Poezi nga Merita Paparisto
Maj
Oh Maj,
nga parfumi yt dehës
të etura u hapën poret, u çelën
lule zjarri të egra, në çdo njërën prej tyre
erërat brisk, hyjnë mes-për-mes
nën lëkurë
Futen dalin,
futen dalin,
duke qëndisur
shtratin e një kënge.
Një grua baret
në një fushë me grurë të gjelbër
këput lulekuqe
dhe vendos petalet në gojë
si buzëkuq.
Pluhur mështekne
Është prill, muaji i pjalmimit.
Stacionet metrologjike në lajmet e mesnatës
parashikojnë kohë të paqëndrueshme dhe shira
Ajri do jetë i tejngopur
me polen të shkundur
prej luleve të mështeknave.
Pastaj vjen ti në ëndërr
dhe dashuria jote e pazëshme
me krahë të rëndë e të fortë prej burri
më gjen aty ku kam shkuar…
derdh polen mbi trupin tim
e më mbulon.
Mëngjes…
Mëngjes i kripur
me erë pishash në breg të detit…
më kujton zogjtë e tu të ndrojtur
duke më ndjekur pas
me cicerima të mekura kërkojnë
që t’i ushqej me gji.
Era e pishës ripërtërin kujtimin tënd
Por unë qëndroj me sy mbyllur
Dhe fytyrën të kthyer nga dielli
në pritje të një gjëje reale,
rrënjësisht të natyrshme
si lulëzimi i trëndafilave të egër në pyll.
©M.P.




























Leave a Reply