Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
Frymo dhe për mua !
 
Kjo që do të them është madhështore,
Ti mos u mërzit pse e mbajta brenda.
Fjalët e mëdha nuk janë flokë bore,
Që të rrëzohen, kur u mbushet mendja.
 
Ndoshta duhej pritur një tjetër kohë,
Kur ne të dy të mos ishim më të rinj.
Ndoshta duhej pritur që tek ty të shoh,
Puthjet e mia, kthyer në një thinjë.
 
Ndoshta duhej pritur, të tjera çudi,
Që dhe unë si ti, të flisja me heshtje,
Kur të të shihja sytë, dikur pus i zi,
Si të mitë të dukeshin, në gri vjeshte.
 
Ndoshta duhej pritur më shumë mall,
Sa asgjë pa ty, mos më hynte në punë.
Ndërsa të shikoja që zbrisje në shkallë,
Të thosha me vete:-Shihni po zbres unë!
 
Ndoshta duhej pritur, duhej pritur ca,
Që ëndrrat t’i gdhendja me germat e tua.
S’thuhen në çdo kohë, gjërat e mëdha,
Thuhet veç një herë:-Frymo dhe për mua!
 
 
DEDIKIM PËR NJË GRUA
 
Ndoshta duhet të pranoja ndonjë flirt,
Më pas, si burrat të mburrem me të.
Po unë i provova të gjitha dashuritë,
Se nga gjithë gratë desha vetëm një.
 
Ndoshta duhet të pranoja të ngjizja,
Sytë e dikujt me flokët e një tjetre.
Po unë nuk u zura rob në ca grimca,
Frymë m’u kthye, një grua e vetme.
 
Ndoshta duhet të pranoja një harresë,
E nëse ishte grua, ishte grua që iku.
Po unë zgjodha dikë që se lë në mes,
Mallin që së pari, për mua e shpiku.
 
Mjafton një hënë, derdhur në shtrat,
Mjaftojnë ata sy që digjen për mua.
Një grua e vetme nxë të gjitha gratë,
Tërë gratë e botës s’e nxënë një grua!
 
 
MENDO PËR MUA, KUR TI NIS NJË LUFTË
 
Ti, ke bërë një zgjedhje jo aq të lehtë,
Të pranosh luftërat që ndizen ndaj teje.
Unë s’mund të them, leri ato në mes,
Por mendo dhe për mua para beteje!
 
Mendo për mua, jo se jam frikacak,
Dhe nuk i përgjigjem thirrjes tënde.
Unë do çohem të hidhem në flakë,
Sa të të shoh mes një zjarri a zënke.
 
S’do të pyes, cilët e nisën të parët,
S’do të pyes kush qe fajtor, a pa faj.
As do të kërkoj që të ulen armët,
Për pak paqe e të rinisim pastaj.
 
S’pyes kush ka të drejt mes palëve.
As kush është viktimë s’dua t’ia di.
Por mes luftës apo tymit të fjalëve,
Veç do pyes : “Në cilën anë je ti”!?
 
Si trim i çartur do ndez shtrëngatë,
Kundër që të gjithëve në anën tjetër.
Kur të hysh në luftë, mendohu gjatë,
A kur hap një sherr të ri, a të vjetër!
 
Ti do më pastrosh plumbat në mish,
A dhe llogoren nga trupi im pa jetë.
Njerëzit do të thonë:Vërtet trim ish!
Dhe pse këtë luftë nuk e zgjodhi vet.
 
Po nëse ti humbet në fjalë a zënka,
E baltë më bie mua mbi flokët e butë.
Tallja e botës do më djeg nga brenda.
…Mendo për mua kur e nis një luftë!
 
 
FLOKËT
 
Ti fle pranë meje dhe ashtu, pa dashje,
Flokët në jastëk, i shpërndan si shkumë.
Mbase ndihesh mirë, kur të kam nën faqe,
Mbase dashuri, do të bësh në gjumë.
 
Mbase dhe kur fle, s’duron dot për mua,
Dhe aty në flokë, e lë puthjen tënde.
Mbase do të kthesh dhe ëndrrën, në grua,
Të më pëshpëritë:-Ty të kam në mendje!
 
Mbase do të shohësh dhe kur mbyllë sytë,
Dhe flokët gjithë sy, bën me djallëzi.
Mbase do të thuash:-Me ta, do të mbytë,
Nëse edhe në gjumë, mendon tradhti.
 
Mbase dhe më tepër, kur fle ti më do,
Mua të pagjumin, që flas kot s’koti.
Kur të zgjohesh nesër, mos m’u trishto,
Nëse mes flokëve, do gjesh pika loti.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s