Ylli S. Hoxhaj në letërsinë e viteve gjashtëdhjetë / Nga: Kujtim Mateli

 
Ylli S. Hoxhaj në letërsinë e viteve gjashtëdhjetë
 
Duke hulumtuar, gjurmuar dhe sistemuar shkrime, krijime e botime poetike, për një Antologji poetike të mundshme me krijuesit dëshnicarë, të paktën për këto dy shekujt e fundit, rimora në dorë edhe “Balada pa mite” të poetit dëshnicar Ylli S. Hoxhaj. E rilexova me endje dhe gjeta, poetin, që nuk e kisha vënë re në leximin e parë, poetin që sillte edhe një krijimtari poetike më përfaqësuese e më dinjitoze të viteve gjashtëdhjetë e këtej.
 
***
Një vend ka për kohën në të cilën jetohet, por dhe për brezat pasardhës, fytyrën që i gdhendin shkrimtarët dhe artistët. Ajo që nuk shihet nga të tjerët: politikanët, ekonomistët, gjeografët, historianët, matematicienët, fizikanët, arkeologët, gjeologët etj., përbën dhe objektin e shkrimtarëve dhe artistëve. Kjo është bota shpirtërore e njeriut. Po, nëse për botën materiale janë disa degë të shkencës që e pasqyrojnë atë, botën shpirtërore të njeriut e pasqyrojnë vetëm shkrimtarët dhe artistët. Nëse bota materiale nga autorët e një periudhe të caktuar historike nuk është pasqyruar si duhet, brezat pasardhës i kanë mundësitë që nëpërmjet dëshmive ta evidentojnë atë realitet të munguar, sepse bota materiale i ruan gjurmët e saj për një kohë të gjatë. Ndryshe ndodh me botën shpirtërore të njeriut. Ajo, nëse nuk pasqyrohet në mënyrë adekuate, në kohën e duhur, i humbet mundësitë e pasqyrimit të plotë e real.
Në këtë kuptim shkrimtarët dhe artistët, veprat e tyre, janë dëshmi të rëndësishme që pasqyrojnë kontinentin, shtetin, krahinën apo qytetin në të cilin jetojnë. Po, ndryshe nga degët e tjera të shkencës, të cilat ndikojnë në një periudhë të caktuar (me përjashtim të zbulimeve shkencore), veprat artistike rrezatojnë jo vetëm për brezin për të cilin u shkruan, por kanë fuqi rrezatuese dhe për brezat pasardhës. Kjo është fuqia e artit, e cila i kapërcen kufijtë kohorë. Po le të kthehemi te “Balada pa mite”:
Ylli Hoxhaj është poeti dëshnicar që mundi të njihet me poezinë e tij të parë përtej trevës së Dëshnicës, qysh në vitet 1960. Ajo u pasua nga poezi të tjera. Nuk kemi të bëjmë me krijime rastësore, ku autori nxitet nga ngjarje a dukuri të veçanta dhe pastaj hesht. Ylli Hoxhaj ngulmon të futet në grupin e krijuesve, duke u bërë ndër të parët krijues dëshnicar që kërkon ta përfshijë trevën e tij si pjesë e letërsisë shqiptare. Njihet mirë brenda trevës së Përmetit, por edhe jashtë saj. I palodhur. Në rrethet letrare shihej si një krijues që premtonte, ndihmonte dhe nxiste talentet në formim. Tashmë kishte tërhequr vëmendjen e opinionit letrar e publik. Ishin në rritje letrarët e rinj dëshnicarë që po hynin në rrugën e bukur të poezisë dhe kërkonin ndihmën dhe përkrahjen e tij. Dëshnica po shënjonte me poezitë e krijuesve të saj: tempullin e artit të fjalës.
