Fragment nga romani “DËGJO, FLORIRI IM” 
 
 
Dardha bie nën dardhë
 
Operacioni i babait përfundoi mbas tetë orësh. Ishte operacion i vështirë. Ne hymë në dhomë, babai ishte akoma nën narkozë. Ishte tmerrësisht i verdhë në fytyrë. Nëna qëndroi me babanë në spital. Mbas disa ditësh babai po bëhej disi më mirë, bile bëri dhe shaka. Punoja deri vonë, mbas punës shkoja me vrap në spital. Mbas disa javësh nëna më tha se babait nuk i ndalohej gjaku përgjatë urinimit. Po dobësohej dita ditës, po tretej si qiriu. Ndjente dhembje të forta në bark sa herë merrte frymë. Bisedova me mjekët dhe ngulmova t’i bënin një kontroll të hollësishëm. Ata u detyruan t’i bënin radiografi në bark si dhe në pjesët e poshtme të tij. Mjekët me shumë vështirësi dalluan, një gjë të pazakontë në trupin e babait, ndoshta diçka të huaj. U detyruan të përsërisnin radiografinë dhe të bënin një konsultë të gjerë. U morr vendim të operohej sërish, nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Sendi i huaj i shkaktonte gjakderdhjen në urinë. Operacioni zgjati gjithashtu tetë orë. Ne pritëm si më parë në stolat e vjetra prej dërrase, përpara dritareve të sallës së operacionit. Unë mora me vete një çantë ku futa ujë të gazuar dhe ushqime. Mamaja protestoi, nuk i pëlqenin gjithë këto salltanete kur operohej babai. I thashë të nxitonim, po afrohej ora dhe babanë mund ta fusnin në sallën e operacionit. Nëna ishte dobësuar, poshtë syve të saj të bukur u krijuan dy rrathë të zinj. Kishte javë që flinte shumë pak, mbledhur kutullaç në cepin e shtratit të babait. Unë flija vetëm në shtëpinë tonë të madhe. Më dukej bosh dhe tmerrësisht e ftohtë. Enët ishin kapicë në lavaman dhe rrobat të palara.
Mbas dite vonë përfundoi operacioni. Babanë e futën në sallën e urgjencës. Doktorët i kishin dhënë dozë të fortë narkoze, babai u përmend mbas dy ditësh, i verdhë dyllë, i dërmuar, kockë e lëkurë. Lëvizi qafën me vështirësi dhe u mundua të buzëqeshte, mu duk sikur vetëm sa lëvizi buzët dhe përpëliti qerpikët. Nuk kishte fuqi të buzëqeshte. Villte herë mbas here, duke ia dërmuar zorrët e barkut.
-Vjellja i shkaktohet nga narkoza,- thanë mjekët.
Kërkova të mësoja rezultatin e operacionit, gjithashtu dhe shkakun e gjakderdhjes së vazhdueshme në urinë, por doktori nuk kapej. Dikush më tha se sapo pa kirurgun që shpejtonte në korridor drejt zyrës së tij. Trokita në zyrë dhe shtyva derën ngadalë:
-Ju lutem doktor, – i thashë.
Ai po fuste disa fletë në çantën e tij të madhe, të zezë. Ngriti kokën me përtesë dhe më hodhi një vështrim të ftohtë.
-Nxitoj, kam një konsultë,- më foli thatë, – çfarë doni?
-Doja të pyesja për babanë, -i thashë.
-Veç shpejt, hë, po ju dëgjoj,- ia bëri.
-Mendimin tuaj si kirurg rreth ecurisë së shëndetit të tij,-fola me nxitim.
Ai luajti kokën lehtë dhe tha:
-Babai yt pati një komplikim te zorrët. Operacioni qe vërtet i vështirë, por doli me sukses të plotë. Jam i sigurt gjithçka do shkojë mirë. Të mos keni merak.
-Doktor, u përfol, për një send të huaj, në trupin e babait…
Ai luajti kryet me vrull, hapi krahët, duke mbajtur çantën e zezë në dorën e djathtë. Dhe foli në ecje e sipër:
-Ishte thjesht një lapsus radiografie.
U largua me nxitim. U qetësova vërtet, aparaturat e vjetra të spitalit të fusnin në qorrsokakun e padëshiruar. Babai kishte përmirësime shumë të ngadalta. Nëna vuri re përsëri gjurmë gjaku në urinë dhe u bë merak. Disa ditë më vonë, një e njohura ime, zë ulët, më tha se babait i gjetën në bark një gërshërë të vogël operacioni. U shtanga, isha gati të bërtisja, doja t’i thosha, si ka mundësi të qepet plaga e hapur, e thellë, duke i lënë gërshërën në bark! Por përnjëherësh kujtova babanë dhe dhëmbjet e prerjet e padurueshme në bark. E njohura ime qe e sinqertë dhe fjalët e saj kishin indinjatë, mu lut të mos e bëja fjalë me njeri, e të mos nxirja atë. I premtova. Nuk më rihej sa të takoja Tonin dhe ta pyesja. Ai si gjithmonë zënë me punë dhe vizita. Një mëngjes e prita përpara derës së zyrës së tij. Erdhi më në fund, mbas disa orësh pritje duke ecur me elegancë dhe me besim në vetvete.
