HIRI HYJNOR
***
Mëngjesi kishte aguar dhe ardhur me krisjen e ditës së re në shtëpinë e tyre. Elizabeta, nga që kishte mësuar të vërtetën, nuk kishte fjetur thuajse gjithë natën.
Rrezet e para të diellit depërtuan në dhomën e saj duke ia shndritur fytyrën dhe hedhur tejçim tjetër mbi fytyrën e saj.
Herë-herë e përshkonte një ndjenjë lumturie, që i sillte një qetësi shpirtërore dhe paqe. Sytë e saj ngjyrë gri përafronin dëshira të paimagjinueshme. Më pas hidhte një vështrim portreteve të pakonceptuara. Entuziazmi enigmatik në mënyrë të çuditshme sajonte padashur vizualiete dhe konfigurime që ende nuk i njihte…
Elizabeta u ngrit nga shtrati, mori furçën dhe filloi të lante dhëmbët. Në pasqyrë as që deshi të shihej, pasi e imagjinonte fytyrën e saj gati të përçudnuar. Kishte kaluar një natë të trazuar.
“Të shkoj te psikiatri?! – mendoi për një çast. Jo! jo! Nuk duhet ti ushqej vetes mendime të tilla, duhet të shkoj në Kosovë, duhet të gjej rrënjët e mia, njerëzit e mi. Gjithsesi jeta ime është e lidhur me burimin e përkdheljeve dhe dashurisë që më ka falur vetëm kjo shtëpi.”
Nxitoi t’i shihte sa më parë, në tërë atë rrëmujë mendimesh, iu duk sikur ata i kishin humbur dhe ajo nuk mund ti gjente dot. Kur u bind se ishin zgjuar, hapi derën ngadalë dhe hyri në dhomën e tyre. Si zakonisht, me buzëqeshje të ëmbël i përshëndeti.
– Mirëmëngjes !
Zhaku ishte ende shtrirë në shtrat, sytë e tij shprehnin dhimbje dhe duke hedhur vështrimin nga ajo foli:
– Mirëmëngjes, shpirti im!
Edhe Zhana e përshëndeti ngrohtësisht. Si duket edhe ata nuk kishin fjetur gjatë gjithë natës, kjo dukej nga pamja e tyre e lodhur.
Pas përshëndetjes, Elizabeta shkoi tek Zhana, e përqafoi dhe e puthi në të dyja faqet, por kësaj here përqafimin e bëri më ndryshe.
Në shenjë respekti e shtrëngoi më shumë, që ta bënte me dije se e donte njësoj, pavarësisht asaj që kishte ndodhur natën e kaluar.
Elizabeta me hapa të qetë shkoi edhe tek Zhaku, u ul pranë tij në shtrat. Pas puthjes së zakonshme të mëngjesit, i ledhatoi ballin dhe vërejti edhe më qartë shqetësimin e tij që e kishte munduar tërë atë natë. Ajo u pushtua nga dëshira që ata të ishin të lumtur.
– Babi, unë, ti dhe nëna, përjetësisht do të jemi bashkë – tha Elizabeta me një zë të vendosur dhe pasi bëri një pushim të shkurtër, vazhdoi:
– Unë edhe po të doja të ikja, nuk e kam atë fuqi, ju jeni çatia ime e parë, tregimi im i parë, dashuria e parë, mbi të gjitha ngrohtësia e parë prindërore. Kur dikush përpiqet për edukimin dhe përparimin e personalitetit të njeriut, atëherë ai ndihmon jo vetëm shoqërinë, por edhe veten e tij.
Çdo veprim i dikujt, qoftë i përshtatshëm ose jo, herët ose vonë, do të kthehet. Unë ju kam në zemër, ju më keni falur ngrohtësinë prindërore dhe dashuritë e gjithë kësaj bote, kjo do të thotë shumë për mua. Ta luash rolin e prindit nuk është e thjeshtë dhe ju e keni bërë më së miri për mua. Por, ta duash një fëmijë, edhe pse është pjesë e trupit të huaj, ekziston diçka në brendësi të atyre njerëzve, që është më shumë se dashuri. Ju veç dashurisë, më keni ofruar edhe edukatën.
Zhaku duke mos i përmbajtur veten ju drejtua:
– Bija ime e dashur…! – dhe e përqafoi.
Nga cepi i syrit zunë fill disa lot, nuk ishin lot trishtimi, por shprehje e thellë e emocioneve që e përshkuan dhe thellë në vetvete e uroi atë ditë që e kishte adaptuar Elizabetën.
Ndjeu një lehtësi të madhe në vetvete, ju duk sikur pengu i së vërtetës së madhe e kishte liruar përfundimisht dhe tashmë mund të përjetonte qetësinë e merituar. Dukej se trazirat e shkaktuara në luftën e përbrendshme me ndërgjegjien ishin larguar si retë pas stuhisë dhe vendin ia kishin lënë diellit plot dritë, shkëlqim e ngrohtësi.

Fragment nga romani i autores Hasije Selishta Kryeziu




























Leave a Reply