Poezi lirike nga Rita Petro

Rita Petro

 

Poezi lirike nga Rita Petro

 

 

U NGRITËN NGA GJUMI PËRBINDËSHAT

 

U ngritën nga gjumi dy përbindëshat
Që jetojnë në kurmin tonë.
Ky dimër kish zgjatur
Më shumë se tre muaj
Mbase dhe tre shekuj
Kush e mban mend!
I shpërthyen zgavrat
Brenda trupave tanë një mëngjes
Teksa nuhatën aromat ndjellëse
Të natyrës çmendur në pllenim…
Të unët për ushqim,
Të unët për ndërzim hungërinë
E iu sulën njëri-tjetrit
Xixa sytë iu shkreptinë
U kapërthyen e u rrotulluan
Mbi barin e njomë
I shtypën
Lulet e milingonat aty pranë
U lëpinë
Derisa pështyma iu tha
U gërvishtën me thonj
Pa u shqyer
E pa nxjerrë asnjë pikë gjak
Grahën e grahën sa mundën
Ulëritën deri në ekstazë…

Dhe ashtu të nginjur
U rikthyen
Brenda trupave tanë.

 

Shkëputur nga Vëllimi poetik “Vrima”, 2014, botoi Albas

 

 

 

 

Hakmarrje fëmije

 

Kllounin prej lecke
E përqafoj fort
Ia laj faqet e pista me lot
E puth në buzët prej kadifeje të kuqe,
Ia hap krahët e i vë rreth qafës sime,
E detyroj të qëndroj mbi këmbët
Mbushur lecka e pambuk,
Po ai si një i dehur
Lëkundet andej-këtej,
Prej qafës së hollë
Koka i bie në gjoks,
Në vend të më mbajë,
Më lëshohet në këmbë.
Unë fëmija i zemëruar
Ia shkul fijet e flokëve një nga një,
Ia tërheq krahët anash me forcë,
Prej trupit këmbët ia gris,
Nga barku i nxjerr gjithçka ka brenda,
S’ngopem e s’ngopem së bëri çika
Viktimën – plaçkë…
Kur lodhem,
E kundroj me duart në mes, fitimtar.
“Guxo, mos më duaj prap!”

 

 

 
Shija e instinktit

 

Majën e gishtit
E ngula
Në zemër të asaj mase
Të mpiksur
Të kuqtë
U ça u fry
Të bardhën përgjaku
Me majën e gjuhës
E lëpiva
E thitha
Me buzët e etura
Çika- çika
E bëra të bardhën
Në dhëmballë
Derisa s’mbeti
Asnjë shenjë
Në pjatë
Nga veza syzë.

 

 

 
Kënga e natës

 

A do vish të shkasim
Në qetësinë e natës
Në lumin e zi
Që të çon te shpella
Ku jeton kuçedra?

Ajo është me barrë
Dhe do pjellë
Shtatë kuçedra të vogla
Që ushqehen me flakëza dashurie
Nga shtatë gojët e mëmës.

A do vish i dashur?
Ajo na pret.
Thotë se qyteti
Do mbetet pa ujë
Po nuk hëngri një çift dashnorësh.

Askush s’po i del për zot dashurisë,
Po ti?!

 

Shkëputur nga  Vëllimi poetik “Shija e instinktit” , 1998

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s