Kalendari poetik,: Walt Whitman (1819-1892) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Walt Whitman
 
Kalendari poetik,: Walt Whitman (1819-1892)
 
Sot, më 31 maj, mbushen plot 202 vite nga lindja e Uollt Uitmanit, poet, shkrimtar dhe gazetar amerikan, vepra që e bëri të njohur në botë ishte përmbledhja poetike “Fije bari”, i sjellë mjeshtërisht në shqip prej Skënder Luarasit në fillim të viteve ’50 (por më pas u fut në listën e librave të ndaluar nga censura enveriste); kurse në Amerikë i dha emër poezia “O Captain! My Captain!” kushtuar vrasjes së Abraham Linkolnit.
Luftëtar dhe veprimtar i palodhur kundër skllavërisë; ishte njeri me personalitet krejt të veçantë; pranonte egzistencën e Zotit, por i quante krejt të panevojshme ritet fetare dhe mbivlerësimin e një feje ndaj një tjetre. Spiritualistët vendosën ta shfrytëzojnë rastin: e ftuan të bënte një poezi për spiritualizmin; ai e shkroi, pa harruar ta cilësonte “mashtrim të trashë, pa vlera dhe primitiv”.
Po i mbyll këto shënime me një thënie për Uitmanin të shkrimtarit të njohur amerikan Henry Miller: “…ai, Whitman, ishte Poet i Trupit dhe i Shpirtit. I pari dhe i fundmi Poet.”
Ja përzgjedhja ime nga ç’kam prej Poetit amerikan:
 
 
NJË FEMËR MË PRET
 
Nfë femër më pret, të gjitha i ka, asgjë s’i mungon,
Gjithçka do të mungonte, sikur seksi , apo njomështirë
e burrit të vërtetë të mungonte.
Seksi të gjitha i ka.
Trupat, Shpirtrat, kuptimet, mbrojtjet, pastërtitë, brishtësitë,
përfundimet, zgjatimet,
Këngët, urdhërat, shëndetin, krenarinë, fshehtësinë amësore,
qumështin mbjellës;
Të gjitha shpresat, bekimet, dhuratat,
Të gjitha ndjenjat, dashuritë, bukuritë, gëzimet e tokës,
Të gjitha qeveritë, gjykatat, perënditë, njerëzit më me famë,
Të gjitha i ka seksi, pjesë përbërëse të tij, përligje të tij.
Më pëlqen njeriu që pa turp e pranon kënaqësinë e seksit.
 
S’ka drojë femra që njoh, këtë kënaqësi e pranon,
Nga femrat akull, pa ndjenja do të heq dorë,
Me atë do të rri, që mua më pret, me ato që kanë gjakun e nxehtë,
ato më dalin e më teprojnë;
Sepse e shoh që më kuptojnë dhe nuk më mohojnë;
Ato kanë vlerë për mua; burri i tyre do të jem,
Asnjë grimë më pak se unë s’janë,
Fytyrat e tyre i ka rrahur dielli dhe era,
Trupat e tyre një epje hyjnore kanë dhe fuqi,
Dinë të notojnë, të grinden, të kalërojnë, të ndeshen, të qëllojnë, të vrapojnë,
të godasin, të tërhiqen, të hidhen para, të kundërshtojnë, të mbrojnë veten,
Ato janë të fundit që kërkojnë ç’u takon; janë të qeta, të dlira, ato
e kanë veten në dorë.
 
Me vete do t’ju marr o gra!
Nuk mund t’ju lë, veç mirë do t’ju bëj
Unë jam për ju dhe ju për mua, jo për hatrin tonë,
por për hatër të të tjerëve;
Ndër ju flenë ëndrra herojsh dhe rapsodësh
Dhe asnjë prekje burri nuk i zgjon, veç prekjes sime.
Ja cili jam o gra,
I ashpër jam, gojëhidhur, i pabindur; por ju dua,
Më shumë se ç’duhet nuk do t’ju lëndoj,
Do t’ju jap ç’duhet që djem e vajza të bëni
Të aftë dhe të zotët të jenë për këto Shtete dhe juve fort
përqafuar do t’ju mbaj,
Veten time do të jetë sikur përqafoj, të tjerat le të përgjërohen më kot
Mbrapsh nuk do të tërhiqem deri sa të siguroj ndër ju
brenda meje ç’është mbledhur.
 
Lumenj të ndrydhur brenda meje ndër ju do të vërshojnë,
Me ju njëmijë e ca vjet do të shkoj përpara
Mbi ju do të shartoj bisqet më të dashur për mua dhe Amerikën,
Çdo pikë që tek ju do të pikojë vajza krenare dhe atlete do të bëhen,
artistë të rij, muzikantë dhe këngëtarë,
Çdo foshnjë që do të më jepni, të tjera foshnja do të sjellë,
Nga dashuria ime burra dhe gra të përsosur do të kërkoj
Dhe shpresoj që me të tjerë të lidhen, si unë me ju lidhem,
Do të kem shpresë në frutat që do të japë shi i tyre i hazdisur,
kështu si kam shpresë në shiun e hazdisur që juve ju jap,
Do të përkujdesem për të korrat që do të vijnë nga lindja, jeta, vdekja,
pavdeksia, që me dashuri po mbjell tek ju.
 
 

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s