Poezi nga Behare Daja Kasa
AKTUALITET
të parët e qytetit tim
janë me ethe dhe temperaturë
një mijë gradë celsius.
këmbët i kanë me kallo
nga të bredhurit e gjatë të natës
e duart u djersijnë.
e sytë? ah, sytë u janë kthyer në pishtarë për të parë me kë kombinohet ngjyra gri,
me kë flet
e kë emër do të zgjedhë çmenduria
në çastin e fundit.
turma hap sytë e me shikimin nga dera zë lutet:
– nëm një zarf nën dorë zotni,
Zoti të dhashtë fuqinë e pushtetit
e neve joshjen nga lojërat
e forcën e besimit në fuqinë e vetvetes!
PAGJUMËSI
Nga unë, ti kërkon ca pika múze
Dhe padashje m’i pikon brenda në shpirt.
Ashtu rrëmujshëm hap ca plagë të lehta,
Porsi kirurgu në një operacion plastik.
Se ti dëshiron të më bësh më të bukur
Dhe të ullinjtën e syve kërkon të më ndryshosh.
Faqeve më hedh lehtas ca pudër lulebore
E me të qerpikët zë e më ngjyros.
Nga unë, ti kërkon ca pika múze
E mbi jastëk m’i lë, që flokët të mbështes.
Por unë druhem të vë faqet mbi pëllëmbët e gjumit,
Nga frika se kur të zgjohem, pranë meje s’të gjej.




























Leave a Reply