ANTON NIK BERISHA DEKOROHET ME TITULLIN “NËNË TEREZA” / Nga: Timo Mërkuri

 
ANTON NIK BERISHA DEKOROHET ME TITULLIN “NËNË TEREZA”
 
Sot Presidenti i Republikës Sh.T. z Ilir Meta në një veprimtari përkujtimore me rastin 5 vjetorit të shënjtërimit të Nënë Terezës i ka dekoruar me titullin e lartë “Nënë Tereza” profesorin e nderuar Anton Nik Berisha. Me këtë rast duke folur për kontributin e Prof. Anton Nik Berisha Presidenti Meta theksoi:
“Me një angazhim 50-vjeçar në fushën e studimeve, Prof.Dr. Anton Nikë Berisha, si rrallëkush tjetër, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar, me mbi 15 tituj librash, për njohjen e thellë dhe pasqyrimin realist të jetës dhe veprës frymëzuese të Shenjtores së shtrenjtë shqiptare, Nënë Tereza.
Me mirënjohje për përkushtimin e tij profesional dhe atdhetar, si krijues e studiues i një prej personaliteteve më të mëdha të kombit tonë dhe mbarë njerëzimit, pata kënaqësinë ta vlerësoja sot Profesorin e nderuar, me titullin e lartë “Nënë Tereza”.
Me të drejtë ai evidenton në një prej veprave tij “Doracak për Nënën Terezë” se “shenjtorët kanë si detyrë kryesore t’u ofrojnë njerëzve dritën hyjnore dhe t’u hapin shtigjet e mirësisë e të përvuajtjes në jetën reale, e jo të jetojnë për kënaqësinë e tyre vetjake”, duke na dhënë mesazhin për të mos qenë egoistë, por vetëm të angazhuar për të hapur shtigjet e mirësisë ndaj njerëzve të vuajtur dhe më në nevojë”.
Anton Nikë Berisha lindi më 7 gusht 1946 në katundin Dobërdol, komuna e Klinës, Kosovë. Shkollën normale e mbaroi më 1966 në Prishtinë. Më 1971 mbaroi studimet në Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe, të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më 1976 kreu studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin e magjistrit të filologjisë. Po në këtë Universitet (më 1981) mbrojti tezën e doktoratës shkencore.
Gjatë vitit universitar 1978/79 realizoi një qëndrim studimor në RF të Gjermanisë (Universiteti i Göttingenit) si bursist i DAAD-së, ndërsa në vitet 1984/85 (në Universitetin e Göttingenit) dhe 1992/93 (në Universitetin e Münchenit) ishte bursist i Alexander von Humboldt Stiftung-ut.
Nga viti 1973 punoi në Institutin albanologjik të Prishtinës; në fillim asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor, bashkëpunëtor i lartë shkencor dhe këshilltar shkencor.
Në vitin akademik 1992/93 (dy semestra) mbajti mësim në Seminar für Allgemeine und Indogermanische Sprachëissenschaft – në Katedrën e albanologjisë – Universiteti i Münchenit.
Nga nëntori i vitit 1993 punoi në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – Dipartimenti i linguistikës, Fakulteti i letërsisë dhe i filozofisë i Universitetit të Kalabrisë; nga 2005 si profesor i letërsisë shqipe.
Është anëtar i Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë.
 
Botoi një varg veprash me studime letrare:
 
Mundësi interpretimi. Ese dhe vështrime. “Rilindja”, Prishtinë 1979.
Teksti poetik. Vështrime e kritika. “Rilindja”, Prishtinë 1985;
Veçanti ligjërimesh poetike. “Eurorilindja”, Tiranë 1996;
Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. “Shpresa”, Prishtinë 2001;
Çështje teorike të letërsisë. “Faik Konica”, Prishtinë 2005;
Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare. “Shpresa” & “Faik Konica”, Prishtinë 2006;
Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008;
Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare. “Faik Konica”, Prishtinë 2008;
Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2011;
Larmi vëzhgimesh letrare. “Faik Konica”, Prishtinë 2012;
Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (me Labinot Berishën). “Faik Konica”, Prishtinë 2017;
Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. “Faik Konica”, Prishtinë 2017;
Estetika dhe estetika e letërsisë (me Labinot Berishën). “Faik Konica” 2018 dhe monografi (shqip dhe italisht) për De Radën, Fishtën, Z. Skiroin, E. Koliqin, M. Camajn, M. Krasniqin, D. Vetmon, A. Shkrelin, I. Kadriun, Buzukun, Budin, Aristotelin; si dhe romane (për të rritur e për fëmijë), si romani i mirënjohur “Gjin Bardhela i arbëresh”, “Nëna e dritës” , “Nënë Tereze” në shtatë shpalime etj dhe një sërë vëllimesh poetike poezi (për të rritur dhe për fëmijë), vëllime me materiale të letërsisë gojore, vëllime me poezi të zgjedhura të poetëve shqiptarë dhe të huaj, punime të botuara në revista të ndryshme në shqip dhe në gjuhë të tjera, si dhe mori pjesë në shumë tubime letrare e shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar.
Nga gjermanishtja përktheu Epin e Gilgameshit, “Rilindja”, Prishtinë 1984, botimi i dytë dhe i tretë në Tiranë 1990, 2008; dhe Këngën e Nibelungëve. Këngën e parë dhe të pestë. Argeta LMG Tiranë 2016;
Nga italishtja poemën Lavdërimi i kryqëzuar të Domeniko Korradinit H. Brusard, “Faik Konica”, Prishtinë 2007. Kënga e këngëve “Faik Konica”, Prishtinë 2015; Radovan Zogoviq, Këngët e Ali Binakut. Ardhësit. “Faik Konica”, Prishtinë 2016; Psalmet. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017; Aristoteli, Qasje artit poetik (Poetika). Përkthimin, studimin hyrës dhe shënimet Anton Nikë Berisha. Argeta LMG, Tiranë 2020.
Në vitin 1985 mori Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës për letërsi për veprën Teksti poetik; më 2004 shpërblimin “Hivzi Sulejmani” për romanin Nëna e dritës dhe shpërblimin “Asdreni” për përkthimin poetik të Epit të Gilgameshit (Korçë qershor 2009), më 2012 shpërblimin “Giorge Mangone” të Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë për Kalabrinë, më 2014 shpërblimin “Azem Shkreli” të Komunës së Pejës, më 2015 shpërblimin “Beqir Musliu” të komunës së Gjilanit dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës (2017), fitues i “Muzës së Agimit” (2018) dhe çmimin tradicional “Ora e Tahir Deskut” të komunës së Klinës (2019), Shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” (2020) dhe shpërblimin “Ymer Elshani” për romanin për fëmijë “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…” (2020).
Anton Nikë Berisha është pjesmarës aktiv në Manifestimet Poetike të “Triremës Joniane” të Klubit të Krijuesve Jonianë të Sarandës ku dhe vlerësuar me “Pendën e bronxtë” ne Manifestimin Poetik “Trirema Joniane” në vitin 2015 dhe në vitin 2017 i është akorduar “Kurorën e Artë me gjethe ulliri”.
Akordimi nga Presidenti i Republikës i dekoratës së lartë është një vlerësim dhe nderim më se i merituar dhe na nderon edhe ne miqve dhe shokëve të tij krijues.
 
Sarandë, më 07.09.2021
 
 
 

Nga: Timo Mërkuri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s