkup ua ka njohur të drejtën jo vetëm të shfrytëzimit por edhe të pronësisë, për të cilin disponojmë edhe me një vendim.

Me krijimin e Jugosllavisë se AVNOJ-it dhe themelimin e republikave të reja, kufiri në mes të Serbisë e Malit të Zi është vënë në Kullë dhe bjeshka është ndarë në dy pjesë, me ç´rast gjysma kemi paguar taksa në Rozhajë e gjysma tjetër në Pejë. Por, edhe me Kushtetutën e vitit 1974 dhe paraprakisht në vitin 1963, prapë kufiri ka mbetur aty ku ka qënë – te Kulla.”

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Kufiri Kosovë-Mal i Zi, në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, ishte në pikat Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë. Ky kufi është mbrojtur ushtarakisht në Luftën e Dytë Botërore. Në krahinën e Rugovës, e kanë mbrojtur gjashtë grupe të armatosura: Grupi i Zhukë Haxhisë, Stakaj; Grupi i Rizë Zymerit, Koshutan; Grupi i Salih Ramës, Bogë; Grupi i Isuf Mehmetit, Shtupeq i Vogël; Grupi i Haxhë Mustafës, Shtupeq i Madh; Grupi i Sak Faslisë, Koshutan. Gjashtë grupet kishin një komandë të përbashkët: Zhukë Haxhia ishte komandant ushtarak, kurse Rizë Zymeri ishte komandant politik.

Ndonëse pati edhe humbje në këto beteja, të plagosur e të vrarë, e ndër ta ra dëshmor edhe Sak Faslia, Rugova doli fitimtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Zhukë Haxhia u zgjodh kryetar i Rugovës, por shpejt gjendja politike ndryshoi. Pushteti synonte t’i burgoste prijësit. Në Shtupeq të Vogël u pushkatuan shtatë burra në lagjen Nilaj. Zhuka me bashkëluftëtarët e vet doli në mal e jetoi në mal deri në shkurt 1947, kur pushteti e dënoi me vdekje, kurse Rizë Zymerin e pushkatoi.

Në vitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1997-1999, brigada 136 “Rugova” e ka konsideruar linjën Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, vijë e kufirit me Malin e Zi, ku ranë dëshmorët e lirisë: Selman B. Lajçi, Besnik M. Lajçi, Ramush M. Lajçi, Xhavit S. Lajçi, Ramë A. Lajçi, Tone Lajçi-Husaj dhe Sokol Z. Nikçi.” (sipas Zymer U. Nezirit)

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Gjithmonë shqiptarët e Kosovës i kanë mallkuar kufijtë. Sepse, kufijtë ua kanë përkujtuar ndarjen e dhunshme dhe përherë kanë qenë kufij të dhunshëm. Tash, mbase ka mbetur të themi: eh, së paku sikur t’i kishim kufijtë e kësaj Kosove të shpallur të pavarur! Mirëpo jo, rrudhja po vazhdon dhe me gjithë këto konteste vështirë të bëhemi rehat në të ardhmen. E dimë se sa shumë zgjati para disa viteve kontesti midis Sllovenisë e Kroacisë, por Kosova ka probleme me të gjithë fqinjtë dhe kjo sigurisht se do të jetë rraskapitëse për neve.

Kontestet kufitare do të na mbajnë peng dhe ato e vështirësojnë shumë ekonominë dhe konsolidimin e brendshëm. Thjesht, Kosova sot vetëm me Shqipërinë nuk ka probleme e konteste kufitare. Të gjitha këto dhe shumë të tjera i patëm thënë ne të VETËVENDOSJE!-s me 5 nëntor 2011, pra para më shumë se pesë viteve e gjysmë.

 

Mirëpo, çka kanë thënë qeveritarët e Kosovës në vitet e shkuara? Në maj 2013 thuhet se demarkacioni me Malin e Zi përfundon në shtator të atij viti, pra të vitit 2013. Më 25 korrik 2013 deklarohet se demarkacioni përfundon brenda atij viti nga takimi Enver Hoxhaj – Igor Lukshiq në Bërdo. Më 20 nëntor 2013, ministri i atëhershëm, Enver Hoxhaj, para Komisionit Parlamentar për Punë të jashtme deklaroi se demarkacioni me Malin e Zi është kryer 80%, ndërkaq, më 27 shkurt 2014, i njëjti, pra ish-ministri Hoxhaj, thotë që demarkacioni i vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi pritet të përmbyllet kah mesi i asaj vere.

