Poezi nga Petraq Risto
Isha magjistar…
Kuptova se isha magjistar i vogël
Puthja qershinë, përshembull, dhe ti dridheshe e tëra
Mos, më thoje, mos
Jam vedër e re, thyhem, e na derdhet vera.
E të tjera e të tjera e të tjera.
Isha larg teje në një majë mali
Prekja një lule dhe (hop!) në TI e ktheja
Ca zogj të hutuar flatrat ti falnin
E unë (hop!) papritmas të ngrija lart tek reja.
E të tjera e të tjera e të tjera.
Një ditë të çova në ‘botën e përtejme’
Qeshje, oh, sa qeshje
Aq sa nga të qeshurat shkunde gjithë qershinë…
Dhe në çastin kur tek unë do ktheheshe
Oh, dikush, dikush ma prishi magjinë.
I çmendur brodha udhëve e skenave
Të ringjallja ty, po ku të gjeja…
Puthja qershinë po gjaku qe ngrirë venave
Në parvaz te reja më ndizej rrufeja
Nga vedra piva gjithë llojet e verërave
Po në krahët e mi nuk po të ktheja.
Vetëm kur u thinja, kur u mplaka
M’u zvogëlua hija, m’u shkurtua flaka
Papritmas përballë magjike m’u shfaqe
E re si atëherë kur ishe loja ime
O Zot, sa e ngrohtë si një lot në faqe
Kur do të rrokulliset në majat e gjinjve.
Më prek, të lutesha, ma kthe rininë e parë
Po ti sërish qeshje dhe shkundje qershinë…
Kuptova: në ditët që të mbaja pranë
Ti ma kishe vjedhur magjinë.
Brooklyn, 27 tetor 2013
Theatrum Anatomicum
Rembrandi nën kavaletin e një ylberi ngjit shkallët e teatrit të madh
I shtrirë në sallë i gatshëm për të hapur kavaletin e trupit: kufoma e një krimineli.
Piktori ngryset a thua brenda syve ndjen protestën e ngjyrave
Mjekët seriozë si të gjithë modelet përkulen mbi kufomën e vjedhësit.
Cipa e barkut, kafazi i kraharorit hapen si një dallgë e ndenjur nën myshk:
Guaska e verbër e zemrës, koralet e mushkërive, stomaku – përbindësh i heshtur
Veshkat me pak rërë të ndezur: asnjëra s’dyshohet për diamant…
Trup i zakonshëm njeriu, mendon piktori, fshin ballin e djersitur
Dhe ndjen si vdesin ngjyrat në mankth.
Doktor Tulpa përkulur mbi një kriminel fytyra e të cilit tallet me gërshërët
U bëmë të përjetshëm, thonë mjekët, të përjetshëm mbi një të vdekur.
Në çast diçka si fërshëllimë mbush sallën e Theatrum Anatomicum
A thua se shpirti i kriminelit u kujtua të ikë e u përplas në ngjyrat e kavaletit.
Rembrandi kap të kuqen e hirtë si ironia e vjedhësit me dorën mbi diamant
Pastaj diçka vjedh nga e verdha e vdekjes që afron me të verdhën e floririt.
Të gjithë vjedhin, thotë kufoma e çarë: dallgë e fjetur nën myshk.
Përjetësia
Sa herë vij tek ty
numëroj hapat: plot 100
(aq sa mendimet)
Përballë teje qesh, loz
ëndërroj, të puth…
Kur largohem nuk ka hapa
askush nuk numëron
mbase ngaqë eci brenda teje:
i vdekur.
E nesërmja vjen ndrojtur
me hapëza femre:
plot 100 (aq sa zhgënjimet)
hyn pa trokitur
(te të vdekurit s’trokitet
se trokitjet kthehen në rrahje zemre)
Dashuritë e vdekura
paskan dhe të nesërme…




























Leave a Reply