 
***
Një tempull quhet i krijuar, kur në dyert e tij fillojnë e trokasin besimtarët. Ishin me dhjetëra nxënësit, por dhe kolegë të tij a dashamirës të letërsisë që kanë marrë miratimin e tij në krijimet e tyre të para. I drejtoheshin me besimin se do të gjenin shpjegimin e magjive që të krijon arti i fjalës. Po dhe besimi i Yllit se këto vajza dhe djem do ta gjenin udhën e tyre tek arti i fjalës, ishte i madh. Në të vërtetë, arti është marrëdhënie e publikut me krijuesin. Sa më cilësor që të jetë arti, aq më i lartë interesimi i publikut. Sa më i lartë interesimi i publikut, aq më e bukur bëhet faltorja e tempullit. Mund të themi se tempulli i letërsisë dëshnicare, i sapo krijuar, falë krijuesve të saj që vazhdimisht kanë rrezatuar talent, bujari dhe mirësi, i pati “besimtarët” e saj edhe nga e gjithë treva e Përmetit.
Po dhe tempujt kanë ecurinë e tyre në rrjedhë të kohës. Rrethanat e favorizojnë vazhdimësinë e tyre ose e pengojnë, por kurrë nuk mund ta ndërpresin, nëse si gurë të tij kanë shërbyer zemrat e besimtarëve. Në këtë tempull të artit të fjalës, dëshnicarët kishin vendosur zemrat e tyre. Po ishim në një kohë tepër të egër. Po shembeshin tempuj me jetëgjatësi 2000 vjeçare, siç ishin tempujt e besimit fetar.
Historia e trevave shqiptare po përsëriste historinë. Tempujt e krishterimit, të cilët u ngritën mbi rrënojat e tempujve pellazgjikë 1500 vjet më parë, nuk mundën dot ta zhduknin historinë e tyre, e cila erdhi deri në ditët e sotme. Shqipëria e viteve 60-të, në vend të tempujve të besimit dhe të kulturës, nxiste dhe krijonte pseudotempujt e saj partiakë e politikë, të cilët ishin kudo dhe kontrollonin tërë jetën e shoqërisë, madje, me shumë vëmendje edhe jetën kulturore dhe letrare. Do të pranohej lehtë prej tyre në atë tempull edhe poeti i ri dëshnicar?
Po e ndërpres komentin për atë periudhë se për atë do të flasë më mirë vetë poeti:
Po le të kthehemi te Dëshnica dhe historia e saj. Ndryshe nga trevat e tjera shqiptare që kishin tempuj kushtuar perëndive, Dëshnica ka pasur në gjirin e saj orakullin e Dodonës, që ishte i vetmi i dëgjuar dhe i përmendur nga autorët e antikitetit. I dyti ishte ai i Apollonit në Delf, i konsultuar nga grekët. Po çfarë ishte orakulli i Dodonës? Një vend i shenjtë që kryesisht nëpërmjet lëvizjes së pëllumbave a fëshfërimës së gjetheve, parashikonte fatin dhe ardhmërinë nga njerëzit e thjeshtë e deri tek mbretërit. Krijuesit e artistët përmetarë dhe dëshnicarë, duke qenë bashkëkrahinas me Orakullin e Dodonës, kanë pasur përherë bekimin e parashikimin e ardhmërisë e të ndriçimit të artit të tyre…
Rikthehemi tek letërsia dëshnicare e viteve 60-të. Cili është roli i Ylli Hoxhajt, si krijues në ato vite? Cilat janë ato krijime poetike për të cilat ndihemi krenarë dhe që janë pasqyrë e shpirtit dëshnicar?
Në librin antologjik ”Balada pa mite,” botuar më 2006, ciklin e tretë autori e quan “Përmallim”. Aty janë përfshirë një tufë lirikash të shkruar në vitet gjashtëdhjetë e në vazhdim. Ato dëshmojnë për dëshirat e pasionet e moshës së rinisë, për një poet të ri që po vinte në letërsinë e kohës, si edhe për ca përpjekje të dështuara, për pamundësitë e pengesat e ndonjë botimi poetik të atëhershëm, etj.
Poeti e përjeton kohën me gjithë prapësitë e saj, por ka bërë një pakt me poezinë e tij: të bashkëjetonin të heshtur e të mos i ndaheshin kurrë njeri-tjetrit:
Le të qëndrojmë në disa nga këto poezi: Poezia e parë që poeti botoi është: “Vargje për teto Feten”në gazetën “Zëri i Rinisë”, më 20 gusht 1960, kur sapo kishte mbushur moshën 18-vjeçare. Ajo i kushtohet jetës shkollore dhe konviktore, në Pedagogjiken “Pandeli Sotiri” Gjirokastër.
