Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Mos më lësho
 
Mos më lësho në krahët e natës,
Atje ku një tjetri, trillet ia end,
Më ruaj brenda guaskës së zemrës,
Si perlë më ruaj, mos më lër në breg.
 
Në krahët e natës, mos më lësho,
Sepse si çdo grua, edhe joshem nga lojërat,
E dallgët e fjalëve, çoku të rrëmbejnë,
E si pa dashje, puth një breg tjetër.
 
Mos më lësho në krahët e natës,
Sepse kam frikë kur pranë s’të kam,
Nëse si trill të vij në ëndërr,
Mbamë mes ëndrrës, mos më lësho!
 
…mos më lësho në krahët e natës,
…mbamë mes ëndrrës, shtrëngomë fort…
 
 
 
…për të fundit herë…
 
…ta mbaj mend
fytyrën e dhembshur,
sytë e rreshkur nga vuajtja,
flokët e shpupurisur nga lëngata,
duart tek më kërkonin në eter…
 
…oh…
nuk munde
të më thërrisje në emër,
veç belbëzoje,
dhe unë bija jote,
në gjunjë të rashë,
të putha në sy e në ballë,
e edhe unë si ti,
veç belbëzova
të vetmen fjalë…
 
…dritë t’u bëftë rruga,
e imja dashuri
që shpirtin
nga shpirti yt ma fale,
e peng ma le
në kodrën plot baltë…
 
Veç qiparisat
të bëjnë hije
e ta flladisin
të zjarrtmin mall.
 
I urrej me shpirt
këto pemë të mistershme,
që brenda përjetësisë
fshehin kaq shumë mall.
 
 
 
Xhelozi ndjenjash
 
E prapë më thua: -Zemër, je e veçantë,
e si ti nuk gjendet kush në botë.
Por, kur makiazhin zë e hedh në mëngjes,
Xhelozon, e më thua: – E vë kot!
 
E unë fustanet zë e i ndërroj,
Sepse si cdo grua edhe unë kam teka,
Të pyes: – Hë, më thuaj, a më shkon?
E ti mbledh buzët, e thua: -Jo, nuk të shkoka!
 
E për inat, unë atë vesh,
Se e di, që thellë- thellë, ti atë do,
Xhelozinë tënde më shumë e shtoj,
E të llastohem me fustanin që ti s’do.
 
E nën qerpik ta vërej buzëqeshjen,
Që heshtur e fshehur, të endet mbi buzë,
Se dashuria s’ka nevojë për garderobë,
Është shpirti që e skalit si dalta mbi gur.
 
 
 
Vjeshta, e imja stinë e artë
 
E dini si më ngjan herë-herë kjo vjeshtë e artë ?
Më ngjan me një grua shpirtvalë
Që orë e çast kërkon të zbulojë
çdo pjesë të trupit të saj.
Të gjitha i heq, një e nga një,
cdo gjethe, cdo nuancë,
dhe del cullak me një bukuri të tejskaj.
 
E dini si më ngjan herë-herë kjo vjeshtë e artë ?
Më ngjan me poetët e çmendur,
Me ata që nuk druhen
të shkruajnë për lakuriqësinë e saj.
Me ata që të artën e gjetheve,
e vënë mbi të tyrin shtrat,
dhe e shtrojn’ si çarçafë të bardhë.
 
E dini si më ngjan herë-herë kjo vjeshtë e artë?
Më ngjan me një grua shtatzënë,
që pret t’i plasin ujërat nga çasti në çast,
të zbrazet e të lindë fëmijët e saj të artë. Një…dy…tre…ndoshta edhe shtatë.
 
…vjeshta… e imja stinë e artë…
… e çmendur… si unë…
.. në çdo cep të shpirtit saj…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s