Poezi nga Flogerta Krypi
***
Në janar Manjolat thahen
Era i shkund për në tokat e parajsës
Aromat e tyre zhduken
Nëpër fijet e arta të flokëve njerëzor
Gjethet iu kalben krejt rëndomë
A thua janë lule si gjithë të tjerat.
Në janar Manjolat vyshken
Zogjtë mbesin mbi tjergullat e kuqe të varrezave
Duke çuçuritur për harresën që mbjell vdekja
Për vajzat e lira që vrapojnë maleve
Dhe rrugën për në shtëpi nuk e gjejnë.
Në janar malli im për ty merr krahë
Janë tetëmbëdhjetë vite që ti nuk rritesh
Dhe unë mbi pllakën ku të kanë ngurosur
Nuk mbjell grurë
Se kallamishtet e arta do më kujtojnë
Se ti shkëlqeje më shumë
Se çdo fije ari në këtë botë.
Më mungon Manjolë,
Njëlloj si ditët e verës kur të takoja
Por ti ke vdekur
Ndaj dielli nuk ka më kuptim…
***
Shshsh…
Mos flit,
Qëndro aty ku je
Zgjate dorën në boshllëk
Luaj në pentagramin që era krijon
Merr frymë lehtë
Dhe tani lëshoji lotët që mban shtrënguar
Në qafën me diametër gjashtëmbëdhjetë centimetër.
Shshshsh…
(Vendos dy gishta mbi buzë)
Hesht…
Ikjet kështu janë të gjitha realisht
Sherret i takojnë të gjallëve
Vetëm ndarjet e tyre thyhen me ulërima
Kjo është një vdekje!!!
(Të prehesh në paqe)
Vdekja është e qetë.
Formula është mjaft e thjeshtë
“Jeta përfundon, vdekja fillon”
Pra, një lojë fjalësh që nis dhe mbyllet
“Shshshsh…”.
E ndjej tentativën tënde për arratisje
Gjithçka që di, zbehet
Është në rregull e gjithë kjo mesele
Hapi krahët pa frikë
Në errësirën e re që po vjen
Është thjesht një jetë e re
Na ndan dhe bashkon i njëjti qiell
Na strehon i njëjti dhe
Thjesht në anën tjetër të polit.
Shshshsh…
Heshtja e vërtetë i takon përqafimit
Mos u shqetëso
Unë në çdo jetë e kam gjetur rrugën për tek ti
Vdekja nuk përbën asnjë ndryshim!!!




























Leave a Reply