Janë emocionet e moshës adoleshente ato që e ngjyrosin këtë poezi. Nënë Fetja është pastruesja, njeriu më i afërt për të gjithë ata nxënës që ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Po pse poeti, në të gjithë atë staf mësimor dhe personelin që punonte aty, zgjedh Feten për t`i përkushtuar asaj një nga poezitë e tij të para, e ndofta nga më të bukurat. Sigurisht që nëna është njeriu më i dashur. Aty, të gjithë ata konviktorë, shikonin tek Fetja tiparet e nënës së tyre. Ndaj e donin siç i donte ajo. E gjithë kjo atmosferë e gëzueshme që krijonte vetë mosha rinore, si një shpërthim i flaktë pranveror, jepet me detaje konkrete që të japin emocione të forta dhe gjithsecili kujton fragmente nga jeta e tij:
Poezia “Vargje për teto Feten” është një himn që i kushtohet njeriut të punës. Fillimisht poezia na sjell portretin e saj: / Flokë thinjur, ballin rrudha,/ Vjen për çdo mëngjes,/ S’e tremb nata, s’e lodh udha,/ Çelësat mban në brez./
Teto Fetja i kujton poetit të ri Nënën dëshnicare, që, njësoj të dyja, mbanin pastër jo vetëm shtëpinë dhe oborrin, por edhe rrugicat e lagjes. Rrugicat, si mjedis i përbashkët jo vetëm për banorët e lagjes, por dhe për mikun e udhëtarin që i binte rruga asaj ane. Në vapën e verës, udhëtari gostitej me një gotë dhallë apo dhe ujë dhe i bëhej ftesë të pushonte pak nën kurorën e pemëve që mbulonin muret e oborrit. Në dimër gostitej me një gotë rehani a pekmez, prodhime të rrushit, ose pritej brenda në shtëpi për ta gostitur me një gotë raki a diçka tjetër.
Këtë mjedis mikpritës të lagjeve e të fshatrave tona, Teto Fetja e krijon edhe në mjediset e shkollës. Shkolla shkëlqen brenda e jashtë saj. Është e para që interesohet se si janë përgatitur djemtë e saj në mësime. Dhe midis teto Fetes dhe nxënësve nis një bashkëbisedim i ngrohtë, shumë prindëror:
Dimër. Bora e bardhë bie pa pushim. Era e ftohtë mpin mollëzat e gishtërinjve dhe i pengon fëmijët të shkruajnë. Që do të thotë më pak vëmendje në mësime, më pak njohuri për të nesërmen. Teto Fetja i di të gjitha këto dhe i mban sobat ndezur. Dhe bashkë me sobat ajo mban ndezur dhe zemrën e saj për këta fëmijë. Djem dhe vajza mbledhur tok, rrotull teto Fetes. Ajo di t`ua lexojë vështrimet. Ç’ thonë ato shikime ngulmuese? Ç` thonë ato buzëqeshje që u flladitin fytyrën? Teto Fetja merr përsipër rolin e këshillueses-nënë. Kritika të veçanta për vajzat. Këshilla të veçanta për djemtë. Herë-herë këshillat e saj e humbasin kuptimin e tyre të drejtpërdrejt dhe ua lë të rinjve ta çelin vetë udhën e jetës së tyre: “Jashtë bora flokëbardhë,/ bie pa pushim:/“Merrni dru,- thotë,-se mardhët,/Sot bëka thëllim…”/Rrotull stufës muhabetin/ Tetua flakë e ndez:/ “Djem këtu kam plot një jetë,/Me ju dua të vdes!…/ Dhe dëgjoni Teto Feten:/ “Çupat i mbroj unë,/ Po gacmuat, do ta hani /Si gomari drunë!”/…Teto Fetja s’bën lëshime,/ Vajzave u flet:/“Mos m’u tundni si kadëna,/ Kaq duan djemtë!/ S’ndizet zjarr e nuk del tym,/ Kur s’ka dru në sobë,/ Po qëndrove mbi qymyr,/ Të bie në kokë!”… /Jashtë bora flokë-flokë,/ Ia ka bërë fora,/ rrotull stufës Teto Fetja/ flet me metafora./
Këshillat e saj orientojnë drejt një dashurie dhe miqësie plot dritë dhe të rinjtë, ia dinë romuzet Tetos. Ato fjalë e këshilla do t’i ndjekin ata tërë jetën: në punë, në familje e në shoqëri, sepse u fliste zemra e një Nëne pastërtore.
