Poezi nga Lumo Kolleshi

 
Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
VONESË NË AEROPORT
 
Ua rrëmbeva reve prapë fronin,
Kafen më pranë diellit gjerb këtu.
Ti pret aty në ethe uljen e avionit
E mijëra shkallë meraku ngre në tru.
 
Ora jote thinjet në të shkumës vorbull,
Shikimi të pengohet zallit të pritjes,
Zemra nuk e gjen një stol për t’u çlodhur,
Qerpikët bëjnë pikiadë qiejve të arratisjes.
 
Më kot shpik numra që s’i ke patur kurrë
Në celularin që dridhet duarve shurdhmemec,
Tensioni yt veç rritet nën lëkurë
Në pension i nxjerr oxhakët qiejngrënës në tec.
 
Ti nuk e di se avioni ynë
Me vonesë u ngrit në aeroport,
Një lot mbi molleza të kthehet në brymë,
Diçka krejt të frikshme mendon e s’e thua dot.
 
Pas pak do t’ua lë prapë fronin reve këtu lart
Të gatuajnë shirat a breshërin e ri,
Rripin e sigurimit ia hoqa puthjes së zjarrtë,
Mos mendo asgjë të frikshme, e dashur, tani.
 
 
BILBILI
 
Të fortët e pyllit,më shkoqur,ca horra,
E morën bilbilin e çuan ndër sorra.
 
Edhe si e çuan, që u bëfshin bojë,
Top e mblodhën mendjen:tani s’do këndojë.
 
Shtruan dhe gosti që arriten ditën,
Për t’ia vrarë këngën,për t’ia nxirë dritën.
 
Dehur e gjakosur i gjeti mëngjesi.
Rrënjë kishin hedhur a i zu përdhesi?
 
Çartur e shushatur nëmnin nëpër dhëmbë,
Bilbili kish ngritur gjithë pyllin në këmbë.
 
 
TË DASHURËS SË PARË
(Poezisë)
 
Drojë s’ kam ta them kësaj dekike:
Kemi mëkatuar gjer te marrëzia,
Në një kohë kur as mosha nuk e dinte,
Nuk e dinte ç’ishte vetë dashuria.
Ta fshihja lotin tek syrit regëtinte,
Të brishtë dhe të turpshme ty të shihja.
 
Të merrja dhe të strukja larg nga sytë,
Larg nga sytë e botës ziliqare,
Ti ma mbushje natën veç me dritë,
Unë gostisja të gjithë yjet në dritare,
Të shtroja çarçafë të trëndafiltë,
Ëndrra mbushte duart me petale.
 
Të kujtohet bashkë kur na zunë
Në gazetë ngjitur trup me trup?
Sytë përdhe i mbanim ti dhe unë,
Pa ditur nga na vinte ai turp,
Thellë,thellë nesh djersët bënin lumë,
Lumë që kurrë s’u tha e deti e përkund.
 
 
Në rrëpira ëndrrash
 
Diku në një cep të natës
I vidhet qiellit një yll,
Dritares sime kërkon t’i vërë zjarr,
Ta lërë pa perde,pa tyl.
 
Vjen në rrëpirat e ëndrrave,
Më hedh e s’di ku më hedh.
Sa bie gjajkshëm në humnerë,
Mes lulesh zgjohem diku në një ledh.
 
Më thërret qysh tani një qershi
E veshur për nuse gjithë nur.
Lus qiellin të mos derdhë më shi,
Një zambak në mal diç po shkruan mbi gur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s