Ai bashkë me homologun e tij malazez, Igor Lukshiq, pas takimit, në një konferencë të përbashkët me gazetarë patën bërë të ditur se 95% e këtij procesi tashmë ka përfunduar. Pra po e shihni: qasja e tyre ka qenë “Bac u kry”, përfundoi… edhe pak… 80%, 95% e kështu me radhë. Por qysh po kryhet dhe ku po kryhet ajo është më pak e rëndësishme. Pra, se si të kryejnë punë, e jo se çfarë pune po kryhet!

 

Në fakt, është edhe më keq se kaq. Më 15 korrik 2010, pra edhe më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pat thënë se “Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi tashmë janë dakorduar që demarkacioni i kufirit në mes të dyja shteteve të bëhet brenda vitit 2010.”

 

Në takimin me ministrin malazez, Ivan Brajoviq, Rexhepi pat thënë se “Këtë çështje do ta zgjidhim shumë shpejt, pa kurrfarë pretendimesh territoriale për asnjë metër katror në asnjërën anë. Ne jemi pajtuar që kufiri administrativ të jetë edhe kufi shtetëror, vazhdon ai. Nëse një pronë është në dy shtete, atëherë ka mundësi të një shmangieje dhe të korrigjimeve të vogla. Mirëpo, jo më shumë se pesë apo dhjetë metra” thotë Rexhepi.

 

Ish-ministri i brendshëm dhe ish-kryeministri Rexhepi ka shkuar, edhe ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka shkuar, por fatkeqësisht ka mbetur Hashim Thaçi, i cili ka aftësi të specializuar që në dhoma të veçanta pa gjykim fare të lëshojë pe në kurriz të Kosovës. Prandaj, Kuvendit tonë i nevojiten procesverbalet dhe transkriptet nga ato dhjetëra takime me zyrtarët e Malit të Zi, për të cilat u lavdërua këtu ministri i jashtëm.

 

Duhet të jeshë tejet naiv ose njësoj tejet dashakeq, që të mbash shpresë se ky ministër i jashtëm na i mbron kufijtë. Mos harroni që pikërisht kur u shënua 99 vjetori i vrasjes në Podgoricë, më 16 janar të vitit 1916, i heroit tonë kombëtar Isa Boletini, ky qeshej në Podgoricë duke i lavdëruar marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi thuajse ata nuk na kanë borxh asgjë. Dhe, është po i njëjti njeri i cili në prill të vitit 2013 bën pazar me Daçiqin, atë marrëveshje nëpërmjet së cilës hedhen themelet e ‘Zajednicës’ serbe, brenda Kosovës dhe kundër Kosovës.

 

Pikërisht në prill të viti 2013 kur Thaçi nënshkruan marrëveshje me Daçiqin, bëhen 100 vjet, pra një shekull, kur Esat Pashë Toptani ia jep Shkodrën Malit të Zi. Në 100 vjetorin kur Esat Pashë Toptani ia jep Shkodrën Malit të Zi, ky ia jep Daçiqit Mitrovicën. Dhe, pse po them se ia jep Daçiqit Mitrovicën? Sepse pikërisht më 19 prill të vitit 2013 ky është dakorduar që komandanti i policisë për rajonin e Mitrovicës, ku hyjnë edhe Vushtrria dhe Skënderaj, të jetë serb i cili dihet se sot e ka emrin Nenad Gjuriq.

 

Prandaj, Kuvendi i Kosovës, edhe njëherë, ka nevojë për transkriptet dhe procesverbalet e atyre dhjetëra takimeve me të cilat u lavdërua ministri Thaçi, në mënyrë që ta marrim vesh se çka ka ndodhur e çka s’ka ndodhur.

 

Ju faleminderit!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s