DRENICA (Poemë me prolog e epilog) / Poemë nga Jakup Ceraja

 
Poemë nga Jakup Ceraja
 
 
DRENICA
(Poemë me prolog e epilog)
 
Drenica
Prologu
E Bukura e Dheut
mbi të bukura të dheut
na bën verë
me prag e derë
na jep hak
me djersë e gjak
 
o Dashuri mbi dashuri
që jep veten e mban Besën
s‘mban në gji
dergjë as tradhti
për maje në lis
me plis e fis
 
Ecën me ty një krenari
lart mbi lart Froni i Artë
këndojnë për ty gra e femijë
lart mbi lart Ylli i Zjarrtë
lule në ballë liria mallë
zemër e përvëluar në gjak të valë
 
Vajzë e djalë t’i ka falë
para thembrës sy i mendjes
në frymë veriu, në borë e shi
buzëqshet fusha, krenohet mali
shqiponja simbol në krah ushtari
 
 
Përsëritja e historisë
 
Në asnjë stinë e herë
ata nuk lindën në një ditë
në një orë
apo në një dakikë,
por me dhjetra e qindar herë
vdiqën në një dakikë
si askund në këto anë
që për dreq quhet Ballkan
 
kujtoni Toplicën e Kosanicë,
Llap e Drenicë
të kohës së kralit!
 
Kujtoni plojën e shumëfishtë
të dreqit komunist
me Preshevë e Polluzhë
me Gjilan e Prizren
me Gradicë e Lludovik
e dilni në Tivar
zinë e zezonës
për çdo shqiptar!
 
 
Revolta e poetit
 
Dhe tash, ju kritikë të mpitë,
do të më qortoni keq
pse nuk jam më lirik
pse nuk kam metaforë,
figurë e simbol
pse rikujtoj e mburrë
qëndresë e heroikë
si në kohë Homeri
në këtë kohë kompjuteri,
kur jemi Evropë
dhe duam të shkojmë në Evropë
si popull i butë
me penë e pa hutë
me njëqind psehe tjera
sa s’m’ i zë dritarja
as dera! Mac,
hypni në bërryl
të vargut tim,
do ta shihni Ajfelin,
Portën Triumfale dhe Senën,
Ndoshta edhe Luvrin
e Sen Zhermenin,
por s‘ do ta shihni ate ditë
që më bën të lig
të bëj lirikë për estetikë
të rreptë si rrufeja
bekuar edhe nga Ismail Kadareja
 
 
Prekazi i Poshtëm ose Kanibalizmi
 
Akuza
 
Eh, Evropë!
Eh, zoti kuk!
Eh, Amerikë!
Eh, zoti Gelbard!
A ndiheni mire?
A ju kap lemza?
A ju zë gjumi?
A keni tugë me barkqitje?
 
Drekoni qetë në hotelin “Ballkan”
Pini verë të bardhë
Edhe të zezë
Vetëm le të jetë
nga rrush Rahoveci
me etiketë çirilicë,
verë të kuqe mos pini
të këtij rrushi kokërrmadh
me pamje gjaku
të “terroristëve” fëmijë
të copëtuar e të grirë
pas sinjalit tuaj të gjelbërt
nga ata që miq i kujtoni
dhe i doni
edhe pas Bosnjës!
 
Lirë bisedoni,
atje në Beograd
e keni shkurt e qartë –
në drekë me dhelpra
në darkë me ujq –
natën me vete mund të flisni!
 
Këtu në Prishtinë
mund edhe të belbëzoni
ju kuptojnë mirë –
në drekë me gjela
në darkë me pula –
natën mund të flini të qetë!
 
 
Balada për Drenicën
 
Tha një nënë shëndetligë
me një fëmijë ngryk:
-Aman u qoftë, o zotërinj,
kini, së paku, pak erz,
me llafe mos u tallni
keshe po na ankoni! Ja,
tutje janë djemtë tanë,
të zemrës e gjakut
në shi, në borë,
në erë, në acar
i bëjnë nder pragut
dhe shtëpinë s’ e lëshojnë
tamam si ata trimat e këngës!
Ndoshta për ju këto njëqind varreza
janë gërvishje në gishtat e këmbës
të çobanëve zbathur nëpër gur e ferra,
plagë krejt të vogla
me shumë qelb e dregëza,
lojë me guralecë e gogla
sheshit e lëmës ?! Ndoshta,
por bombardimi i shtëpive
dhe rrafshimi me tokë i tyre
trembin edhe të madhin Zot!
Gjysma e oxhaqeve
Rrëzës së Çyçavicës
s’ ndiejnë më erë tymi
edhe në këtë acar dimri,
ndërsa ju thirrni e ulurini
e çoni fjalë të mëdha
sa s’i zë letra as teli.
Kur im djalë ende me qumsht në sy
e ime bijë ende me trup fëmijë
dridhen diku në mal
pa bukë e ujë
e pa ngrohtësi prindi,
nuk kanë nevojë për fjalë
as nga rrafshi, as nga shpati,
veç duan shokë e shoqëri
si e kërkon rendi!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s