-Mirëmëngjesi doktor,- i thashë.
Ai mërmëriti nëpër dhembë diçka si “…gjesi”, hapi derën dhe bëri ta shtynte përpara syve të mi. Pa e prishur gjakun, qetë, mbajta derën dhe eca mbas tij në zyrë. Ai u kthye nga unë dhe më hodhi një vështrim të bezdisur, pyetës.
-Më fal për shqetësimin doktor,- i thashë.
Ai ngriti vetullat dhe lëshoi çantën në stolin më të afërt.
-Ju doni të pyesni për babanë tuaj,- ia bëri,- ka përparime të dukshme. Ne vazhdojmë ta trajtojmë me serume dhe antibiotikë.
-Babai vazhdon të nxjerrë gjak gjatë urinimit,- i thashë.
Ai më vështroi me vëmendje e me inat dhe fërkoi lehtë fytyrën e porsa rruar, që i shkëlqente. Ngriti çantën nga stoli dhe e vendosi mbi tavolinë.
-Ne prandaj po e trajtojmë me antibiotikë, të pastrohet një herë e mirë. Mirë.-tërhoqi me zhurmë zinxhirin e çantës, – tani më falni se kam shumë vizita dhe dy operacione.
-Doktor, doja t’u pyesja diçka tjetër…
Ai drejtoi trupin. Mori nga dollapi i madh grykësen e bardhë të doktorin dhe filloi ta vishte.
-Hë,- tha zë rëndë.
Mora frymë, shikimi i tij më përgjonte.
-Doktor, – nisa të flisja me zë të ulët, më pas e ngrita zërin dhe vazhdova,- mos ndoshta doktor, gjaku në urinë u shkaktua nga ndonjë send i lënë pakujdesish në trupin e tij, si fjala vjen gërshërë.
Toni u kthye ballas nga unë, u skuq. Sytë i shkreptinë, i u bënë të egër. Rrëzoi çantën mbi tavolinë duke përmbysur kutinë me lapsa.
-Çfarë, – ia pat zë çjerrë,- çfarë, çfarë thatë? Kush jeni ju? Si guxoni ju të akuzoni mjekësinë tonë!- Pa u menduar hoqi prej trupit grykësen e bardhë dhe e bëri shuk.
-Më falni doktor, – mundova të ruaja gjakftohtësinë, – unë nuk akuzoj mjekësinë, nuk kam të drejtë të bëj këtë, mbasi shteti harxhon mijëra e mijëra lekë për shëndetin e tim ati. Unë pyeta doktor, për atë që dëgjova.
Ai më vështroi një copë herë pa folur, vështrimin e kishte gjithë urrejtje. Veshi grykësen ashtu zhubrosur siç ishte dhe më foli prerë:
-Qytetar, shkoni bëni pyetjen në zyrën e pyetësores dhe jo te unë. Mirë? Tani largohuni.
Hapi derën dhe unë dola jashtë. Zyra e tij mbante më shumë erë parfum se medicinë. Më ndoqi me sy, si të më thoshte, ti nuk ke çfarë më bën sido që të vejë puna. Kujton se nuk e njoh situatën në të cilën ndodhesh, biografinë tuaj të deklasuar, borgeze? Hëm! Por dhe unë e njihja shumë mirë atë dhe historinë e familjes së tij. Toni ishte i biri i Sofisë, infermieres së shkathët të azilit të pleqve. Atë zakonisht e thërrisnin në qytet, djali i Sofisë dhe jo në emrin e tij. Azili i pleqve ishte një godinë e vjetër, tre katërshe në kodrën e qytetit. Aty jetonin pleqtë e braktisur nga fëmijët, të moshuar që nuk kishin mundur të bënin fëmijë, ose ndonjë plak i shkrehur, i pasur, që donte të jetonte vetëm, me frikën se mos i përlanin pasurinë të tjerët. Vinin nga të gjitha skajet e vendit. Dikur kjo godinë ishte plot, mbasi futeshin edhe të gjymtuar nga lufta, ndërsa në skajin lindor të godinës kishte të sëmurë mendorë. Me kalimin e viteve mbetën vetëm një grusht me pleq, që prisnin vdekjen dhe u shtuan të sëmurët mendorë. Muret brenda godinës filluan të roniteshin, dritaret e mëdha u thurën me hekura, ndërsa dyert u drynosën. Çdo natë brenda në godinë dëgjoheshin klithma të çjerra dhe rrahje të mëdha.