Poezia “Vjersha e parë” na jep atmosferën kur adoleshenti trokiste në portat e poezisë. Por ajo derë është e vështirë të hapet për vetë mistikën me të cilën mbështillet. Poezia na jep atmosferën e punës së fshatit. Babë e bir punojnë bashkë arën me parmendë. Secili mendonte dhe thurte planet e veta: Babai nxitonte ta përfundonte shpejt arën e ta mbillte. Djali i vogël, me një kazmë thyente plisat në brazdën e hapur, por ca vargje e rima të një poezie që po i lindte në kokë, po e mundonte më shumë se plisat poetin e vogël. Të dy nxitonin. Babai mendonte t`i përfundonte shpejt ugaret. Poeti përpiqej të përfundonte vjershën e re. I gjithë sekreti i bujkut qëndron tek punimi i parë i tokës. Plisat duheshin thyer mirë. Tok me brazdat që kthente parmenda vështronte edhe djalin që thyente plisat i djersitur dhe mendonte se kur do ta bënte arën për farë.
Më shumë se plisat djalin e mundonte vjersha. Balli gjithë djersë e këmbët gjithë baltë po ngjisnin një poezi të mundimshme. Po djali ecte pa ndërprerje midis këngës dhe plisave. Ndalte pak të mbyllte një strofë, por koha s`i mjaftonte. Qortimi i babait: “shpejt djalë t`i mbarojmë plisat sonte” ia largonin dhe vargun, dhe rimën. Më në fund ara u mbyll dhe priste farën. Vjersha e poetit u tret diku… mbeti e papërfunduar.
Ku janë tashmë ato vargje? Mbetën arave, tok me fëshfërimat e gjetheve. Një pamundësi për t`i hedhur në letër. Poeti e ndien ende ritmin e atyre vargjeve dhe në kërkim të tyre shkroi vargje dhe poezi të reja. Shpërthyen ato bashkë me farën. Sa të ngjashme ato vargje me trokun e kalit që bujqit e ndiqnin pas për ta kapur dhe të shinin grurin në lëmë… Sa të ngjashme janë ato me gurgullimat e ujëvarës së kaltër tek zbret mbi rrugën buzë lumit:
/E nisa nëpër ara vjershën e parë. /Kur me babanë kthenim ugarë. /Më mbushej balli djersë e këmbët baltë,/Po ato vargje më dukeshin mjaltë. /Mbinë me farën, a ngrinë në thëllime!? /Ato dhe sot më vënë në mendime: /Me djersë ballit e këmbët me baltë, /E nisën rrugën, ato vargje mjaltë./
Mëngjeseve të kaltra, mbi plisat e thërrmuara të ugareve, ato u kthyen një e nga një, në poezi të reja, teksa poeti vazhdonte të hidhte farën e arës dhe të krijimit poetik.
Poezia “Thinjat e prindërve” trajton raportin që krijohet midis prindërve dhe fëmijëve. Nga njëra anë kemi përkushtimin e brezit të ri për t`i dalë zot vetes, nga ana tjetër merakun e prindërve, nëse fëmija e tyre është i denjë për të kryer misionin që ka marrë përsipër.
Mjaft autorë kanë trajtuar në poezitë e tyre konfliktin që lind midis brezave, që në thelb është midis traditës së vjetër e cila përcjell tek brezat pasardhës atë që është arritur në shekuj dhe mijëvjeçarë dhe që u ka shërbyer shumë brezave për të ruajtur identitetin e familjes, të fisit, të krahinës, deri në atë kombëtar dhe prurjes së re që sjell brezi i ri, e cila jo në të gjitha rastet është ajo që pritet.
Poeti na jep raporte të ngrohtë familjare, ku marrëdhënia prind-fëmijë përsoset më tej si një marrëdhënie vazhdimësie. Babai e pushon interesimin, sapo bindet që djali i tij, si mësues, punon me ndërgjegje.
