Poezi nga Petraq Risto
E dashura ime qep vela…
E dashura ime qep velat e anijes së bardhë dashuruar me detin
E dashura ime qep vela
Dhe unë lyej skafin e anijes me të bardhë velloje.
E dashura ime qep vela.
Vela vela
anije me vello
Vela velo
velo vela
Dallgët hedhin
oriz stërkalash…
Mbi kishën e një dallge tund kambanëzat e diela…
SAGA CINIKE E KLONIMIT 3
Një mëz i bukur i klonuar me një re të bardhë
(loz një re në ballin qimendritur)
Nesër do mësojë abetaren e nënshtrimit
algjebrën e kamxhikut,
filozofinë e frerit në dhëmbë
domosdoshmërinë e këpucëve prej hekuri:
Kalëkrisht i gozhduar.
Do mësojë pak histori: kalin Kali…Gula(g) e bëri senator
Me një kalë druri Odiseja pushtoi Trojën.
Pastaj do mësoj rrugët
do shohë veç përpara:
(majtas dhe djathtas shikojnë veç njerëzit)
Si të gjithë nxënësit mëzi do bëjë pyetje
po përgjigjet do mbeten pakuptim: tagji prej ari.
Vonë shumë vonë
kur mëzi të mplaket
do kuptoj:
loja me të qe më e bukur
se loja e Odisesë dhe Kali…Gula (g)…
Vallëzuesja e denjë
Një vallëzuese e denjë humbi në mjegullën e syve,
peshku fluturues qesh me zogun që fluturon në qiell e jo në det
unë përpiqem të zhvishem nga lëkura mazohiste
siç heq gjarpri lëkurën e vet.
Vallëzuesen e denjë kërkoj.
Thonë se iku me vaporë drejt Perëndimit.
Ma gjeni vallëzuesen e denjë,
ma gjeni qoftë dhe si rrëfenjë.
Këmbët m’ u bënë të rënda nga plumbi i mjerimit.
Ma gjeni vallëzuesen e denjë
dhe unë ju premtoj: do braktis majmunët e Zarathustrës
dhe gjer në dehje do kërcej si puthje mes dy buzësh.
Ma gjeni vallëzuesen e denjë.
Dikush më tha: ajo është fshehur
në kutitë e mëdha të kolipostës mbushur me dhimbje refugjatësh
Po kjo s’është e vërtetë.
E si mund të kërcejë ajo në një kuti të mbyllur
ku errësira i bën të varfëra brilantet?
Ma gjeni, ma gjeni vallëzuesen e denjë
se vetëm pranë meje këpucët i bëhen magjike
e trupi i bëhet i lehtë
si mështekna kur qielli i shpall fejesë
e shpirti i bëhet me fletë si në ligjësitë e perëndive.
Ma gjeni vallëzuesen e denjë,
ma gjeni qoftë dhe rrëfenjë.




























Leave a Reply