Dikur ishte ndryshe, Sofija ishte kanakarja e azilit të pleqve. Nuk u martua ligjërisht, megjithatë kishte bërë tre fëmijë, dy vajza i vdiqën mbas disa vitesh, ngaqë ajo nuk kishte kohë të përkujdesej. Mbeti gjallë vetëm Toni. Sofija ishte e shkathët dhe parashikuese e madhe, duhet të ndryshonte kursin. Dikur kishte miqësi me oficerët e huaj dhe simpatikë. Ata i dhuronin lule dhe para porsa i hynin në dhomë. Ata ikën siç ikin të gjithë ardhacakët pushtues. Zbritën të tjerë nga mali, ishin të rinj, të padalë, të paditur, të pastërvitur, të vrazhdë, por gjithë epsh e dëshirë për të bërë seks. Sofija u përkujdes për ta si amvisë e mirë. Pastroi nga hedhurinat katin përdhes të azilit të pleqve, e ndahu në dhoma të vogla, ku vendosi në to nga një krevat të madh. Në depon e godinës kishte krevate të flakura me shumicë. Me shumë përkushtim krijoi një ambient të mrekullueshëm, për të çlodhur e qetësuar shpirtrat e vrava të zbriturve nga malet. T’i mësonte ata se gjëja më e bukur është të prehesh në krahët e femrës. Krijoi në qytet çetën e parë të orgjisë dhe seksit. Pleqtë e pakët në numër i zhvendosi në krahun e djathtë, në cep të godinës nga ku kishte një hyrje tjetër dhe nuk shqetësoheshin veshët e tyre të sëmurë nga kukurisjet dhe klithmat e sinqerta.
Zbulimin e çetës e bëri një plak matuf, i shëmtuar, i cili kishte braktisur familjen e tij prej vitesh, për të ruajtur pasurinë e fshehur, por që e zbuloi e po e përlante me lezet e mençura Sofi deri në kacidhen e fundit. Sofia e braktisi atë. Nuk e përkëdhelte më. Asaj nuk i kushtonte gjë, të bënte si dikur, ta lëpinte si mace. Plaku i dilte përpara, i lutej me lot në sy. Sofi, të lutem, xhan, shpirt, më jep në këto ditët e fundit pak kënaqësi! Ajo nuk kujtohej më për të, qysh se erdhën ata të malit, të ndezur, të ndërkryer. I ktheu me inat përgjërimeve të tij, e pa me neveri. Matuf, i tha, nuk e kupton, më mbyt ajo era jote, mban erë përç të ndyrë, varr, gremisu! Para nuk ke, vetën shurrë të ndyrë ke edhe njëherë të them gremisu shtrig!
Plaku u largua i vrarë i dërmuar, pa shpresë, pa para.
Atëherë përgatiti planin e hakmarrjes. Pleqtë zakonisht ishin si të përgjumur, sepse atyre u hidhej në ushqim mjekim për gjumë me doza të mëdha. U varej koka në gjoks, vërtiteshin si somnambulë e nuk merrnin vesh asgjë seç bëhej rreth e rrotull, derisa vinte vdekja i rrëmbente. Ndërsa për të metët mendorë nuk kishte problem, ata ishin të kyçur, të izoluar. Plaku ashik e mësoi këtë sekret, kishte ditë që nuk hante ushqimin e azilit. Mbante shpirtin gjallë me barishte, të cilat ishin me shumicë prapa azilit. Përgjoi Sofinë dhe mësoi të gjitha lëvizjet e saj, e gjithçka që zhvillohej poshtë në katin përdhes të azilit. Shkroi dy letra anonime, një letër e dërgoi në polici. Ndërsa letrën tjetër e hodhi poshtë derës së zyrës të madhit fare të qytetit edhe pse dhe ai ishte dukur ngandonjëherë në këtë bodrum të mistershëm mbushur me seks dhe orgji. Mbas dy ditësh, një mbrëmje të ftohtë nëntori ia behu policia. Plaku përgjonte që atje tej. Çuditërish atë natë nuk ishin mysafirët e zakonshëm. As dhe Sofija nuk ishte. Vetëm dy djelmosha të rinj u zunë në flagrancë, me dy vajza të reja të panjohura. Kati i parë u mbyll, u vulos. Plaku vdiq mbas një jave nga uria. Sofija u transferua në spitalit e qytetit me detyrë kryeinfermiere dhe punoi aty e nderuar e respektuar derisa doli në pension.
Toni, djali i Sofisë nuk i kushtonte më rëndësi babait. E vizitonte shumë rrallë, vetëm infermieret vinin dhe i mjekonin plagën. Nënën nuk e linin më pranë babait të përkujdesej për të gjatë natës. Infermierja e shërbimit të natës, e urdhëronte nënën të dilte jashtë në korridor, të flinte përdhe në çimento, nëse dëshironte. Dikush i afronte ndonjë karrige. Nëna rrinte prapa derës, ulur në stol, në përgjim të ndonjë fjale të babait, ose të lëvizje të tij në shtrat.
 
 
kristaq
 
Kristaq Turtulli
 
Degjo, floriri im, botimi i parë Tiranë 2009
Botimi i dytë 2014 Amazon
 
 
 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,303,481 hits

May 2023
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List