Po interesimi i tij nuk pushon në një tjetër drejtim. Ashtu siç kërkon që nëpërmjet punës të ruhet tradita dhe emri i mirë i familjes, kërkon që të ruhet dhe ekzistenca e saj, që trungu stërgjyshor të shtohet me filiza të rinj: me nipër e me mbesa. Ndaj ngutet që djali t`i sjellë sa më shpejt një nuse në shtëpi. Shpenzimet e dasmës i ka bërë gati me kohë: rakia po shkumëzohet në damixhana e qengjat po presin.
Edhe e mira Nene pret e pret gazin e djalit: /“Dhe ëndërrojnë ata e, çdo të shtunë/ shohin nga rruga larg:/ ”Mos, kushedi?!”/ Nëna atë ditë bën një byrek më shumë,/ Dhe zakonisht vesh edhe fustanë e ri./ Ngrysen e gdhihen ata, me këto mendime,/ Javët i shtyjnë, presin lajmin e ri,/U nxori thinja e mira Nusja ime,/ Që ende s’po gjendet dhe s’duket në shtëpi./( Petran, 1967)
Ritmi i poezisë ngjason me rrjedhën e një burimi që gurgullon ëmbël në një zallishte.
Poezia është organizuar në strofa katërvargëshe dhe tingëllimat nga përplasja e rimave sipas skemës ABAB, krijojnë muzikalitet të veçantë duke e bërë poezinë një krijim origjinal, i nxjerrë nga muza e poetit Ylli Hoxhaj.
Tek poezia “Prag pranvere”, personazhi lirik ndodhet i vetmuar. I mungon ajo që ai do dhe dashuron. Ajo nuk ndodhet aty. Nuk është në grupin e njerëzve që shëtisin në bulevardin e qytetit. Ç`të bëjë? E la shëtitjen e zakonshme të mbrëmjes, ngrohtësinë e bisedave dhe këmbët e çuan në një mjedis të veçantë që t`i kujtonte sadopak vajzën që dashuronte dhe që i mungonte.
Në atë fillim marsi, tej, një bajame e vetme kishte filluar të lulëzonte. Natyra e fton të sodisë mrekullinë e saj, por poeti nuk tundohet. Nuk e bën për vete asgjë. Gjithçka lidhet me vajzën që do. Bardhësia e zbehtë, e ngjyrosur në gri, i kujton fustanin që vasha e tij pëlqen më shumë. Perëndimi ngjyrë alle i kujton buzët e saj, cicërima e largët e një zogu i kujton ligjërimin e vashës, bisedat intime.
Gjithë kjo atmosferë pranverore ushtron trysninë e saj mbi qenien njerëzore. T`i përshtatet asaj apo të shkrihet dhe të bëhet bashkë me të si një e vetme? Shkopsit kapartinën dhe bluzën dhe bëhet njësh me natyrën. Ndonëse muzgu po e mbështjellë dalëngadalë luginën, syri shikon veç hapësirat e bardha. Janë imazhe që e lidhin me vajzën që do. Ajo i mungon kësaj mbrëmjeje. Mos ndoshta e kishte sfiduar me mungesën e saj ashtu si bajamja rebele e Kutalit që sfidonte stinët e vitit? Në këtë ecje që e shoqëronte vetmia, nuk ishte fillikat. Një yll i ftohtë mbi malin e Kokojkës, ndjek rrugëtimin e tij. Tani flet me të e bisedon. Është ylli që pak më parë kishte kaluar nga vendlindja e Naimit. Teksa ecën fillikat, qenia e tij mbushet me dritë dhe bardhësi. Përjeton ndjesinë e një takimi. Një takim ku Ajo, Bajamja dhe Pranvera ishin shkrirë në një të vetme: / Kush është që më thërret?!/ Një yll i ftohtë mbi Majë të Kokojkës, /Edhe hesht,…edhe flet. / Gjithsesi ishte një takim./…Këtë herë Pranvera, Bajamja e Ti /u…bëtë një./
Pasi e lexon poezinë, ndjen se ndodhesh në një prag pranvere, pavarësisht se jashtë dhomës tënde mund të bëjë ngricë apo acar. Je i zhytur në një buzëmbrëmje atje në periferi të qytetit të Përmetit, pavarësisht se mund të jesh në Tiranë, Paris apo Londër. Edhe pse është një nga krijimet e para të autorit, tregon se që në moshë të re, Autori kishte arritur ta njihte mirë strukturën e poezisë. E lexon poezinë dhe të duket se kjo ka ndodhur një natë më parë dhe përjetimet e heroit lirik të 50 viteve më parë përzihen me ato të tuat. Kjo poezi e Ylli Hoxhajt i ka shkrirë largësitë dhe kufijtë kohorë.
Poezia “…s`mu ndave” ka lindur nga një detaj konkret: Poshtë fshatit Kutal, ndanë rrugës kryesore, një bajame lulëzonte e para, qysh në muajin shkurt. Këtë dukuri natyrore që përsëritej çdo vit, poeti e përjetonte edhe poetikisht:
Kjo dukuri natyrore shkon paralel dhe me dukuritë shoqërore të kohës: Bajamja, në penën e poetit bëhet alegori e dyfishtë: lulëzimi i parakohshëm i kësaj bajameje është pararendëse e një pranvere që po troket. Ajo çel dhe lulëzon, por nuk lidh fruta, “nuk arriti një herë të bëhej nënë”… Ajo sakrifikohet për t`i dhënë sinjalin njerëzimit se dimri i ftohtë po largohet dhe pranvera është afër. Pas saj do të çelin qindra dhe mijëra të tjera, por bajamja martire që e pranonte sakrifikimin do të mbetej klithma e parë që nëmte Dimrat e akullt. Atëherë dimri do të ishte larguar dhe lulet e tyre do të kthehen në fruta: / Kjo lulësia e bardhësia jote shkrepëtit, /i hap sytë botës, që dremit./
Në një diskutim për librin, disa vite më parë, poeti u pat thënë lexuesve: “Bajamja e Kutalit është simotër me poezinë time, e cila më trokiti herët me lulesi, provoi acarret e dimrave, nuk mundi të dilte me një libër poetik; njësoj si kjo “bajame” që nuk u bë kurrë nëne, dhe, që kurrë nuk m’u nda dhe nuk iu ndava”
Në këtë mënyrë bajamja është simbol i atyre njerëzve që e sakrifikuan veten për të zgjuar botën e dremitur. Bajamja është bërë simbol i atyre që e sakrifikojnë veten, megjithëse e dinë që asgjë nuk përfitojnë vetë nga sakrifica që po bëjnë. Po e ndiejnë se nga kjo sakrificë, diçka më e mirë do t`i vijë shoqërisë njerëzore.
Po cili është ai që po kërkon të zgjojë botën e dremitur? Sigurisht vetë poeti dhe ëndërrimtarët. Në shoqërinë njerëzore poetët kanë qenë pararendësit e lëvizjeve të mëdha. Qëndrimet e tyre janë artikuluar shumë kohë më parë se ato të kanalizohen në qëndrime politike. Sakrificat nuk shkojnë kot. Ato zgjojnë individë dhe grupe shoqërore. Atëherë njerëzit mendojnë dhe veprojnë. E gjithë shoqëria njëjtësohet dhe e ndien se po afrohet një stinë e re: /“Në portat e zemrave tona pranvera troket,/ Erdha,-thotë ajo,- erdha shpejt.”/ Cili është ai që nuk është tunduar në jetën e vet që të dalë përtej vetes dhe të shpërndajë mirësi dhe dashuri për të tjerët? Në veprime, jo të gjithë janë të suksesshëm. Megjithatë, çdo hap i hedhur drejt mirësisë, drejt përkujdesit dhe vëmendjes ndaj të tjerëve, është hap drejt udhës ku po ecën njerëzimi. Ndaj kësaj udhe janë ata që me mendjen dhe zemrën e tyre e ndriçuan atë, i dhanë dritë. Ja, si kjo bajamja e Kutalit, ndanë udhës kryesore që sfidon ngricën për t`u kujtuar kalimtarëve se duhet bërë diçka për ta mundur dhe mposhtur dimrin e egër që mundon zemrat njerëzore: /” Ky lulëzim i beftë, puthjet e zemrave ndez, / Ndonëse tërë ajo lulësi, shkrin dhe me borën vdes”./
Mesazhi i kësaj poezie është i qartë: njeriu jeton që të paktën një herë në jetën e tij të ndezë zemrat njerëzore. Nëse e përmbush këtë mision, pak rëndësi ka, nëse jeta e tij fizike ka vazhdimësi apo jo. Nëse njeriu sakrifikon, shumë gjëra do të humbasë nga jeta e tij vetjake. Ja, si kjo bajamja që asnjëherë nuk u bë mëmë, sepse lulet e saj nuk i ktheu dot në fruta. Po vazhdimësia e saj është në fytyrat njerëzore, tek shpresa që u dha njerëzve, tek besimi që krijoi se dita, që pranvera do të vinte, nuk ishte e largët.
Poezia është shkruar në vitet `70-të, (në atë vit që kjo bajame vdiq) dhe është një nga krijimet më të bukura të autorit të atyre viteve, madje dhe të letërsisë bashkëkohore. Ajo mund të zërë vend pa mëdyshje në çdo antologji poetike të poezisë shqiptare. Simboli i bajames, i dimrit me ngricat e tij dhe i Pranverës që “troket” ishte armiqësor për ideologjinë dhe Shtetin e kohës. Sikur, autori ta prishte të ashtuquajturin “pakt i heshtjes” me poezinë dhe ta botonte këtë lirikë, ose ta publikonte, qoftë edhe në rrethe të ngushta, pasojat kuptohen lehtësisht. Pranohej dhe ishte ngritur në kult që mund të sakrifikoheshe atëherë vetëm për idealet e partisë-shtet. Dhe sakrifikuesit shpalleshin dëshmorë dhe heronj. Ndaj, për tërë këto shtrembërime ideologjike autori e lexuesit e mundshëm duhet të jepnin llogari tek ndonjë zyrë e shtetit për shumë pikëpyetje: “Ç’është ky dimër që than lulet dhe pemët e socializmit, kur ne nuk kemi Dimra, por veç pranverë të përjetshme!? Madje nuk pritej Pranverë që troket.”… “Ç’është kjo botë që dremit dhe bajamja e poetit i hapka sytë!?”… “Po ky padurim?!…”, po kjo lulësi e bardhësi që shkrepëtit ç’ na qenka(!)”, etj. si këto. Alegorisë së poetit ia ndjen lehtë shpotinë therëse. Ajo është sa e fshehur aq edhe e hapur. Dhe këtu jemi jashtë sakrifikimit partiak. Sakrifikimi bëhej që të zgjonte shoqërinë nga përgjumja…Sakrifikimi partiak ishte jashtë koncepteve estetike të poetit. Ai kishte standardizuar e censuruar artin e fjalës së lirë. Ky qëndrim estetik, nuk mundi të hyjë kurrë në krijimtarinë e Poetit.
 
***
Ky cikël poetik i poetit Ylli Hoxhaj, edhe pse në hapat e para të krijimtarisë së tij, flet se autori i ri e kishte kuptuar mirë misionin që ka letërsia në jetën shoqërore. Ajo është një tribunë emancipuese ku realiteti shoqëror përthyhet në realitete estetike. Ai kishte kuptuar se arti nuk është vello me të cilën zbukurohet realiteti. Realiteti estetik i poetit ia kishte zhvoshkur njeriut të thjeshtë mantelin e kuq që i kishte hedhur përsipër ideologjia komuniste e kohës. Me atë mantel, njeriu ishte tjetërsuar. Nëse edhe poeti ynë do të kishte vepruar si shumë prej krijuesve te asaj kohe, poezitë e tij mund të ishin të shumta në numër, pas botimit në ndonjë gazetë apo revistë, por do ta kishin dhënë frymën në muzg të atyre viteve. Fatmirësisht ato e kapërcyen kohën në të cilën u shkruan dhe kanë ardhur të freskëta deri në ditët tona. Është meritë e autorit që poezinë e ruajti si art: pa e dyzuar dhe pa e deformuar atë.
 
 
 

Nga: Kujtim Mateli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s